Cilën vetmi? pjesa e dytë (vetmia e melejezyshës)

vijootoño


jo këtë vetmi time të molepsur nga fantazmat,

por atë të vërtetën,

të bërë me heshtjen dhe

dridhjen e pemëve.

(Kamy, Kaligula)

Me qëllim eksperimentimi kam propozuar disa herë në mjedise të ndryshme, jo vetëm intelektuale, vjershën e sajuar nga një monolog i Kaligula të Kamysë - paraqitur në shkrimin e mëparshëm - nga ku është shkëputur citimi më sipër. Në çdo rast vjersha është pëlqyer tejet mase. Pëlqimi si koncept në përgjithsi konsiderohet rëndom se ka disa arsye, por sipas melezyshës ka një arsye kryesore objektive sepse ka një kuptim kryesor objektiv, rreth të cilit përhapen me valë rrethore kuptime më pak kryesorë, deri sa valët humbin në infinit kuptime në horizont. Vepra artistike, që të ekzistojë, strukturohet si një organizëm apo qenie e gjallë. Beteja e intelektualeve t’mdhenj disidentë kundër melezyshes të qortuar se nuk ekziston një kuptimi kryesor, sepse çdo kuptim i mundshëm subjektiv është kryesor (mënjanë ideja e modhe që kjo botë nuk ka asnjë kuptim, madje nuk duhet të ketë sepse rrezikohet tirania e Njëshkuptimit ose monistkuptimit). Problemi është se në këtë mënyre intelektualët e mdhej zhvillojnë kundër njëri tjetrit, përveç kundër melezyshës, një betejë që e asgjëson kuptimin si koncept, sepse ku ka sherr, s’ka si të ketë kuptim. Vetëm sherri është pa kuptim në botë, nëse mund të quhet kuptim lezeti i sherrit luksoz të bërë për shkaqe artistike dhe kulturore.

Sipas melezyshës ideja ose kuptimi kryesor shfaqet në vargjet e fundit të vjershës të cituara në krye të shkrimit, si kundërvënie e dlirësisë pa faj të natyrës (ideja e ekologjisë), ndaj kriminalitetit dhe flligështisë njerzore të përshkruar në pjesën tjetër të vjershës. Nëpërmjet figurës së Perandorit Romak Kaligula, personifikimi i tiranit si e keqja absolute që mishëron Satanin dora vetë, dëshmohet shpirti i njeriut të rënë në stadin më të ulët infernal të mundur (të keqen dhe thyerjen e rregullit dhe ligjit Kaligula e bënte për puro luks, e jo në funksion të një ideologjie si Hitleri e Stalini). Fatmirsisht njeriu i rënë në ves dhe krim (në rastin e shqyrtuar përfaqsuar nga tirani absurd Kaligula), sidoqoftë e ruan kujtimin e dlirësisë origjinale, ndryshe nuk do të ishte në gjëndje as të dallonte midis dy llojeve të vetmisë të dëshmuar prej termave në inglisht: loneliness dhe solitude, të dyja vetmi, por nëse e para tregon vetminë e pësuar, ku bashkë të tjerët humbet edhe vetja, e dyta përkundrazi, është vetmia e kërkuar me qëllim që të rigjehet vetja e përhumbur në mes poteres së turmës njerzore (shih komentet në shkrimin e mëparëshëm, ka boll material gjuhësor dhe etimologjik, e jo vetëm). Me fjalë të tjera, nëse ekziston mundësia e rigjetjes dhe për pasojë e rikujtimit, ekziston edhe mundësia e restaurimit, dhe së fundi edhe e shëlbimit, dmth gjallon akoma shpresa e madhe që flakët e ferrit nuk janë të përjetshme. Kamyja fut në pilaf Kaligulën si person mitik që përfaqsun tiranin absolut (në fakt Kaligula historik është pak më ndryshe nga mitiku, ka do kohë që i është bërë revizionimi dhe reabilitimi), si rast më i skajshëm që i përfshin të gjithë rastet e tjera të ngjashme në historinë njerzore. Në fakt Kamyja e ka marrë hua këtë lloj metode nga Dostojevskij, i cili trajton polet dialektikë të çdo materiali shpirtëror problematik në të njëjtën mënyrë si shkencëtarët trajtojnë materien në laborator duke e ambjentuar në pozicione të skajshme. Psh materia nxehet në 6000° celsius ose ftohet në minus 273° celcius në laborator për të hetuar se si sillet në këto kushte të skajme, për të kuptuar natyrën e saj të manifestuar në situata kufitare më qartë se në situata mesatare ose reale. Një pjesë tjetër teatrale e Kamysë, me titull Të drejtët, trajton aventurat e një grupi anarkistësh rusë që i bëjnë atentat carit (histori e vërtetë), pra hetohet materia shpirtërore në kushte kufitare të gjëndjes “terrorist” ose “atentator”. Vepra Kaligula dhe Të drejtët janë komplementare që trajtojnë temën e revoltës anarkike në dy pozionet me të skajme, përkatësisht të anarkut perandor dhe anarkistit askush, të cilët dëshirojnë njësoj lirinë absolute pa kushte. Përfundimi dihet dhe është logjik: liria është absolute aty ku vetmia është absolute, dmth aty ku ekstremet përputhen dhe të drejtët bëhen të shtremët në infinit njësoj si ndodh me drejtëzat paralele në gjeometrinë jo-euklidiane.

