Një prej kurioziteteve turistike më të vizituara të Indisë është grupi i tempujve në luginën Khajuraho. Arsyeja e tërheqjes turistike: një çudi skandaloze për mendësinë oksidentale lidhur me tempullin fetar: tempujt në Khajuraho janë zbukuruar në paretet e jashtme nga miriada statuja të çiftëzuara seksualisht në pozicione seksuale gjimnastikisht të pamundura në tërë kombinacionet e mundëshme të përfytyruara nga fantazia seksuale: seks në grup pa dallim moshe dhe gjinie, seks me kafshë, e deri me perëndi. Pra një origji totale, ose siç thënë rëndom nga studjozë ngambrapa dhe moralistë ngapara: Kamasutra e mishëruar në gur.
Eshtë më se i kuptueshëm interesi turistik për fenomenin e përceptuar si pornografi mistike nga vulgu (dhe jo vetëm), gjithashtu i kuptueshëm edhe interesi i studjuesve që rropaten të shpjegojnë fenomenin e veçantë. Vetkuptohet duke hamendsuar shpjegime të ndryshme, edhe të kundërta, sepse këto tempuj nuk frekuentohen më nga besimtare, feja që i ka ndërtuar sot është e shuar bashkë me diturinë për ritualin e zbatuar. Mbeten vetem hamendjet, si gjithnjë jo të pa interesuara ideologjikisht politikisht. I pari që rastësisht i zbuloi tempujt e fshehur nga bimësia e harlisur e xhunglës (e cila i shpëtoi nga zhdukja duke i konservuar), inxhinieri britanik T. S. Burton, mbeti natyrshëm i shokuar për shkak të moralit atëbotë obskurantist viktorian … bla bla vari hejbet, që sot kushedi se në çfarë xhungle konservohet. T. S. Burton shkruante në ditar: “disa skulptura tepër të paturpëshme dhe shokuese që u tmerrova kur i gjeta në tempuj”. Por skulpturat nuk shokuan vetëm kolonizatorët puritanë, shokuan edhe vëndasit e kolonizuar. Pa treguar tërë historinë se vete gjatë, shkurt muhabeti: vetë Mahatma Ghandi dërgoi skuadra të ndjekësve të tij për t’i thyer skulpturat erotike në fasadat e tempujve, ishte poeti Rabindranath Tagore që ju lut të ndalte këtë akt ikonoklast me justifikimin se i përkisnin pasurisë të historisë kombëtare. Socialisti Pandit Nerhu ishte shumë i zemruar nga botimi i fotografive të skulpturave dhe interpretimi i tyre nga një studjues francez ngambrapa, me pretendimin se këto lloj sjelljesh nuk i përkisnin traditës së vërtetë indiane.
Vete akoma më gjatë për të shpjeguar motivacionet e tërë personazhëve të angazhuar në këtë çështje, e cila nuk është ndryshe nga çdo çështje tjetër e diskutuar: sekush tërheq ujë nga mulli i vet ose nga fele e vet, përfshirë edhe studjuesit. Edhe në këtë rast, si në çdo rast tjetër, grinden dy fele duke bërë të pamundur shfaqjen e të vërtetës.
Për më tepër nuk është ky vëndi për t’i shpjeguar, sepse shkrimi është në vazhdim të temës së Sublimierung-ut, i cili ilustrohet shkëlqyeshën prej tempullit Vishvanatha kushtuar perëndisë Shiva, që paraqet më mirë se të tjerët modelin e ndërtimit në tre nivele (nga më tepër se 80 tempuj kanë mbetur rreth 30 ekzistues, të gjithë të ngjashëm midis tyre).
Tempujt kanë për bazament blloqe guri masiv që shërbejnë si bazament, mbi të cilën mbështetet një brez pa asnjë motiv dekorativ që paraqet simbolikisht botën minerale. Ky është niveli i parë, mbi të cilin mbështetet një brez tjetër me dekoracione floreale - mbivendosur botës minerale - që përfaqson botën vegjetale.
