Duhet të luftojmë kundër konceptit të gabuar ç’na duhet shkolla - Enver Hoxha
Është për tu habit se për një gjë kaq të rëndësishme si shkolla, shtuar mbi samar që për tu shkolluar deri sa të arrish në universitet kërkon 1/3 e jetës aktive deri në pensionim, as vetë të diplomuarit nuk dinë qëllimin e vërtetë të shkollës, dmth përse janë rropatur 20 vjet me rradhë duke qorruar sytë mbi libra. Dinë mirë vetëm qëllimet e dorës dytë: për të fituar kulturë, për tu bërë intelektual i modh, për të qenë dikushi në shoqëri, fundja edhe për të pasur një rrogë të mirë ose një vënd pëllumbash në administratë. Ose edhe për “të mos shku ushtar”, motivi i dikurshëm për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak të detyruar, gjë që vetëm universitari dhe rakitiku mund ta bënte atëbotë.
Pak konsiderojnë si qëllim kryesor të shkollës: të krijojë qytetarë. Por fundja edhe ky nuk është qëllimi kryesor i shkollimit, në mos qoftë i gabuar sepse na le qytetarët batall pa fruta e zarzavate. E kush do t’i hedhë pleh organik tokës kur shkolla do t’i bëjë të gjithë qytetarë?
Por nuk është punë të dituri, si gjithmonë është punë mos dëshire për të ditur të vërtetën sepse i hap telashe kresë. Nuk leverdis dituria që vlerëson edhe injorancën e përunjur, dituri që i mungon krejt të shkolluarve për shkak të një arrogancë profesionale, sepse helbete të diturit qytetarë janë elitë superiore mbi të paditurit katunarë. Qenia e elitës implikon qenien e një shtresë injorantësh, siç implikon maja e piramidës bazën e saj, dhe për pasojë edhe një konflikt midis të lartës dhe të ultës, midis të diturve dhe të paditurve. Ky konflikt e mbaj mend mirë ka qenë konsideruar diku aty nga vitet 80-të si konflikt i vetëm real në shoqërinë e kohës (formuluar nga Kadare në një rast sulmi agresiv kundër një romani të tij në gazetë). Konfliktet e tjera shoqërore, përcaktuar nga marksizmi, vazhdonin për inerci dhe të lodhura sepse klasat elitare të dikurshmë tashmë ishin rrënuar, ose konflikti ekzistonte si ndikim i rrethimit kapitalist etj. Megjithse intelektuali paraqitej teorikisht si “shtresë shoqërore”, realisht konsiderohej si klasë më vete, sikur “të ditur” dhe “të paditur” të përbënin klasa shoqërore më vete, njësoj si proletariati, borgjezia, fshatarsia. Intelektualët paraqiteshin si një kastë indu superherojsh jedi të star wars.
Ky glorifikim i intelektualit në shoqërinë komuniste revolucionare, kishte preçedencë Revolucionin Francez, vepër e I philosophes intelektualë enciklopedistë, me pasojë ambiguitetin që nuk merret vesh se kush djallin e bën revolucionin: masat si thotë marksizmi, apo Dideroi, Rusoi, Volteri, D’Alamberi. Glorifikimi është akoma në fuqi, megjith tallazet “ç’na duhet shkolla” të viteve 90-të, ku figura e intelektualit të diplomuar u degradua në pjatalarës në emigrim, ose diçka më tepër në atdhe: shef guzhine meqë aty kishte kredi dhe shoqni. Mania e diplomimit me çdo kusht në Universitetin Shtetëror të Tiranës, u ringjall si diplomim në universitetet privatë që mbinë kudo si këpurdhat bashkë me intelektualët e mdhenj postkomunistë 10.000 dollarë diploma.
Por kjo është vetëm një ringjallje e kufomës kutërbonjëse të shkollës së kohës së komunizmit. Për dështimin e institucionit të shkollës si mision, ka sa të duash shkrime dhe studime, të cilat do i përmend në shkrime më pas si kuriozitete për kë nuk i ka haberin sepse akoma i zhytur në kënetën e glorifikimit dhe autoglorifikimit të shkollës. Për të pasuar një koncept të ri, më mjafton e më tepron eksperienca personale, leximet më shërbejne për të fortifikuar besimin në çfar kam ndjerë vetë më parë, dhe për të hapur ndonjë dritare për zgjidhje teknike.
