Romeo Çollaku: Veprat me vlerë po vijnë nga letërsitë “periferike”

Pjesën më të madhe të rafteve në bibliotekën e tij e zë letërsia e mirë, por nga cepat dhe skutat e çdo biblioteke ia behin lloj-lloj të papriturash me kopertina vezulluese që, kohë pas kohe, befasojnë madje dhe të zotin. Ndodh që një shënim i vendosur në një libër të tillë të kthejë pas në kohë, duke të takuar me njerëz e ngjarje që kujtesa i kishte lënë diku tej. Romeo Çollaku, poet dhe përkthyes, vjen më poshtë në një rrëfim për librat e zemrës.

Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

Shpresoj që pyetjet në vazhdim të mos jenë kaq të sikletshme sa e para. Marquez-i do ta kishte të lehtë t’i përgjigjej, unë jo. Për mua, Pedro Paramo i Rulfo-s është metal nga më të çmuarit, pa asnjë cen. I tillë më duket edhe Vdekja e Ivan Iliçit i Tolstoit. Por një vepër pothuajse e përkryer, që nuk i mungon asgjë, a është medoemos edhe më e mira njëkohësisht? Nuk e them dot. Nuk më lejojnë ca romane të tjera, si Krim e ndëshkim i Dostojevskit apo Kështjella e Kafkës.

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

Vërej me kënaqësi se shkalla e vështirësisë së pyetjeve po vjen në zbritje, paçka se me të qindtat e milimetrit. Edhe për këtë të dytën duhet vrarë mendja me net të tëra, ndaj po i bie shkurt: Qypi i Pirandello-s, Murgu i zi i Çehovit, Chef’s House ose The Compartment ose secili nga tregimet e Carver-it, Shtëpia e Kokonës ose secili nga dyzet tregimet më të mira të Papadiamantisit, Histori fshati i Ylljet Aliçkës. Ky i fundit është tregimi më mbresëlënës që më ka rastisur të lexoj nga letërsia jonë.

Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë i quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?

Nga tashmë të konsoliduarit apo le të themi klasikët e gjallë, çmoj Kadarenë, jo thjesht se është yni, Kundera-n, Zagajewski-n, Handke-n, McCarthy-n, Banville-in e të tjerë. Ndërsa më përforcohet gjithnjë përshtypja se, viteve të fundit, një pjesë e punëve më të arrira vjen nga të ashtuquajturat gjuhë të vogla. Mund ta argumentoja me autorë dhe tituj, mund t’i jepja edhe njëfarë shpjegimi dukurisë, por temë e gjerë kjo dhe nuk trajtohet dot këtu. Mjafton të them se, qoftë edhe vetëm në letërsitë që njoh më mirë, në shqiptaren dhe greken, shquaj pena jashtëzakonisht të mprehta, njerëz të sotëm të letrave, të cilët më duket se, veç komoditeteve që sjellin shifrat e shitjes dhe lavdet nëpër gazetat e famshme të Amerikës a Francës, nuk kanë ç’u lakmojnë tjetër kolegëve të shumëlakuar të kulturave mbizotëruese. Me këtë, le të kuptojmë vetëm një prurje të re e jo ndonjë shpërthim të padëgjuar vullkanik, sepse nga letërsitë “periferike” asnjëherë më parë nuk kanë reshtur së ardhuri vepra me vlerë. Çështja është se metropolet letrare, ku caktohen më së tepërmi fatet e librave të kësaj bote, kurrë nuk kanë qenë më të pavëmendshëm se sot kundrejt këtyre anëve tona. Rulfo e Marquez që përmenda, apo Cortasar e disa të tjerë, ishin maja mjaft të larta dhe për hir të tyre ose për inerci janë promovuar e promovohen në Nju-Jork, Londër e Paris e, për rrjedhojë, anembanë rruzullit një vandak i tërë mediokritetesh latino-amerikane. Kurse mjeshtrin e hollë Martin Camaj nuk e njeh njeri. Ja, kjo ndodh. Jemi në gjendje të gjykojmë dhe të krahasojmë, nuk jemi krejt të padalë. Edhe një padrejtësi e paqëllimshme mbetet padrejtësi për atë që e vuan. Megjithatë, e keqja nuk na është servirur ndonjëherë vetëm nga jashtë. Dhe qysh këtej fillon problemi. Ka plot intelektualë të këtushëm që, me mendjelehtësi e ndoshta edhe dashakeqësi, u vjen për mbarë, me rast e pa rast, ta mohojnë letërsinë që shkruhet sot në shqip. Ndonëse lexuesi i stërvitur nuk ua vë veshin, prapëseprapë këta zëra të papërgjegjshëm e bëjnë dëmin e vet.

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?

Domosdo nuk bëj pjesë ndër ata lexues që vetëndëshkohen duke u kufizuar te romani. Të gjitha i lexoj: edhe poezi, tregime, drama, eseistikë e kritikë letrare.

Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

Pjesën më të madhe të rafteve të mi e zë letërsia e mirë, por nga cepat dhe skutat e çdo biblioteke ia behin, bashkë me merimangat, lloj-lloj të papriturash me kopertina vezulluese, që, kohë pas kohe, befasojnë madje dhe të zotin, i cili, duke parë vendin dhe datën e autografit, nis e çon ndërmend bankete të dikurshëm shkrimtarësh dhe artistësh. Jo më kot thonë se biblioteka i ngjan kujtesës, sepse ngarkohet edhe me gjëra të parëndësishme.

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

Janë të shumta personazhet e paharrueshme për mua dhe disa i kam përmendur herë tjetër. Tani, meqë para pak kohësh lexova “The Catcher in the Rye” të Salinger-it, po shtoj edhe fëmijën Holden Caulfield, mbartësin më se dinjitoz dhe përçuesin e idesë tronditëse që ndriçon ky roman në dukje gazmor e thjesht zbavitës, idesë mbase më dëshpëruese pas asaj të vdekjes, që është humbja e pashmangshme e pafajësisë.

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?

Lexues i mahnitur. Prandaj fëmija është i lumtur, ngaqë mahnitet dhe adhuron. Po të mahniteshim dhe adhuronim po kaq lehtë edhe në moshë të pjekur, do të ishim përgjithmonë të lumtur. Prapë zbulojmë herë pas here tekste që na e falin edhe neve atë ngazëllimin e pamat të eksploratorëve të qëmotshëm para tokave të reja. Por është e pashlyeshme ndjesia e leximeve të fëmijërisë dhe të rinisë së parë. Librat që ma kanë shënjuar atë moshë janë ajo katedralja tjetër e Hygoit që titullohet Të mjerët, prozat e Migjenit, Prilli i thyer, Kronikë në gur, por edhe poezitë e hershme të Kadaresë. Pata lexuar një ditë Mbretin e Tulës së Goethe-s në përkthimin e Ndre Mjedës dhe m’u prenë krahët kur mësova se famullitari i Kukëlit vetëm nja pesë a gjashtë poezi na kishte sjellë gjithë-gjithë nga gjuhët e huaja. Gjurmoja çdo përkthim të Aurel Plasarit dhe besoj, tani në mënyrë edhe më të ndërgjegjshme, se dhuntia e tij përkthimore është më e larta që ka njohur shqipja. Lexoja me ëndje dhe ende mbaj mend poezi e përkthime të Dritëro Agollit, Jorgo Bllacit. Përpiqesha, nëpërmjet një përzgjedhjeje që i ishte botuar atëherë, të gjeja rrugën drejt Lasgush Poradecit, poetit tonë më tekanjoz që, për t’iu qasur, kërkon të kesh mbi supe një mal të tërë përvoje. Me pak fjalë, në faqet e disa librave nuk ndihej fare ajo krizë, e papërfytyrueshme sot, që pllakosi vitet ’80.

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

Ndonjë rast i spikatur nuk më kujtohet, por jetës praktike të dikujt që u është përkushtuar librave nuk para i mungojnë telashet.

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai?

Ndikimin më të madh në formimin tim si shkrimtar e ka ushtruar vepra e Jorgos Seferisit, vepra poetike dhe eseistike e tij, falë njohjes me të cilën, në kohën e duhur, fitova ca gjëra që nuk i kisha fort të latuara deri atë çast. Këtë e kam thënë disa herë dhe, ngaqë i jam mirënjohës, nuk lodhem duke e përsëritur.

Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?

Nëse duhet patjetër të veçoj vetëm njërin nga librat e mi, atëherë romanin tim të fundit Mjaltë në teh.

Po qe se do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

Ma ha mendja se presidentët e republikave parlamentare e kanë kohën me tepri dhe, po të duan, brenda një mandati mund të lexojnë të gjithë librat më të vyer të letërsisë botërore. Më në dobi të interesit të përgjithshëm do të ishte sikur një pjesë të këtyre librave t’i lexonin para se të uleshin në kolltukun e rehatshëm presidencial.

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

Qëlluaka të jenë të tre amerikanë: Hemingway, Fitzgerald dhe Carver. Por asgjë solemne. Jo tamam darkë. As meze. Thatë. Dhe jo këtu. Nuk vijnë dot këtu. As tani. Kur të jetë taksur. Kam pra arsye të fortë për të mos e pritur me padurim një takim të tillë.

