Pohimi se arti ka marrë fund në fakt i përket të ardhmes, jo në kuptimin që nuk do të ketë më art, por në kuptimin se arti që do vijë, do të jetë art ngambrapa fundit të artit, domethënë do jetë art ngambrapa historik - Danto, Ngambrapa përfundimit të artit
(E reja) tashmë ka vdekur paraprakisht. Ajo bie në mitin e së ardhmes (…) Ideali i të resë duhet të braktiset nëse dëshirohet të mbahet gjallë aktiviteti artistik. Arti nuk ka vdekur. Çfarë ka marrë fund është historia e artit si progres drejt të resë. Që tani e tutje, të lirë nga iluzioni gjeometrik, të vëmendshëm ndaj energjive të së tashmes, hyjmë në epokën e ngjarjeve, të artit post-historik dhe meta-artit - Hervé Fischer, Historia e artit ka përfunduar
Gjithnjë e më tepër “riciklimi” i materialeve, qoftë në formë plehrash, është bërë një domosdoshmëri parësore për shkak të çështjeve të mjedisit dhe konsumizmit të tepruar që mbizotëron në shumë vende të botës, mbipopullimit, shterimit të rezervave materiale dhe energjitike, ndergjegjsimit ekologjik, etj. Fenomeni është krejt i ri dhe i paparë, kurrë më parë në histori plehra ka pasur vlerë në vetvete si sot, rrotull saj zhvillohen interesa biznesi tepër fitimprurëse, industri përpunuese, qarkullim vlerash monetare të pallogaritëshme. Ndryshimi ka ndodhur deri edhe si kuptim në koncept: “plehrë” nuk është më gjë e përbuzur për t’u hedhur si pa vlerë, por është materie e vyer si të tjerat materie lëndë e parë. Tani nuk ka më plehra, çdo mbeturinë është e rikuperueshme 100%.
Fenomeni shfaqet në të gjitha fushat e jetës pa përjashtim, jo vetëm në të interesit pragmatik siç u tha, por edhe në fushën e artit, konsideruar rëndom veprimtari e painteresuar për fitim monetar. Madje çinteresi dhe çpragmatizmi kushtëzojnë veprën artistike postmoderne objet trouvè ose ready-mades (1914), e cila përkufizohet: ripërdorim dhe ridhënie e një roli një objekti ose materiali që dukshëm nuk ka më ndonjë qëllim apo mundësi përdorimi utilitar. Pra “plehrë” është në krye dukuri shpirtërore, një gjëndje shpirti historike që reflektohet edhe në veprimtari konkrete gjithëpërfshirëse.
Me kalimin e kohës dukuria në fjalë është zgjeruar edhe në muzikë, në dizajn dhe me tej, duke përfshire tërë kulturën mbarë. Koncepti i riciklimit, përveçse zgjeruar, është edhe sofistikuar duke u ripagëzuar si term brikolazh (frengjisht bricolage, italisht fai da te); jo në kuptimin e rëndomtë të hobby-t të riparimeve të thjeshta dhe punës manuale në shtëpi, por në kuptimin e krijimit të diçkaje të re nga mbetjet dhe materialet e rikuperimit (gjë që në fakt mund të ndodhë edhe në praktiken e rëndomtë të punës uikend në shtëpijake, quajtur atë botë “punë me dru”, "punë me metal”).
Pagëzimi i termit dhe shpjegimi thelbësor i fenomenit është meritë e gjeniut poliedrik Claude Lèvi-Strauss (konsideruar kryesisht filozof dhe antropolog, por në fakt është shumë më tepër se kaq), që konceptin e mendimit mitik e barazoi me konceptin e bricolage në veprën e tij Mendimi i paqytetëruar (1962). Sipas tij, mendimi mitik, njësoj si dhe praktika manuale fai da te, bazohet në strukturat që prejardhen nga mbetjet e strukturave të tjera. Dyfish gjeni i madh, meqë dyfelor i modh, Levi-Strauss përshkruan njeriun tragjikisht të mbërthyer fatalisht midis kundërtish origjinale, ku më kryesorja dhe më tragjikja zhvillohet midis Kulturës dhe Natyrës. Mbas dikotimisë Kulturë-Natyrë, rreshtohen varg kundërtitë midis qënies dhe mosqënies, midis misterit të origjinës dhe misterit të shuarjes, midis mashkullit dhe femrës, rinisë dhe pleqërisë, midis të ngrënshmes dhe të helmtës, të lëvizëshmes dhe të palëvizëshmes, kaosit dhe simetrisë, etj. Njeriu në pamundësi të zgjidhë këto dikotimi ekzistenciale nëpërmjet proceseve të arsyetimit racional, thërret në ndihmë mitin si shpjegues, deshifrues figurativ, unifikues dhe harmonizues i strukturës së logjikës së brëndëshme të trurit me strukturën e jashtme të botës.
