Ky shkrim është botuar kohë më parë në Peshkun e Vjetër, dhe ribotohet përsëri (me pak ndryshime) si një seri tjetër e serialit Postprodhim, me qëllim që të plotsojë më tej mozaikun e idesë së termit “post”. Termi në fjalë, i stërpërdorur deri në lodhje, është bërë pothuaj një parashtesë që përkon pothuaj me çdo fjalë; gjë që, edhe nga kjo pikpamje formale, përbën dëshmi më vete për epokën “post” që përjetojmë.
---------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Retromania
Ku është muzika e re? Çdo gjë është retro, retro, retro … - Jaron Lanier
Ideja kryesore e librit Retromania (2011) të Simon Reynolds e përmbledhur shkurt është: epoka që përjetojme karakterizohet nga fiksimi maniak në të kaluarën. Kjo dukuri është vënë re edhe më parë në histori, por ndryshe nga psh Rilindja Italiane e fiksuar tek Roma dhe Greqia e lashtë, ose Gotizmi dhe Prerafaelitet tek Mesjeta, tani fiksimi bëhet në të kaluarën e afërt të një brezi ose individi, dmth në fakt bëhet fjalë për nostalgji, dhe për më tepër për nostalgji të sëmurë që pengon të ardhmen dhe krijimin novator. Faji i faturohet teknologjisë dixhitale: bollëku informativ i internetit i çfrytzuar nga çdokush (gjithashtu çdokush mund të kontribojë për të rritur më tej bollëkun në fjalë), ka krijuar një gjëndje sureale ku bashkëjetojnë e kaluara, e sotmja dhe e ardhmja të llaçkavitura midis tyre. Në këtë Bibliotekë të Babilonit të ofruar gratis, llupet kulturë vazhdimisht, me pasojë buliminë (tejngopjen) kulturore, humbjen e origjinalitetit dhe mërzisë pa fund. Reynolds, tepër i famshëm si kritik i muzikës moderne (Stonsat e mbajnë për kritikun më të mirë ekzistues në rang botëror), analizon kryesisht shëmbuj nga muzika pop (sipas tij në muzikë paralajmërohet e ardhmja dhe deshifrohet e sotmja e shoqërisë me qartë se në çdo disiplinë tjetër), pa lënë pas dore fusha të tjera të kulturës: media, pop kulturë, filozofi, kinematografi, sociologji, të cilat dëshmojnë të njëjtën patologji: rikthim i përjetshëm i të kaluarës së afërme. Dukurinë në fjalë, bërë e dukëshme mbas viteve 2000 (quajtur me ironi nga autori Vitet Zero), Reynolds e heton edhe në ekonomi duke zbuluar analogji midis bollëkut të muzikës dhe bollëkut të kapitalit (quajtur nga ekonomistët mbiakumulim) në epokën retro, që korespondon me krizën e fundit bankare të vitit 2008. Kapitali retro në supertepricë, nuk gjen dot rrugë për investime në ekonominë reale (për shkak të mbingopjes së tregut të konsumatorëve), e nuk i mbetet gjë tjetër veçse spekulimi financiar me pasojë krizën, mbipasurimin dhe varfërinë e skajme si fela tjetër logjike. Analogjia midis muzikës retro dhe kapitalit retro ilustrohet shkëlqyeshëm nga fraza e librit në fjalë:
Ekonomia botërore është groposur nga derivatë dhe borxhe, muzika ka humbur vrullin për shkak derivimi dhe huazimi.
Reynolds e quan kohën tonë epoka e “re”-së: re në reunion muzikor, re në remake kinematografik, re në restyling ndërtesash dhe monumentesh, re në reprinting, re në reissue, re në revizion të gjithçkaje (edhe të historisë), re në recicling të gjithçkaje (edhe të plehrave), e kështu varg remix, rentrèe etj etj etj. Duket sikur koha ka ngec në vend dhe ka vjellur të gjithë historinë duke e bërë gjithnjë të pranishme të kaluarën nëpërmjet parashtesës “re” dhe “neo”. Pasoja të drejtëpërdrejta janë humbja e origjinalitetit krijues dhe shterimi i proçesit krijues, që në fakt janë e njëjta gjë.
