U drejtova për në Saint-Denis. Më futën në njërën prej paradhomave të mbretit, nuk gjeta njeri; u ula në një qoshe dhe prita. Papritur, u hap një derë. Në heshtje hyri vesi, krah për krah me krimin, Monsieur de Talleyrand ecte krah më krah me monsieur Fouche. Ky vizion infernal kaloi ngadalë para meje, hyri në studjon e mbretit dhe u zhduk. Fouche vinte për t’i dhënë besën dhe bërë homazhe zotit të tij; mbretvrasësi besnik, i rënë në gjunjë, vuri duart e tij, të cilat bënë të pritej koka e Luigjit XVI, në duart e vëllait të mbretit martir; peshkopi femohues u bë dorëzani i betimit.
më 7 korrik 1815, rreth orës njëmbëdhjetë të mbrëmjes
(Kujtime nga përtejvarri, François-Rene de Chateaubriand)
Ndodh që një shprehje e degjuar rastësisht në rrugë, në bisedë me miq, lexuar në një shkrim çfardo (jo me domosdo me rëndësi madhore), ose në social, etj, mund të jetë iluminuese për të ndriçuar çështje themelore deri atëherë dukur të ndërlikuara, të cilat, hedhur shtat në errësirë për vite, presin çastin të ndriçohen e qartësohen.
Çfarë pikërisht më ndodhi me filmin amerikan Me gjakftohtësi (regjia Richard Brooks, 1967, trajtim filmor i një prej librave më të famshëm të Truman Capote), i cili rrëfen një krim të përbindëshëm (zhdukja e një familje të tëre me gjithë fëmijë) të kryer nga dy të rinj të çartur pa ndonjë arsye të dukëshme ose të kuptueshme. Filmi, si dhe libri, trajton një ngjarje të vërtetë që pati bërë shumë bujë në Amerikën e kohës.
Shprehja iluminuese ishte e një gazetari apo kriminologu (nuk më kujtohet mirë), që, i pezmatuar dhe i shqetësuar se nuk dinte si ta shpjegonte krimin, thoshte pak a shumë për dy të rinjtë:
Çdonjeri nga këta të dy është një copë budallë, tek e tek nuk do ta bënin dot kurrë këtë krim, të cilin mund ta bënin vetëm bashkë, siç në fakt e bënë.
Ky është mekanizmi i vërtetë i BERJES së gjërave, në fakt bëhet gjithnjë në çift, dhe jo si rëndom kujtohet ose siç duket në pamje të parë, që çdonjëri bën sipas kokës së vet. Në fakt çdonjëri parë tek e tek, është një copë budallë i pazoti të bëjë gjë, qoftë edhe më i zgjuari i kombit ose i lagjes, ose i katundit. Tani që po shkruaj më kujtohet që të njëjtën gjë si në film - vetëm se me simpati - thoshte një aristokrat në librin e Servantes i zbavitur nga dopio marrëzitë e çiftit Kishot dhe Sanco. I Holli me të Trashin gjithashtu. Don Camillo e don Peppone të Guareschi-t. Shembujt janë pa fund në letërsi, por çifti më i përkryer dhe “bërja” më përkryer që paraqet letërsia është Maçoku dhe Dhelpra kur mashtrojnë Pinokun në çift bashkë. Edhe kur letërsia “individualizohet” me romanin psikologjik modern, figura e dublantit (sozia) e llojit doktor Jekyll dhe zotni Hyde bëhet konstante e rëndomtë e krijimit artistik. Sigurisht edhe e krimit artistik.
Që prej atij çasti iluminues (për vazhdimin e filmit më humbi interesi), shëmbujt më të përkryer se të letërsisë i shoh në realitet rreth e përqark meje: individë copa budallenjsh që nuk janë në gjëndje të bëjnë asgjë, bëjnë, për mirë e për keq qoftë, të lidhur bashkë në çifte, dmth “të martuar” midis tyre, njëri “burri” e tjetri “gruaja”.