Unë nuk them i keq, por asgjë nuk kam mundur të bëhem: as i keq, as i mirë, as mashtrues, as i ndershëm, as hero, as insekt. Dhe tani e çoj jetën në qoshen time me ngushëllimin malinj dhe pako gjë që një njeri inteligjent në të vërtetë nuk mund të bëhet asgjë, vetëm budallenjtë bëhen diçka - Shënime nga nëntoka
Shënime nga nëntoka i Dostojevskit është një roman jashtëzakonisht i rëndësishëm për të kuptuar shpirtin e epokës moderne ose mungesën e shpirtit të njeriu modern, dukjen e të cilit në horizont Dostojevski e shihte me llahtari dhe neveri. Kush nuk e ka lexuar këtë roman, kot e mban veten për të kohës e të lëçitur, sepse përbën dëshminë më të përsosur dhe më origjinale të patologjisë së njeriut bashkëkohor të zhytur në individualizëm radikal, në pamundësi për të shkuar përtej kufijve të vetvetes dhe të ngujuar në “Unë” për t’i shpëtuar mundimeve dhe kërcënimeve të jetës reale.
Jo rastësisht protagonisti i këtij romani është një person anonim pa emër (prandaj trajtuar këtu në temën Anonimati), i cili rrëfen në vetë të parë me monolog të pandërprerë ankthin e tij në mes rrezikut të botës që e rrethon. Ai vetë e pohon se rrëfimi i tij, në formën e një monologu ironik dhe sarkastik, nuk i drejtohet askënd tjetër përveç atij vetë:
Dhe përveç kësaj: për çfarë mund të flasë një person i hajrit me kënaqësinë më të madhe? Përgjigje: për vetveten. Atëherë do flas për veten time.
Tre veprat e para të Dostojevskit, në krahasim me çfarë vjen më pas janë të sipërfaqëshme, pra janë “shënime nga toka” që parapërgatisin Shënime nga nëntoka, e cila është vepra e parë vërtet dostojevskjane si zhytje në psikologji të thellësisë (nëntoka si metaforë e subkonshit). E gjithë vepra e vërtetë e Dostojevskit kushtëzohet nga romani në fjalë, ku parashikohen shumë tema të cilat ai më pas i trajton në romanet e tij grandiozë. Protagonisti anonim dhe llomotitjet e tij kriminale të llojit “përroi i ndërgjegjes” janë modeli i figurave të Raskolnikovit, Stavroginit, Ivan Karamazovit, Ragozinit, Smerdiakovit, të cilët jetojnë në të njëjtën gjëndje krimi si llomotitësi nga nëntoka dhe kryejnë vërtet krime (me përjashtim të Ivanit që ishte nxitës i një krimi, por njësoj vepër kriminale e dënuar nga ligji).
Raskolnikovi, protagonisti i Krimi dhe ndëshkimi të Dostojevskit kryen një krim krejt të justifikuar nga pikpamja racionale dhe ideologjike, për të cilin hetuesi i thotë që, megjithse ishte i sigurtë që Raskolnikovi është autor i krimit, ai nuk nuk ka fakte dhe nuk mund ta dënojë pa fakte, kështu ai është i lirë të shkojë ku të dojë, në burg nuk e fut dot njeri. Por, përsiat në vazhdim hetuesi, fajtori nuk mund të çlirojë ndërgjegjen e tij, nuk mund të jetë i lirë shpirtërisht pa rrëfyer fajin, me pasojë pa u ndëshkuar për fajin e bërë, pa paguar. Në fund Raskolnikovi ja dëgjon llafin policit, u rrëfye dhe u ndëshkua, ndryshe do të kish mbetur përgjithmonë mçef mbas ferrës si anonim i ndërgjegjes, i lirë fizikisht, por rob i vrasjes së ndërgjegjes, një anonim i pafytyrë në kuptimin më të thellë e të vërtetë të fjalës.
Nga sa më sipër, plus të tjera situata të skajme të protagonistëve famozë të tij të lartpërmëndur, Dostoevskij është gjëndja kufitare e krishterit të fundit, shenjë e Fundit të Kohëve, ku koha ndalet dhe teorikisht logjikisht matematikisht biblikisht të shfaqet Krishti ose Antikrishti, siç paralajmëruar në kapitullin e Apokalipsit. Praktikisht u shfaq i pari Antikrishti i mishëruar në personin e Stalinit në krye të sistemit komunist, i cili është paralajmëruar në letërsi nga Gorkij, dikur shkrimtar dhe person i glorifikuar, dhe për këtë arsye sot i nënvleftësuar dhe mënjanuar pa të drejtë sepse në historinë e providencës (negative dhe pozitive) statujat nuk hidhen dhe ngrihen sipas qefit dhe modës së epokave. Eshtë fakt i panjohur dhe i harruar, edhe në kohën e glorifikimit në sistemin komunist, që me paratë e Gorkit, të fituar nga shitja e librave të tij, mbahej në këmbë lëvizja komuniste në fillimet e saj. Pranë këtij fakti, ndodhet edhe fakti tjetër akoma më i rëndësishëm, por i pa vënë re meqë letrar - dava arti -, që përmbys kokë e këmbë situatën dostojevskjane dhe providenciale të krishterë. Protagonisti Pavel Nikolaevich i tregimit të shkurtër Karrocieri të Gorkit është një hero, ose më saktë një anti-hero, i cili nuk pendohet për krimin e tij. Protagonisti i Gorkit nuk ka brengë ndërgjegjeje, ai thotë: “Unë nuk jam Raskolnikovi (i Dostojevskit)”, “Unë nuk jam një idealist”, madje pështyn mbi varrin e të vrarit për të treguar me arrogancë që është i lirë nga vrasja e ndërgjegjes edhe pse ka vrarë dhe është vrasës. Ky tregim dhe kjo situatë e protagonistit karrocjer, është kumti i vërtetë i ardhjes së Revolucionit; poema në prozë “Sgalemi” e Gorkit është kumt romantik, e prandaj më i njohur dhe i pranuar zyrtarisht si simbol i revolucionit të Tetorit.
Por shkrimtar më i modh se Dostojevskij dhe Gorkij do të ishte Stalini që thoshte: “Zhduket personi, zhduket problemi”, madje edhe e praktikoi estetikisht letrarisht si performancë artisti modern; i ndjekur nga shkrimtari Trockij që thoshte pothuajse të njëjtën gjë në stil më të sofistikuar: “Nëse bota tjetër ekziston, atëherë ne gjithçka e kemi gabim”. Ndonjëherë ka lidhje midis të thënës dhe të bërës: Troskij edhe e praktikoi të thënë e tij në mënyrë më të sofistikuar se Stalini, prandaj pati dhe ka më sukses në intelektualë perëndimorë.
pjesën e mëparshme e gjeni këtu