Në brezin e tretë, që simbolizon shumëllojshmërinë e botës së gjallesave, ndodhen miriada statuja të cilat përshkruajnë tërë aspektet e jetës së kohës: gjuetia, bujqësia, zanatet, dyqanet, mësimdhënia, përditshmeria, kënaqësia, përfshirë këtu erosin, pra statujat erotike në fjalë, të cilat në fakt përbëjnë 10% të totalit artistik (gjë e heshtur me qëllim nga reklama turistike).
Ngjitur vertikalisht, skulpturat e brezit të tretë spikasin gjithnjë e më tepër si fizionomi, mimikë, xheste, ekspresiviteti i tyre rritet gradualisht, fytyrat, tiparet dhe xhestet dallohen më tepër. Pra spiritualiteti lartësohet vertikalisht në ekstazën e çiftëzimit të shijuar në intimitet, gruaja dhe burri takohen, soditen dhe adhurohen midis tyre, ndërsa figurat më poshtë bëjnë thjeshtë gjimnastikë erotike pa kërkuar takim vështrimesh dhe çiftëzim në kryerjen e aktit, për më tepër kryer edhe me të njëjtën gjini dhe me kafshë.
Duke u ngjitur akoma më lart përgjatë faqeve që lakohen drejt majës, dualiteti i skulpturave reduktohet në figura të vetme dhe të vetmuara në qetësi mendimtare. Figurat rrallohen derisa më në fund duket maja e synuar nga tërë forma e hajthme arkitektonike që eksplodon energji puro në synim të qiellit. Forma e majës së tempullit simbolizon, duke imituar formën, malin e shenjtë Kailash të adhuruar si banesë e perëndisë Shiva (versioni indu i Olimpit helen ose Baba Tomorrit tonë), prandaj e vetmja majë mali në planet akoma e pa shkelur nga këmbë e njeriut.
Udhëtimi brënda tempullit është akoma më kuptimplotë, jashtë-brënda simbolizon trup-shpirt, pra çfarë kryhet në paretet vertikale të tempullit, përsëritet njësoj dhe më fuqishëm në drejtin horizontal drejt rropullive të tij. Një herë braktisur gjallëria jetësore e pareteve të jashtme, që në të hyrë të tempullit ndjehet ndryshimi midis pasionit verbues jasht (origjinalisht paretet e jashtme ishin të lyer me ngjyrë magenta=vishnje) dhe paqes së qënies në mugëtirën ftuese në intimitet brënda. Interioret e tempullit flasin pak dhe përkorë, skenat erotike mungojne absolutisht, figurat stilizohen dhe formalizohen, dualiteti shprehet nga forma minimaliste në raporte gjeometrike mandala.
Minimalizmi dhe elementarizimi më i skajshëm i dualitetit manifestohet pikërisht në qëndër të tempullit ku ndodhet altari i shënjtë në të cilin mund të shkelnin vetëm kryepriftërijtë, versioni indu i sancta sanctorum. Altari përbëhet nga dy elementë: lingam dhe yoni, të cilët simbolizojnë përkatësisht penisin dhe vaginën; njëkohësisht personifikojnë përkatësisht perëndinë indu Shiva dhe bashkëshorten e tij perëndinë Shakti, përkatësisht Qielli Atë dhe Dheu Mëmë, principin krijues mashkullor dhe principin krijues femror, bashkimi i të cilëve, sipas kozmogonisë indu, i ka dhënë fill Krijimit dhe e rigjeneron vazhdimisht atë. Lingam (natyrisht edhe yoni, versione indu të yang e yang lindjelargas) ndodhet pikërisht në aksin vertikal të tempullit, që korespondon me kulmin e kupolës më të lartë të tempullit të lartpërshkruar në synim të Qiellit.
Tempulli indu nuk është Kamasutra e mishëruar në gur, siç mendojnë fele moralistët dhe fele imoralistët, por është historia e rrëfyer në nivel simbolik e shpëtimit të Providencës e mishëruar në gur.
pjesen e mëparshme, Pjesë e katërt, e gjeni këtu.