Të qënit i shëndetshëm, natyrisht nënkupton gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm, por për qëllime të kësaj teme, e përballë realitetit të epidemisë së obezitetit, ne quajmë të shëndetshme atë dietë që na ndihmon të kontrollojmë peshën, e përmes kësaj të ulim gjasat për sëmundjet e shumta që mbipesha shkakton. Kjo me të ngrënit është një betejë shumë e vështirë që përfshin të gjitha moshat. Vlen si për sportistët që rreken të arrijnë formën e përkryer fizike, ashtu edhe për pensionistët që përballen me probleme të zemrës apo diabetit. E gjithë të tjerët, përfshi edhe fëmijët.
Në shumë raporte të Organizatës Botërore të Shëndetit, e siç shumë studime shkencore kanë treguar, sheqeri, i marrë në formën e rafinuar (sheqer i bardhë), apo përmes brumrave të shumtë, është shkaktari i provuar i një epidemie mbipeshe dhe diabeti që ka shkaktuar qindra milionë të sëmurë në të gjiithë botën. Ama nëse përpiqesh të ulësh sasinë e karbohidrateve që konsumon, do vësh re sesa shumë karbohidrate të thjeshta (të dëmshme) hamë çdo ditë, edhe pse jemi një vend me mundësi shumë të mira ushqimi, falë pozicionit gjeografik mesdhetar.
Në fakt në Shqipëri është plotësisht e mundur të hash shëndetshëm, por do duhet t’i bësh gjërat vetë pasi industria e ushqimeve të gatuara, në fast-food-e, bare e restorante, nuk duket se ka dëgjuar ndonjë nga gjërat që thuhen për sheqerin. Ai është kudo, dhe me shumicë.
Nëse e blen mëngjesin, mund të zgjedhësh byrek me gjizë, apo kruasant (të freskët apo fabrike), apo një toast. Në shtëpi bukë me vezë, apo bukë me gjalpë, apo petulla me reçel, palaçinka ose drithëra me sheqer. Opsionet janë të gjitha me karbohidrate mielli të bardhë dhe shumë sheqer. Ata më të kujdeshmit zgjedhin drithëra integrale, apo bukë me përmbajtje fibre. Por duke gjykuar nga puna, byrektoret e furrat e bukës e kanë mëngjesin shumë të zënë me punë, mielli i tyre nuk përmban fare fibra, është i rafinuar. Gjatë ditës nuk është çudi të hash ndonjë biskotë, apo patatina, para një dreke që sërish përmban shumë brumë. Këto që ha pa mendje janë një kategori më vete.
Kam vënë re, në restorantet që gatuajnë gjellë shtëpie për drekë (të quajtur restorante tradite), që shumë marrin pilaf me kos. Madje dy pilaf dhe një kos. Pilafi është mbret, bashkë me makaronat apo tavat me makarona, pastiçot, byrekët apo patatet e skuqura dhe natyrisht, bukë nga ajo e zakonshmja, që shqiptarët e hanë me kile çdo ditë. Atyre që kanë ngrënë petulla për mëngjes në drekë u ka rënë sheqeri fare, dhe janë gati të sulen me kokë pas çdo karbohidrati të mundshëm, për të stabilizuar kështu nivelin e glukozës në gjak. Një ëmbëlsirë pas pilafit ta çon fiks aty ku duhet. Por niveli i sheqerit nis të bjerë me t’u çuar nga tavolina, dhe është çështje kohe para se të kemi nevojë për një tjetër dozë brumi, andej nga pasditja.
Në rrugë, sufllaqet, krepat, picat, sanduiçet janë ushqimet e gatshme më të përhapura. Edhe pastiçeritë nuk mbeten pas me nga 70 lloje ëmbëlsirash në vitrina, pa përmendur akulloret. Nëse je në një dietë me karbohidrate të reduktuara do ta kesh tepër të vështirë të gjesh një gjë që mund ta hash shpejt. Ushqimet që merren në dorë përmbajnë thuajse gjiithnjë shumë brumë, shumë sheqer. Të dalësh me kofshë pule në rrugë nuk është opsion. Omleta shumë pak vende bëjnë, dhe duhet të kesh nge t’i ndjekësh për qejf. Bagel-at dhe donuts janë dy hyrje të reja që kanë rezultuar popullore, edhe këto, siç njihen, plot me karbohidrate të thjeshta.
Ka plot që për darkë porosisin pica, sepse është e rehatshme dhe ekonomike, por është gjithashtu një rast për tu ngarkuar me bukë. Fëmijët e dashurojnë picën, dhe patatinat, dhe pijet me gaz (dhe me shumë sheqer). A e di vallë një prind se një kanaçe kola apo tjetër shije përmban nëntë lugë kafeje sheqer në ato 330ml? Për të mos përmendur ato mokaçinot e latet që kanë dalë në modë në Tiranë, se ato kanë edhe karamel brenda, shkojnë mbi 50 gram sheqer, sa për një javë.
Sasia e sheqerit në një kanaçe të zakoshme jo-dietike (35g për 330ml).
Unë nuk dua të bëj si dijetist por ca gjëra shihen qartë, ne konsumojmë një sasi çmendarake sheqeri, përmes, bukës, brumrave, ëmbëlsirave - se nuk desha të përmend alkoolin. Kjo nuk do të kalojë pa pasoja. Dhe siç e dimë, shumë vende të zhvilluara kanë nisur prej vitesh luftën ndaj sheqerit, përmes taksave dhe kufizimeve. Dëmet e tij në shëndetin publik janë jo më të pakta se duhani.
Kemi nevojë të lëmë vend në stomak për më shumë zarzavate, mish, fasule, përbërës që kuzhina jonë i ka me shumcië, por të cilave të rinjtë u janë larguar fare, duke ngrënë jashtë atë që bota sot e konsideron ushqim-plehrë, thënë ndryshe junk food. Le ta ketë emrin, byrek apo picë, janë thjesht sasi të përbindshme brumi, pa vlera ushqyese që ia vlen të përmenden, përveç, sheqerit. Në fund dua të përmend edhe nismën Buka në strajcë që ka ardhur si reagim, ndaj këtij fenomeni negativ, e që duhet pëkrahur e përhapur fort.