Postprodhim (Ngambrapaprodhim). Pjesa e tetë

Sipas premtimit të bërë në serinë e mëparshme, botoj të përkthyer përgjigjen që Riccardo Campa politikisht majtas i ktheu Marcello Veneziani-t politikisht djathtas.

---------------------------------------------------------------

Projektojmë pavdekësinë: fati ynë tashmë është shkruar.

Synimi i përsosmërisë është në përputhje me traditën e Perëndimit të krishterë

nga Riccardo Campa

Veneziani është prej intelektualëve më të shquar italianë. Ndoshta sepse ka në strukturën gjenetike të gjeniut kromozomin katër. Pra, është ai vetë një njeri në tranzicion, një mutant, ndoshta tashmë një përtejnjeri. Për fat të keq, ai e ndjen veten në një gjendje ndërgjegje të rreme dhe beson se është një njeri si shumë të tjerë. Ndërgjegjjen e rreme ndoshta e ka për shkak të perspektivës së asfiksuar humaniste të markës Gentile të imponuar nga sistemi shkollor italian. Kjo një perspektivë që e ndalon të njohë shkencën si një instrument të lartë shpirtëror. E pengon të shohë bukurinë, madje edhe poetikën e teknikshkencës. Prandaj na quan ne trans-humanistët “humanoidë teknologjikisht të avancuar, por shpirtërisht të kalbëzuar”. Ne nuk ofendohemi, për Zotin jo. Por është e qartë se ëndrra e lashtë e njeriut për zbulimin e sekreteve të kozmosit, të jetës, të vetëdijes nëpërmjet instrumenteve të arsyes dhe të vëzhgimit, nuk prish gjumin tonë humanist.

Lidhur me mua, Veneziani ka të drejtë. Unë nuk kam përfunduar në Krakov si i thirrur nga Wojtyla. Por e ka gabim kur thotë se trans-humanistët nuk i intereson më seksi. Nëse ai do të shihte dhjetëra mijëra vajza për kapak të Playboy që popullojnë këtë qytet, ai do të kuptonte se jo vetëm Kishat dhe sakristitë gjallërojnë shpirtin. E pranoj. Jam këtu për t’i klonuar për gëzimin e gjeneratave të ardhshme. Një e ardhme të cilës, ndër të tjera, shpresoj t’i përkas në sajë të mjekësisë rigjeneruese.

Mbasi thënë këto për të zhdramatizuar, tani kaloj në analizë. Më bëri shumë përshtypje në veçanti këmbëngulja me të cilën Veneziani i kundërvë trans-humanizmin krishterimit. Kontrasti nuk më duket dhe aq i dukshëm. Tani jo se dua të prezantoj trans-humanistët si mbrojtës të besimit. Ka shumë ateistë dhe agnostikë midis radhëve tona. Por, duke përmendur rrënjët e lëvizjes, Veneziani ka harruar Ruggero Bacone, një prift françeskan që mendonte të përdorte shkencën për të fuqizuar trupin dhe zgjatur jetën në një kohë të pacak. Bacone konsiderohet shpikësi i syzeve, proteza e parë teknologjike fuqizuese në rrugën drejt cyberzimit (Veneziani mban syze). Eshtë pra një i krishterë trans-humanist. Shumë të tjerë kanë mbërritur në trans-humanizëm nisur prej millenarizmit të krishterë. Tipler dhe teknognostikët për shembull. Por Veneziani, me dëshirën për të thjeshtësuar, ka harruar këtë rrymë të rëndësishme.

Po për Krishtin ç’të themi? Nuk tha vallë: “Duhet të jeni të përsosur ashtu sikur është i përsosur Ati ynë qiellor”? Këtë mund të ma përdredhin si të duan, por nuk më bindin kurrë që bëhet fjalë për përsosje morale. Cilën grua të të tjerëve mund të dëshironte Zoti, Ati? Dhe çfarë gjë mund të vidhte? Këtu Dekalogu nuk hyn fare. Zoti, Ati qiellor, është i përsosur sepse është i gjithëfuqishëm, i gjithëdijshëm dhe i përjetshëm. Dhe për të synuar këtë përsosmëri, nuk mbetet veçse të studiohet me durim dhe të zbulohen rregullat e lojës së jetës dhe universit, edhe sikur kjo përsosmëri të mbetet vetëm një ideal asimptotik dhe i paarritshëm. Të aspirohet për përsosmëri, siç kërkonte Jezui, a është ndoshta delir? Ndoshta po, ndoshta jo. Ndoshta Veneciani do të preferonte të shihte njerzit të shtazëroheshin dhe të ktheheshin në një gjendje kafshërie të pavetëdijshme. Nëse nuk duhet të synojmë përsosmërinë, atëherë duhet të shmangim përftimin e njohurive të reja, teknikave të reja për të kontrolluar natyrën, ilaçeve e reja për të jetuar më gjatë. Por e gjithë kjo, a do të ishte e krishterë? Ofendohet gjë Zoti duke u përpjekur ta imitojmë? Dhe tani i dashur Veneziani, po ta rrotulloj së prapi muhabetin. Kush nuk ka përulësi, nuk është ai që priret drejt gjendjes mbinjerëzore, një mënyrë për t’iu afruar Zotit, por kush kujton se tashmë është produkti përfundimtar i evolucionit. Kush përpiqet të përmirësojë veten, vërtet është ambicioz, por sigurisht është më i përulur se ata që besojnë se tashmë janë të përsosur. Makar sepse ka genin e duhur në kromozomin katër.