Anonimati - pjesa e shtatë (nëntoka dhe inkonshi)

kafka-et-freud

(Dostojevskij) … i vetmi psikolog prej të cilit do të kishja gjë për të mësuar - Niçe

Që prej Frojdit e tëhu termi inkonshi ose subkonshi është në rend të ditës; përdoret sot e gjithë ditën, vazhdimisht dhe kudo, në diskurset kulturore dhe muhabetet e përditëshme. Edhe vetë e përdor këtë term sapo paraqitet rasti, megjithse gjithnjë e kam pasur dhe vazhdoj ta kem problem pasigurinë e mosditjes se çfarë është inkonshi tamam, ku ndodhet, nga çfarë materiali përbëhet, si vepron etj. Dhe përgjigjet që marr kur pyes ose kur lexoj më duken mjaft evazive, më duket se tek ekzistenca e inkonshit më tepër duhet besuar se logjikuar dhe verifikuar eksperimentalisht; pak a shumë si dikur ndodhte me ekzistencën e botës tjetër: arsyeto e arsyeto, po në fund fare po deshe beso, e po deshe mos beso mër jau! Por ka shumë mundësi që ngjashmëria inkonshit me botën e përtejme të mos jetë thjeshtë dukje, duke konsideruar që modernja është shndërrim gradual i religjiozitetit në laicizëm: nga i Afërmi tek Tjetri, nga “duaje të Afërmin tënd” tek “respektoje Tjetrin”, nga falu çdo mëngjez tek lexo gazetën çdo mëngjez, nga mbaj kreshmë tek mbaj dietë, nga çdo të djelë në meshë tek çdo të djelë në stadium, nga shprehja “është e shkruar në Bibël” tek shprehja “kjo është shkencore”, nga kolera e tifozërisë fetare tek zgjebja e tifozërisë politike etj, çdo element i jetës së sotme laike ka një preçedent në jetën e dikurshme fetare. Në fakt jo rastësisht këmbëngulja e psikoanalizës për të qenë shkencë (dhe reaksioni i kundështarëve që e quajnë me tallje letërsi, përfshirë edhe Kadare), plus divani i psikoanalistit që ka zëvëndësuar rrëfenjëtoren e priftit, e për më tepër “mëkati origjinal” i krishterë është zëvëndësuar nga “ndjenja e fajit” frojdist, përdorur si term ngado - në diskurse elitare dhe në përditshmëri - dhe shumë më tepër se termi “inkonshi”.

Pra “ku jemi? aty ku ishim”; religjiozja e përzënë nga dera hyn me rrapëllimë nga penxherja, dhe ç’është më e keqja në formë të degraduar si laike. Pikërisht kjo e fundit (degradimi) më shqetson me të vërtetë, jo pamundësia për të vërtetuar shkencërisht ekzistencën e inkonshit (po njësoj edhe të botës tjetër), sepse edhe në shkencë, sidomos në mikrobotë (mekanikë kuantike) dhe makrobotë (astrofizikë, psh Big Bangu) operohet në bazë të pasojave, dmth një gjë ekziston nëse ekzistojnë pasojat e saj - nuk ka kuptim të flitet për evidencë dhe eksperiment shkencor për Big Bangun. Për analogji, inkonshi ekziston shkencërisht nëse ekzistojnë pasojat e tij (njësoj edhe për ekzistencën e botës tjetër, ose për ekzistencën e Zotit: Krijusi ekziston nëse ekziston Krijimi).

Çfarë është vërtet shqetsuese tek muhabetet rreth inkonshit, brënda në thes edhe vete Frojdi, është konceptimi i inkonshit si entitet që nuk kontrollohet dot prej njeriut. Sipas Frojdit, dhe pothuaj gjithë prodhuesve të mallit kulturor modern, dëshirat, veprimet dhe sjellja e një personi lindin nga pulsione të fshehta iracionale që ai nuk njeh dhe është krejt i pavetëdijshëm për to; njeriu është krejtësisht i kushtëzuar nga inkonshi, dominohet prej inkonshit, ose “pandërgjegjes” - e përkthyer del më mirë kuptimi. Pra në plan të fundit njeriu është i pandërgjegjshëm për veprimet e tij, me pasojë që nuk duhet të paguajë për gabimet dhe fajet e tij, dhe çështë më e rëndësishm njeriu nuk është i lirë, komandohet nga një entitet i errët, i mbrapshtë dhe i panjohur që ndodhet përbrenda rropullive të tij. Pra libero arbitrio na lë shëndenë.

