Anonimati - pjesa e gjashtë (krimi i krijimit)

Fantazia është vepër e mërzisë - i Modhi

Në shkrimin e kaluar tregova që e gjithë vepra e Dostojevskit kushtëzohet nga romani Shënime nga nëntoka, në pjesën e parë të së cilit protagonisti anonim vjell pa ndërprerë në stilin “përroi i ndërgjegjes” çfar ka më të poshtër dhe më keqadashëse në zonën e errët të nëntokës të subkonshit, ndërsa në pjesën e dytë i praktikon në jetën reale këto vjellurina nëntoksore. Por ka edhe më tepër se kaq, letërsia ruse, dhe në veçanti Dostojevskij (bashkë me Tolstoin si faqja tjetër e medaljes) do të ndikojë rëndë tërë letërsinë perëndimore dhe botërore, për aq sa bota është e ndikuar nga Perëndimi. Diskursi aluçinant i anonimit të nëntokës do bëhet modeli edhe i letërsisë botërore ekzistencialiste nga Kafka deri tek Sartëri. Protagonisti Gregor Samsa i Metamorfoza të Kafkës zgjohet një mëngjez dhe pa se ishte një insekt, por personazhi anonim i nëntokës, nuk arriti të bëhej as insekt:

Unë nuk them i keq, por asgjë nuk kam mundur të bëhem: as i keq, as i mirë, as mashtrues, as i ndershëm, as hero, as insekt - Shënime nga nëntoka

Nabokov e quan Sartërin imitator mediokër të Dostojevskit; kur një gazetar sovjetik i tha Kamysë se letërsia ruse nuk është e vlersuar sa duhet në Perëndim, ai i tregoi një portret të Dostojevskit, i vetmi i varur në muret bosh të studios.

Pa ekzagjerim mund të thuhet se letërsia postmoderne fillon me Shënime nga nëntoka, llomotitja nëntoksore është fjalimi i heroit modern, ose më saktë i anti-heroit, parodi e heroit klasik, një përmbysje këmbë e kokë e situatës; heroi famoz e me virtute bëhet një anonim çfardo. Pra Shënime nga nëntoka është modeli origjinal matricë që prodhon në seri vepra që vetëm radikalizojnë situatën origjinale.

Eshtë e pamundur me një shkrim dy faqe të tregohet se si ndryshon dhe radikalizohet konteksti me kalimin e kohës, ndëkohë që Teksti (matrica origjinale) mbetet i njëjtë, i bie të përshkruash një shekull letërsi. Për të ilustruar disi se si radikalizohet në kohë llomotitja e heroit origjinal të Dostojevskit, përmend rastin e Raskolnikovit të Krimi dhe ndëshkimi, i cili vret dhe argumenton logjikisht krimi e tij, ndërsa protagonisti i romanit I huaji të Kamysë vret dhe nuk e di as vetë përse ka vrarë, ndjehet i kotë në një botë pa kuptim ku nuk mund të kërkohet kuptimi dhe logjika e veprimeve njerzore. Bota ecën përpara nuk rri në vend. Një shëmbëll tjetër radikalizimi akoma më skajshëm në këtë drejtim është filmi Vjedhës Krimesh (1969) me Jean-Louis Trintignant (akoma i disponueshëm në jutub); protagonisti është një njeri i plotësuar, një mikroborgjez ose middle class thënë në stil amerikon, ka një familje dhe një pozitë në shoqëri, megjithatë ai është një njeri thellësisht i mërzitur, i velur nga çdo gjë, çdo gjë i duket bosh njësoj si sinjora Bertinit. Me një fjalë nuk di çfarë të bëjë në botë, është i humbur në këtë humbëtirë, dhe që t’i japë kuptim ekzistencës së tij pa kuptim, kur rastësisht bëhet dëshmitar pa dashje në vetëvrasjen e një gruaje, pëson një krizë ekzistenciale humbjeje identiteti dhe mer përsipër fajin sikur të ishte ai autor i një krimi, për më tepër krim i paqenë (në fakt ishte një vetvrasje). Me një fjalë mërzinë e shndërroi në fantazi, e për t’i dhënë një kuptim jetës së tij pa kuptim, ja nisi një loje cic-mic me policinë duke i dërguar letra anonime provokuese gazetave sikur të ishte vrasësi që tirrte lesh me përsiatje filozofike për krimin. Hajduti i krimit braktisi gruan me dy fëmijë dhe punën, e u sistemua me banim në basifondet e Parisit në shoqëri të dyshimta artistësh bohemë, duke u shtirur sikur të ishte me profesion artist, shkrimtar. Dhe në të vërtetë bënte shkrimtarin sepse letrat e botuara në gazetat kryesore të kryeqytetit ishin të gjitha sajesa artistike interesante që lexoheshin me pasion nga mileti i intriguar nga llomotitjet e tij. Dhe rolin e çoi deri në fund, shtirjen e bëri realitet: vrau një grua tjetër, një krim kot më kot, pa kuptim e pa pikë lidhje përveç faktit që kreu krimin pikërisht në vendin ku kishte qenë vetëm dëshmitar pa dashje i aktit të vetvrasjes së një gruaje që as nuk e njihte. Dmth nga kriminel i shtirur, u bë kriminel tamom, fantazinë e bëri realitet, identifikoi veprën e autorit me jetën e tij, ndryshe nga autorët snobë bythpamukë të sallonit të sinjorës “të tjera bën / e të tjera thua / që të më lozësh nga mëndtë mua”.

Në këtë rast llomotitësi nga nëntoka është heroi modern plus shenjtori modern: të gjitha momentet domethënëse të filmit shoqërohen me muzikë korale gregoriane mesjetare. I vetmuar në dhomë njollos me gjakun e vet (shpon duart dhe trupin me gërshërë) portretin identikid të policisë të botuar në gazeta duke vendosur përreth kokës njolla gjaku si kurorë e gjembave të Krishtit. Policia për ta shtirë në grackë, nën rekomandimin e psikiatërve kriminalistë, ndaloi gazetat të botonin letrat e tij, dhe ai nga anonim i famshëm, u gjend papritmas në situatën e anonimit tamom, nga anonim dikushi në anonim ashkushi, gjë që nuk e duroi dot dhe u dorëzua për të bërë përsëri lajm, e për të qënë përsëri në qëndër të vëmëndjes.

Ajka e filmit është fund i tij, një Jean-Louis Trintignant i lavdishëm që hem i ikën policisë i tmerruar, e hem i dorëzohet duke u tallur si palaço me xheste si të pamjeve të lajmeve televizive kur arrestohet një vrasës: duar me pranga të ngritura lart, policët që e fusin në makinë duke e shtyrë pas koke, fytyra mbas rrjetës prej teli që ndan kabinën nga karroceria e furgonit të burgut etj. Imazhet janë sekuenca fotosh gazetash dhe regjistrime të coptuara televisive të momentit të arrestimit, një përzjerje tragjizmi dhe komiciteti në formë parodie, dëshmi tjetër që tragjizmi dhe komiciteti, fama dhe anonimati janë faqe të së njëjtës medalje.


Il Ladro di Crimini

https://www.youtube.com/watch?v=aEsMs2hhHLY&t=218s


pjesën e mëparshme e gjeni këtu

1 Like

dhe dritë e diturisë, përpara do na shpjerë