Nëse Zoti nuk ekziston, atëherë gjithçka është e lejuar - Ivan Karamazov
Jam një fëmijë i shekullit tim, një fëmijë i mosbesimit dhe dyshimit … por arrij të them se nëse dikush do të më provonte se Krishti është jashtë së vërtetës dhe nëse do të ishte me fakte jasht çdo dyshimi që e vërteta nuk është me Krishtin, e pra unë do të preferoja të qëndroja me Krishtin sesa me të vërtetën - Dostojevskij, letër drejtuar A N.D. Fonvizina
Kur më pyesin: “cili është artisti më i modh në historinë e botës?”, përgjigjem se pyetja nuk është në terezi bashkë me pyetësin, sepse në botë ka shumë artistë të mdhenj si psh Homeri, Dante, Shekspiri, Xhojsi, Prusti, dhe unë jam aq i madh vetë sa të mos i rendis në listë artistët (dhe këdoqoftë tjetër) sipas kriterit të madhështisë antologjike, por në bazë të kriterit të mirnjohjes. Dhe në bazë të kriterit të mirnjohjes, artisti më i modh në botë është Fjodor Dostojevskij. Në mënyrë fatale mekanike pason vërejtja se kjo është subjektive, e po aq fatale mekanike pason edhe përgjigja: “Por unë subjekt jam, nuk jam dekani i Fakultetit të Letërsisë apo kryetari i Akademisë së Arteve, dëshmoj në bazë të përvojës subjektive, i jam mirnjohës atij që më ka dhënë”.
Vërdallë në botë gjen shumë fansa të Dostojevskit që i janë mirnjohës për ç’ka i ka dhënë, madje ka prej tyre që thonë se i ka ndryshuar jetën (gjë e konsideruar me rezervë), por në rastin tim, për vetë kushtet shqiptare atëbotë, është pak më ndryshe lloji i mirnjohjes. Në listën e librave të ndaluar që qarkullonin samzdat dorë më dorë atëbotë, nuk figuronin Bibla dhe Kurani, sepse frika ishte tepër e madhe për të mbajtur një libër të shenjtë në shtëpi. Vetëm ideja e pasjes së një shkrimi të shenjtë në shtëpi përbënte një tmerr të padurueshëm. Biblën ma kanë zënë sytë për herë të parë në vitin 85-së, dmth mbasi vdiq Enveri kur tmerri absurd u mpak disi. Ndërsa për fat të mirë Dostojevskij, meqë romancier, gjëndej, gjithnjë me rrezik dhe tepër rrallë si autor reaksionar i ndaluar, por prapë gjendej në qarkullim (në përgjithsi mbeturina nga kohë e Musolinit). Disi më kollaj gjendeshin ekzistencialistët francezë (botime moderne, edhe si sasi ishin më tepër, rezultat i lidhjeve kulturore të kohës me Francën, futur kontrabandë nga studentë dhe specializime jashtë shtetit), të cilët për ironi ishin ateistë më tepër se shok Enver; ateizmi ishte arsyeja pse gjendeshin më kollaj, nuk ishin dhe aq të frikshëm për pushtetin. Pra e vetmja mundësi atëbotë për të njohur të shenjtën mbetej Dostojevskij, i cili Providencën, Krishtin, figurën e shenjtorit, mëkatarit etj, i kishte si bukë e djathë; Ivan Bunin, çmim Nobël 1933, thoshte për Dostojevskin që “e përdor Jezuin si majdanoz”, në kuptimin që e fut kudo vend e pa vend. Dostojevskij deri dhe ateistin e quante mosekzistues, përveç si një teist përsëmbrapi, një besimtar pa zot, një idolatër i shkencës ose i politikës,i transformimit vetëm shoqëror dhe material. Pra prej Dostojevskit e kam marrë edhe unë huqin e majdanozit providencial kudo në çdo pjatë.