Për Dostojevskin, i cili konsiderohet rëndom pararendësi i teorisë frojdiste të pavetëdijshmes (Frojdi i ka kushtuar një ese lidhur me Vëllezërit Karamazof, krimi i atvrasjes, Kompleksi i Edipit etj), nuk është kështu, ose më saktë nuk është tamam kështu sepse “nëntoka” e Dostojevskit nuk është “inkonshi” i Frojdit. Sipas Dostojevskit “nëntoka” e çdo individi është skena e një lufte midis së mirës dhe së keqes brënda shpirtit të çdonjerit; personi, në çdo kohë dhe gjeografi, është i ftuar të zgjedhë lirisht nëse duhet të veprojë sipas së mirës apo të keqes. Dmth Dostojevskij pohonte libero arbitrio, me pasojë për efekt domino përgjegjsinë e personit, pagesën e fajit dhe çlirimin që pason. Shkurt muhabeti Dostojevskij pranon mundësinë e shëlbimit, ndërsa Frojdi jo, ai kishte një vizion pesimist për botën. Në bazë të vizionit frojdist qëndron një konceptim imanentist që ka të bëjë me situatën reale (Frojdit “kaq i dilte” ekuacioni nga analiza e pacienteve të tij), ndërsa Dostoevskij kishte një konceptim transhendental meqë besimtar.

Inkonshi ose pavetëdija e Frojdit është diçka që i shpëton kontrollit njerzor, nuk kuptohet drejtpërdrejt, pra njeriu në plan të fundit rezulton anonim. Në nëntokën e Dostojevskit, përkundrazi, secili është plotësisht i vetëdijshëm, çdonjeri e njeh shumë mirë poshtërsinë e shpirtit tij njësoj si llomotitësi i Shënime nga nëntoka, i cili është krejt i vetëdijshëm për çfarë bën; diskursi i tij, megjithse haluçinant, vezullon sikur të ishte vetë e vërteta. Në llomotitjen frojdiste, të dy konceptet: inkonshi anonim dhe nëntoka identifikuese, ngatërrohen keq, sepse jo të gjithë kanë guximin të përballen fytyrëhapur me të pabërat e tyre, nuk kanë forcë të pranojnë se mund të jenë kaq tepër të poshtër dhe perversë. Për këtë arsye gërmimi i Dostojevskit rezulton superior ndaj gërmimit psikoanalitik frojdist që gjen gjithnjë coftirën e njeriut të rënë: “gërmo Tare gërmo, qenin e ngordhur (anonimin) do gjesh!”. Frojdi kërkon të justifikojë, Dostojevski të vetëpërgjegjsojë. Po njësoj duke ndjek të njëjtën vijë logjike: ateizmi kërkon të justifikojë, teizmi kërkon të përgjegjsojë.

Fakti i pranuar gjërësisht që Dostojevskij me vizion teist është prekursor i psikoanalizës që ka vizion ateist, përbën ridëshmi të dyfishtë të vlerës së pionierit që hap udhën për të tjerët (prandaj pioneret detyrimisht duhen lexuar); në çdo zbulim apo zbulesë pa përjashtim në çdo fushë të kulturës: Qielli paraprin Ferrin, Identiteti paraprin Anonimatin.

Nuk ka të re në botë që në fillim nuk është shfaqur për të mirë, e vetëm më pas është përdorur e degraduar për të keq.

pjesën e mëparshme e gjeni këtu

2 Likes

Sa më poshte del qartë qe Frojdi, qe “Vellezerit Karamazov” e quante romanin me te modh n’bote, e ka vjedh Kompleksin e Edipit prej Dostojevskit

Ivan Karamazovi i thotë gjykatësit:

“Ai e vrau, dhe unë e nxita … Kush nuk e dëshiron vdekjen e babait të tij?"

Pastaj, i provokuar nga kryetari i gjykatës, i cili i thotë se nuk e ka kokën në terezi me këto që po thotë, Ivani i hidhet kundër dhe kundër publikut në sallë të gjykatës:

«Sigurisht që është në terezi … nuk është një kokë e pamend si e jotja, e as si e të gjithë këtyre turijëve të shëmtuar! […] Një baba u vra dhe ata bëjnë sikur janë të tronditur […] Luajnë pjesën me njëri-tjetrin. Hipokritë! Të gjithë dëshirojnë vdekjen e babait të tyre. Një gjarpër gllabëron tjetrin … Nëse këtu nuk do të kishte një atvrasje, ata do të indinjoheshin dhe do të largoheshin të pakënaqur … Çfarë pamje! Panem et circenses! (Bukë dhe cirk!) Së fundi, nuk jam ndryshe as unë!"

… një herë, kur e pyetën (Fedor Pavloviç Karamazovin) pse urrente filanin, ai u përgjigj me paturpësinë e zakonshme: “Ja përse: ai nuk më ka bërë asgjë, por unë njëherë i kam bërë një poshtërsi të padenjë, dhe prandaj e urrej

(kjo eshte arsyeja pse une urrej peshqit)

-Kur hyj në një mejdan, gjithmonë më duket vetja se jam më pak se të tjerët, më duket se më marrin për budalla; pikërisht për këtë arsye luaj rolin e budallait, sepse e di që të gjithë ju, deri më i fundit, jeni më budallenj dhe më të përçmuar se unë!
(Fedor Pavlovic Karamazov)

kjo eshte gjendja shpirterore e peshqeve, mekanizmi psikologjik qe krijon komentet ne Peshk :grinning: :grinning: :grinning:

ajo qi ish ktu ka shku atje

1 Like