Pra mendimi, sipas Levi-Strauss, rezulton dyfelor: 1-mendim mitik i bricoleur indigjen postmodern që merr nga konteksti rrethues mjetet e ofruara për t’i ripërshtatur nevojave të veta dhe zgjidhur probleme te reja, 2- mendim krijues i inxhinierit të qytetruar modern që vepron përkundrazi: nga qëllimi abstrakt (projekti) kalon në mjetet dhe materialet për të zgjidhur nevojat dhe problemet. Në plan të fundit figura e bricoleur dhe inxhinerit, përkatësisht figura e artistit postmodern dhe artistit modern (që ka qëllim, ide dhe projekt paraprake, të cilave më pas ju vë në shërbim mjetet dhe materialet; psh në rastin e piktorit: kanavacë, ngjyra, penel etj), përfaqsojnë përkatësisht Natyrën dhe Kulturën, kjo e fundit e dalë më vonë në histori si kalim traumatik (miti i Rënies) nga gjëndja e natyrës në gjëndje qytetrimi (në origjinë ide e Rusoit). Si përfundim njeriu i qytetruar racional, dmth inxhinieri ose artisti modern, e shfrytzojnë dhe dhunojne natyrën për hir të idesë dhe racionalitetit, ndërsa indigjeni i “paqytetruar” mitik, dmth bricoleur ose artisti postmodern, lodrojnë me natyrën, mendojnë ekologjikisht. Për bricoleur universi është i kufizuar (riciklohet ekzistuesja), për inxhinierin është i pakufizuar (gjithnjë e më tepër babëzi për novacione dhe progres linear pa fund).
Dukja e bricoleur, alias artistit postmodern, është një prej shenjave të Fundit të Kohëve (sipas konceptit fetar) ose Fundit të Historisë (sipas konceptit laik). Situata fundore mund të ilustrohet me një metaforë gjeografike për Fundin e Hapsirave: tani Toka është eksploruar e tëra, nuk ka më kuptim aventura e zbulimeve ekzotike, universi është i kufizuar, kultura është e tejngopur, prandaj edhe tentativa postmoderne për kthim mbrapa, për rikthim në origjinë; rikthim në Itakë sipas mitit helen, ose rikthim në idilin ekologjik të para Rënies sipas mitit zanafillor të Librave.
Kumtin e parë në këtë drejtim e dha Remboja, dmth riciklimi i plehrave ndodh edhe në poezi, pra është edhe poetik:
Prej do kohe jam mburrur që zotroj të gjitha peizazhet e mundshme, dhe i gjej qesharakë të famëshmit e pikturës dhe poezisë moderne.
Më pëlqenin pikturat idiote, pikturat mbi portë, dekoret, pikturat e cirkut në pëlhurë, tabelat e dyqaneve, miniaturat popullore; letërsia demode, latinishtja kishtare, librat erotikë pa ortografi, romanet e gjysheve tona, përrallat me zana, libërthat për fëmijë, melodramat e vjetra, refrenet bajate, ritmet naive.
Kam ëndërruar kryqëzata, udhëtime zbulimesh të pa raportuara, republika pa histori, luftra fetare të shtypura, revolucione dokesh, zhvendosje racash dhe kontinentesh: besoja në të gjitha magjitë.
Rimbaud, Une saison en enfer, Alchimie du verbe (1870)
--------------------------------------------------
Pjesën e mëparshme e gjeni këtu