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

Botuesit e mirë, meraklinjtë, kokëkrisurit, harxhohen për të hedhur në treg një libër, ndaj nuk dua të përmend tituj, nuk e shoh të udhës të shprehem publikisht përderisa nuk jam kritik. Ose, po thashë, për shembull, që libri i Aldous Huxley-t Brave New World nuk m’i kënaqi pritshmëritë, duhet të shtoj menjëherë se nuk qenkësh për shijet e mia dhe se mbahet si një prej romaneve më emblematikë të shekullit XX. Kohëve të fundit mezi shtyva një novelë pakfaqëshe të një shkrimtari cilësor, Luis Sepulveda-s, një prozë tepër skematike dhe njëherësh një kitsch i padurueshëm, me të gjitha të këqijat, që e them me bindje se do të ishte njëqind herë më mirë të mos ishte shkruar. Nuk e di, janë besëtytë, si ne, njerëzit e atij kontinenti dhe mund ta ketë shkruar kastile për të prishur syrin e keq. Fatmirësisht, rrallë qëlloj në kësi tersesh.

Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?

Historinë e thellë të jetës së tij, thelbësoren, çdo shkrimtar e shkruan vetë. Në kuptimin që shkrimtari i vërtetë, ai që ia del të bëjë mrekullinë e krijimit të një teksti nga hiçi, “lëndën e parë” e gjen te vetja. Asnjë Shekspir nuk na rrëfen botën, por përjetimin prej tij të bukurive dhe mbrapshtive që e rrethojnë. Veten e kam parë gjithmonë si shkrimtar, domethënë si personazh të shkrirë nëpër gjërat që shkruaj. Dhe them se jam pajisur mjaftueshëm me furnizime, sepse edhe fushata këtej e tutje ka filluar pak nga pak të mos duket më si e pafundme. Tashmë, synoj qetësinë, masën, duke shpresuar që jeta ime të mos jetë aq interesante sa të përfshihet në faqet e një libri të dikujt tjetër. Uroj të kem kthjelltësinë, vullnetin dhe nervin e duhur, për ta shkruar vetë të gjithë historinë e jetës sime. Njëlloj siç jam përpjekur të bëj deri tani.

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

U kthehem, sidomos, poetëve dhe tregimtarëve të mi të dashur, listë e gjatë. Edhe për t’i shijuar, por edhe për t’i studiuar, për t’u vjedhur sekrete të zejes. Mësimi i një zanati nuk mbaron kurrë. U kthehem katër romaneve të Kafkës. Janë pastaj edhe ata librat që o i rilexojmë menjëherë pas leximit të parë o nuk guxojmë më ta marrim vendimin, për shkak të asaj dreq parandjenje se mos prishet magjia.

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

Pikërisht. Ndihem keq dhe s’i them dot. Prej vitesh, nuk e kam pasur të pakursyer kohën për lexim. Nëse jep e merr tetë a dhjetë orë duke shkruar njëqind herë të njëjtin paragraf, këto pëson. Vetëm tani, së fundi, përpiqem t’i gjej vetes pak çaste në ditë, për t’iu gëzuar këtij luksi të pazëvendësueshëm.

Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?

Hë për hë, tre a katër romane nga Steinbeck dhe po kaq nga Faulkner. Kam filluar me të parin. E shikoni pse ndihesha keq?

1 Like

Kenaqesi kjo prurje.
Turp eshte por emra si ky letrar, une vete thuajse aspak degjuar dhe problemi eshte nuk duhet te jete as emer periferik (si letersia qe flet ne titull) por pene me pervoje.

Sa eshte lodh duke permend shkrimtare t’mdhej te letersise qendrore, do te kishte bere mire te haxhohej per te na ndriçuar lidhur me fenomenin pse periferia po behet me qendrore se qendra.

Ndonse jo shum i njohur, mendimet e tija ishin interesante.

http://arkivi.peshkupauje.com/2015/12/romeo-collaku-ne-zanatin-e-vetmuar-te-perkthimit

1 Like

Rrofsh i lxoj ne shpi

lexova arkivin sa me siper, stalker. Shuume te faleminderit.
S’dmth gje qe ppu e ka diskutuar kete njeri dhe prape te mos njihet sepse eshte si puna e filmave qe cohen dem kur s’di t’i shikosh.
Shume kurioz beri: e folura, tematika, volumi i punes, thellesia e te gjitha.
Do desha t’i lexoj ndonje gje patetjeter

http://www.transcript-review.org/en/issue/transcript-24-contemporary-verse-from-albania/the-confident-avant-garde/romeo-collaku

ai eshte perkthyes, por thuhet se romai i tij i vjetshem, “Mjalte ne teh” eshte nga me te miret e shkruar ne shqip keto vitet e fundit

Ashtu duket se edhe Elsa Demo me lart ia vleresonte mjaft ate roman.
Sic thua edhe ti ana me e forte e prodhimtarise duhet t’i jete perkthimi, si cilesi dhe sasi.

ok
nuk e kam pare ende intervisten me Elsen
flm paraprakisht :slight_smile:

1 Like

nje perkthyes eshte ne pozicion komod per te dhene recensa dhe bere permbledhje mbi zhvillimin e letersise ne shkalle te gjere, dhe prandaj fenomeni i Çollakut (sepse fenomen!)

ky perktheka ne frengjisht me i fjale, e kush mbahet perkthyesi me i mire aty,

sjelle nga Armanda Kodra Hysa