Dy vargjet e fundit të cituara në krye të shkrimit nga diskursi i Kaligulës, çlirirojnë spektatorin nga vetmia e llojit loneliness të populluar nga fantazma vesi dhe krimi, sepse rikujtojnë, nëpërmjet vetmisë solitude të natyrës së dlirë, natyrën origjinale të njeriut, dlirësinë e humbur në Zanafillë të historisë. Natyra na ngushëllon me shpresën e rikuperimit të dlirësisë nëpërmjet rikujtimit dhe më pas restaurimit të gjëndjes origjinale paraZanafillore, dhe njëkohësisht akuzon. Duhet me thënë saktë: vetakuzohemi, sidomos në kohët moderne, ku vetmia e natyrës është bërë jo vetëm “… me heshtjen dhe dridhjen e pemëve”, por edhe me peisazhin e ndotur postindustrial: koperton makine prodhuar nga NISH Goma Durrës hedhur në mes plehërave toksike të NISH Kimikes. Gjëja më absurde që më ka rënë rasti të shoh, ka qenë një natyrë e qetë e sajuar nga një palë shapka gome dhe një top futbolli të hedhura mes barit e drizave në një rrafshnaltë mali të Alpeve evropiane; këmbë njeriu vërdallë. Sapo e kisha bërë sefte të dalurën jashtë shtetit, dhe prandaj peisazhi malor i plastifikuar më bëri jashtëzakonisht përshtypje; si sot e mbaj mend, atëkohë nuk e prisja kurrë një ndotje ambjenti të tillë në malin Malin Magjik të Tomas Manit. Një zot e di se çfarë bënin aty shapkat dhe topi i futbollit 1500 metra mbi nivelin e detit në mes një peisazhi malor kartolinë zviceran; nuk shpjegohej ndryshte të ishte: ose instalacion artistik, ose dëshmi për ekzistencën e UFO-ve që i kishin lënë aty kur ishin ngjitur në qiell.

Kjo dyvlerësi (ambivalencë) ngushëllim-vetakuzim e bën tronditës fundin e poezisë në fjalë, duke kurorëzuar suksesin e garantuar të diskursit të Kaligulës. Nëse nuk besoni, provoni vetë duke ja dhënë njerzve që njihni, efekti është i sigurtë dor me një.

Ambivalenca ngushëllim-vetakuzim e artit nuk është vlerë në vetvete siç kujtohet rëndom dhe propogandohet nga artistët e mdhenj, arti ka diçka më tepër se kaq, sepse ka vlerë providenciale më tepër se feja, në kuptimin që nxit për të tejkaluar dhe asgjësuar të keqen, në këtë rast vetminë e çfardo lloji qoftë, e llojit loneliness apo solitude, me pasojë vetakuzën, vuajtjen etj. Natyra është e vetmuar sepse është e braktisur nga njeriu, dhe njeriu ndjen vetminë dhe indiferencën e saj, sepse braktisja e natyrës nga njeriu (pasojë e drjtpërdrejtë e rënies) automatikisht implikon vetminë dhe indiferencën e vetë njeriut si goditje bumerang. Në gjysmën e dytë të shek. XIX, në fillesat e epokës së industralizimit agresiv, filloi të kthehet pllaka: nga adhurim i natyrës, perceptimi i saj si indiferente, madje edhe si mizore, prej shumë emrash të famshëm (Wilde, Whistler, Huysmans). Kjo lloj ndjeshmërie është tamam rasti që çfar ndjen vetë, ja ngjesh tjetrit, dukuria e “projektimit” në psikologji. Vlera dhe funksioni i artit është të ndërgjegjsojë për vetminë e Natyrës (Krijimit) si mbrapështi në çfardolloj rasti vetmie qoftë, e llojit malinj loneliness, apo e llojit beninj solitude. Mbas ndërgjegjsimit, natyrshëm çfardolloj vetmie, fillon e asgjësohet duke restauruar automatikisht ndërlidhjen origjinale me natyrën. Sigurisht bëhet fjalë për Krijimin në përgjithsi, peisazhi me pemë dhe gjethe të drithëruara që shihen nga dritarja e Kaligulës apo Nënë Terezës është simbol i Krijimin mbarë.


pjesën e mëparshme e gjeni këtu

3 Likes

"Gjithcka dua eshte nje stol qe te pres… pa qellim… pa pritje te vertet… thjesht te pres… sepse universi qe un do krijoj gjate kohes se pritjes do jete shume here me I bukur se sa universi real qe une jetoj cdo dite… "

I vetmuar un po pres nje kalimtar qe te mos kaloje indiferent, por te trazoje vetmine time te qete me pyetjen:

-O vetmitar qe thjeshte po pret, çfare te komplikuar pret?

-Pres nje kalimtar qe thjeshte kalon, dhe, i komplikuar nga thjeshtesia e pritjes, t’më pyesë: “çfar po pret!”, e un t’i pergjigjem thjeshte: “Prit gomar, te mbije bar!” :slightly_smiling_face:

Liria është absolute aty ku vetmia është absolute.
Vetëm se kur ke nevojë të spostosh një dollap që duhet 2 vetë të përveshin mëngët, ose të thërrasës në telefon karabinierët kur hajduti të ka vjedhur shtëpinë, e kupton se je rob relativisht lirisë absolute.

Dhe Perëndia bekoi ditën e shtatë (te djelen) dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë Perëndia u çlodh nga gjithë vepra që kishte krijuar dhe kryer - Zanafilla 2:3


-Tring, tring - tingëlloi zilja e shtëpisë sot në orë 10 fiks të mëngjezit, ora e Meshës kryesore katolike të së djelës.
-Kush është?
-Amazon!