Libri është pothuajse gjenial në përshkrimin e dukurisë në fushë të muzikës, dhe krejt gjenial kur zbulon ndërlidhje dhe analogji në fusha të tjera. Por ideja kryesore nuk është origjinale, origjinale është kontesti historik tepër i veçantë i krijuar në Vitet Zero (për pasoje origjinal dhe interpretimi i tij), dhe që dukuria përshkruhet gjërësisht dhe kryesisht në muzikë. Por edhe në këtë pikë ka për pararendës Jaron Lanier dhe McLuhan, e duke e rritur më tepër rrezen dhe lartësinë e vëzhgimit, gjënden shumë më tepër pararendës të tjerë, sepse ekziston një literaturë e tërë që përshkruan karakterin diabolik ose të paktën problematik të teknikës, lidhur me fundin e artit dhe historisë, me në krye Hajdeger dhe me pararendësin e famshëm, megjithse pak të lexuar, Spengler. Parë nga një pikpamje më sipërane, si me thënë filozofike, ideja në origjinë është e Hegelit që profetizoi fundin e artit, krahas fundit të historisë, ky i fundit, Hegeli, i ricikluar nga shumë i njohuri Fukujama. Sigurisht të gjithë këta autorë, riciklojne paditur idenë e Fundit të Kohëve të shkruar në Libër dhe në çdo libër tjetër themeltar të çdo lloj feje dhe çdo mitologjie pa përjashtim. Pra kodi i shpjegimit është providencial (ose teologjik, term më i pranueshëm për moden laike të sotme), jo rastësisht tani në Fund të Kohëve disiplina më e shpërfillur, për të mos thënë më e përbuzur. Për ironi pikpamja providenciale, e cila shpjegon saktë fenomenin retro, mohohet totalisht në epoken retro, të tjerat disiplina e shpjegojnë të reduktuar dhe të deformuar. Shejtani, përveç të tjerash, është edhe ironik.
Përveç shumë lavdërimeve për librin ka pasur edhe kritika negative, si gjithnjë konfuze dhe të ngjyrosura me politikë, më saktë politikisht të zgjyrosura, shumë të ngjashme me ato që i janë bërë pararendësve të lartpërmëndur, të cilët në Vitet Zero vështirë se mund të rreshtohen në ndonjë llogore politike. Tani Hajdegerin e dashurojnë dhe e citojnë më tepër të majtët se të djathtët, pra është më se e qartë që ky lloj muhabeti (dhe jo vetem ky) politikisht i ngjyrosur dhe zgjyrosur, është muhabet pa bereqet, vlen vetëm për të mjerët që të shfryjnë marazin që zgjyros dhe nxin jetën e tyre personale.
Pavarsisht nga keqkuptimet, keqinterpretimet dhe keqdashjet, në plan te fundit asnjëri nuk e ka gabim në thelb. E vërteta është emocionale, intelekti mundohet ta përcjellë duke e përkthyer në kode logjikë sipas fushave, niveleve, kontesteve të ndryshme. Autorë të ndryshëm rrekin të përcjellin të njëjtin emocion, ose intuitë, ose frymzim profetik, nëpërmjet intelektit që flet në gjuhë të ndryshme nga nivele dhe kontekste të ndryshme. Pra nuk ka gabim si rëndom ndodh me akuza të ndërsjellta, ekzistojnë vetëm gabime përkthimi: Reynolds përshkruan në nivelin e artit të muzikes pop çfarë McLuhan dhe Lanier përshkruajnë në nivelin e analizës së mediave në epokën e teknologjisë moderne, çfarë Hegel, Spengler dhe Hajdeger përshkruajnë në nivelin e filozofisë, çfarë Beketi dhe personazhet e tij që presin Godonë (Mesia retro) tu bo i dor muhabet mbi kazanë plehrash, përshkruajnë në nivelin e profecisë ose providencës retro, etj.
-------------------------------------------
Pjesën e mëparshme e gjeni këtu