Tingëllon qesharake të njohësh fenë nëpërmjet një romancieri, por ç’të bësh, kjo ishte e vetmja mënyrë për të njohur të shenjtën në kushtet e atëhershme. Për këtë i jam mirnjohës Dostojevskit në radhë të parë, dhe i jam mirënjohës edhe në radhë të dytë pikërisht për çfarë e përçmon Bunin (dhe Kundera e nobelisti Nabokov - të cilin do ta trajtoj më në hollësi në shkrimin e ardhshëm), më ka dëshmuar që letërsia e vërtetë duhet t’i ketë si bukë e djathë çështjet providenciale, edhe kur nuk e përmend dhe e ha gjellën pa majdanoz si Bunini, si Nabokovi, si Sartëri (quajtur nga nobelisti Nabokov një kopiac i shëmtuar i Dostojevskit), si Kamyja (që e mbante Dostojevskin në krye të vëndit). Huqi i majdanozit providencial vihet re edhe në letërsinë shqiptare: Naimi, Fishta, Mjeda, Noli, Migjeni (fans i Dostojevskit), Koliqi, Kuteli; deri edhe Kadareja, Dritëroi dhe Arapi nuk do t’ju dëgjohej zëri si shkrimtarë t’mdhenj nëse nuk do të ishin infektuar në Moskë nga huqi i providencializmës ruse, i pranishëm si mbeturinë toksike radioaktive në letërsinë e realizmit socialist. Të gjithë ekzistencialistët evropianë, brënda në thes edhe ekzistencialistët ateistë, i detyrohen shumë Dostojevskit, sepse ai, si ateist i konvertuar në besimtar, njihte mirë si besimin ashtu edhe mosbesimin (“Jam një fëmijë i shekullit tim, një fëmijë i mosbesimit dhe dyshimit”), kjo e bën atë tragjik klasik, dhe trazues të çdo lloj shpirti lexuesi. Prej Dostojevskit kam mësuar që letërsia e madhe ka raport të detyrueshëm me Providencën, pavarsisht se e pohon ose e mohon, shëmbulli më banal është arti klasik helen, tragjikët grekë. Tolstoi është faqja tjetër e medaljes, sepse të njëjtin majdanoz hedh në gjellë, por të maskuar mbas problemit shoqëror; e kjo ishte arsyeja përse Tolstoi ishte i parë me sy të mirë nga komunistët - ta do mendja i çensuruar në pjesët e tij të rrezikshme me majdanoz fundamentalist të krishterë -, ndëkohë që Dostojevskij ndalohej, u ribotua vetëm mbas vdekjes së Stalinit (politika botuese shqiptare ishte kopje e zbërdhylët e politikës botuese sovjetike). Në emër të këtij majdanozi Tolstoi nga fundi i jetës mohoi veprën e tij letrare si gjellë e njelmët shoqërore, pikë për pikë si Gogoli, i cili, jo vetëm e mohoi tërë veprën e tij, por arriti të djegë pjesën e dytë të “Shpirtëra të Humbur”.
E gjithë letërsia ruse është një përzjerje e pandashme e problemit shoqëror me problemin providencial, prandaj është një letërsi e madhe dhe profetike për një vënd të madh si Rusia, si parandjenjë e një fati të veçantë në planet e Providencës për shpëtimin e botës. Po për të njëjtën arsye madhështia e letërisë amerikane dhe madhështia providenciale e Amerikës (faqja tjetër e medaljes), dhe shpirtvogëlsia e Evropës dhe ngushtia e letërsisë së saj ekzistencialiste pa hapsira e ngjeshur midis dy shpirtgjërësive të mëdhenj që përgatiteshin të merrnin fatet e planetit në dorë për të ndryshuar situatën shoqërore dhe situatën providenciale si unifikim planetar (pavarsisht se rezultoi një dështim i bujshëm nga të dy palët). Me këtë lloj vizioni është e lehtë të orientohesh në kullën babelike të letërsisë, e për këtë arsye i jam mirnjohës Dostojevskit dhe letërsisë së madhe ruse. Letërsia ruse duke qenë me strukturë piramidale, dmth me përfaqsues kryesorë që i lënë stafetën njëri tjetrit në kohë, bën akoma më të lehtë orientimin: ajo zanafillon me Pushkinin që i lë stafetën Gogolit - “ne të gjithë kemi dalë nga (tregimi) Manteli i Gogolit”, thotë Dostojevskij -, e më pas Dostojevskit dhe Tolstoit, në mes të cilëve qëndron si ekuilibrist Turgenievi, e të tjera figura llaç e tulla si material mbushës i strukturës piramidale. Letërsia amerikane ka strukturë më demokratike (reflektim i strukturës së saj shoqërore), piramidë pa majë ose me disa maja; ndërsa letërsia evropiane është çorap fare, si vetë Evropa e Bashkuar, as mish e as peshk bashkuar.
Një kolege e Dostojevskit, me të cilën punonin bashkë në redaksinë e “Grazdanin” në 1893, dëshmon:
Ai i dha një të goditur tryezës me dorë që më bëri të kërcej, dhe bërtiti me një zë të lartë si një muezin në minare: “Antikrishti po vjen! Po vjen! Dhe fundi i botës është afër, shumë më afër sesa mendoni!”
Anekdota shërben si ilustrim për të dëshmuar tensionin stërmadh të shpirtii eskatologjik në ortodoksinë ruse; njëkohësisht është dëshmi e tensionit eskatologjik të Dostojevskit, i cili përjetonte në përditshmëri ankthin që Fundi i Botës ose Fund i Kohëve (ose në një version laik “Fundi i Historisë”) është pranë. Ky ankth ekzistencial reflektohet për bukuri në veprën e tij, dhe lexuesit ndjejnë dhe gjejnë diçka të çuditshme dhe tepër shqetësuese në të, megjithse jo si një përvojë personale, sepse sot ka ndryshuar konteksti (ani pse problemet janë përkeqësuar, dhe për më tepër përforcuar nga indiferenca). Dostojevskij, megjithse nuk është më i kohës, vazhdon të ngacmojë bashkëkohësinë, interesi për të është gjithnjë në rritje, hesapi providencial dhe social nuk është mbyllur akoma, megjith dështimin e pritjes dhe situatës të sotme postmoderne tërhiqe mos e këput, ku përditshmëria ka tretur pritshmërinë.
shkrimi ka lidhje organike me këtë shkrim të kaluar dhe tërë shkrimet e mëparshëm të serisë së Anonimatit