Çfar vërtet di mirë, e kam mësuar jasht shkollës prej profesionistësh në lidhje miqsore, miqësia me ta më ka nxitur në studime amatore përkatëse dhe lexime autodidakte për qefin tim. Nuk kam mësuar kurrë një koncept të ri në shkollë, sepse nuk dëgjoja dot çfar flitej, flija gjithnjë, ose me sy hapur ose flija literalisht me sy mbyllur (kur ishte e mundur në bangat e fundit). Kuptoja se për çfar ishte folur vetëm kur rilexoja mësimin në intimitetin e shtëpisë. Nuk arrija t’i bëja dot ballë ritmit masakrues për 6 orë rresht: ulu në bangë, përqëndrohu 1 orë në mësim, bie zilja për pushim, ngrihu nga banga, nxito në mes zallamahisë shko e eja nëpër korridore, hyrë në sallën tjetër, bie zilja për fillim e orës së mësimit, ulu në bangë, rri ul si hu gardhi edhe një orë tjetër …, etj, tamam si punë robotësh. Nuk ishte vetëm çështje fizkulture, përqëndrimi në mësim kërkon sakrifikimin e qenësisë, të përjetimit të ndjesive së brëndëshme, të kaosit ëndërrimtar të subkonshit. Nën jetën ose qenien e vetëdijshme të ditës, vazhdon të përjetojë underground jetë e natës, e pavetëdijës. Pra ishte kryesisht çështje rezistence shpirtërore, nuk isha në gjëndje të mposhtja pjesën nokturne ëndërrimtare të qënies, prandaj flija me sy hapur përgjatë mësimit. Pafuqia shpirtërore shndërrohej natyrshëm edhe në fizike, mbas shkolle, me muskuj krejt të kapitur, kisha nevojë të domosdoshme për dy orë gjumë për të rimarrë veten. Nuk e di si bënin dhjetanjosët e bangave të para që ndiqnin çfarë thoshte profesori, e njëkohësisht mbanin shënime si robotë, dhe për më tepër të gjenin kohë që të lexonin ditë për ditë çdo mbasdite leksionet e dëgjuara në mëngjez; ose ishin racë supernjeriu ose ishin prej hekurash, nuk ka si shpjegohet ndryshe. Edhe nga kjo pikpamje shkolla është institucion i dështuar, produkti i saj është skarto, prodhon ose dhjetanjosë të bangava të para, ose katranjosët e bangave të fundit (dhe çfar përmbahet brenda këtij intervali). Këta të fundit i gjen shpesh më vonë në majë të shtetit, për shkak të mekanizmit të kompleksit të inferioritetit, duke dëshmuar që shkolla është një gjë, dhe jeta (“i dalë në jetë”) një gjë tjetër. Në fakt duhet të ishte e njëjta gjë, dhe ky është misioni i shkollës, fakti që “shkollar” dhe “i suksesshëm në jetë” nuk janë e njëjta gjë, por dy gjysma gjel, dy karikatura, dëshmon përsosur për dështimin e misionit.
Si dëshmi që kompleksi i superioritetit shndërrohet kollaj në kompleks inferioriteti dhe anasjelltas, është ankesa e intelektualit t’modh që Sekretari i Parë ose Kryeministri demokrat janë të pakulturuar, dava katranjosësh mër jau, nuk janë si ne që lexojmë libra. Enver, Stalin Hitler janë xhelozë se nuk janë në gjendje të shkruaje libra si shkrimtari i modh dhe të pikturojnë si piktori i modh, të cilët përshkruajnë përkatësisht me bukurshkrim dhe ngjyra vaji peisazhin që Sekretari i Parë e krijon dhe rikrijon realisht duke shkruar dhe pikturuar peisazhin e vetë jetës. Me një të rënë të lapsit Sekretar i Parë spostoi 10 milion katundarë (10% e popullsisë së atëhershme) nga peisazhi i Rusisë perëndimore në peisazhin e Siberisë me traktorë, eskavatorë dhe hidrocentrale, sigurisht prej inotit që nuk ishte shkrimtar i modh si Pastërnaku që ka shkruar faqe të mrekullueshmë për peisazhin e tundrës së Siberisë. Sekretari dhe Fyreri gjykohen për atë që bënë, që ishte keq çfar bënë e si e bënë, jo sepse nuk ishin intelektual t’mdhenj mër jau: Enveri teknik i mesëm i përjashtuar nga universiteti, Hitleri ngelës në provim për pranimin në Akademi të Arteve të Vjenës, Stalini seminarist pa diplomë.
Një i ditur është vetëm i ditur dhe kaq mjafton dhe tepron, sepse dituria vërtet është vlerë, dhe vlerë kryesore për një intelektual, por nuk është vlerë kryesore ta zemë për një politikan, ose për një afarist. Napoleoni nuk ishte i pari i klasës, as Bismarku, as Zogu e as Enveri.
Shkolla duhet të krijojë njerëz në radhë të parë, të cilët mund të jenë më pas të çfardolloj zanati: hamall, intelektual, kryeministër. Pra kryesorja është të bëhesh njeri, pastaj po të kesh takat bëhu hamalli më muskuloz në botë, po njësoj bëhu po ta mbajti intelektuali më i ditur në botë ose kryeministri më i zoti në botë.
Përfundimisht nëse je shumë i ditur, bëhu profesori më i madh në botë, ç’punë ke që matesh me kryeministrin sepse është një cop budallë që i ka dalë mesatarja e maturës 5,6? Nga ana tjetër nëse je kryeministër apo pronar ndërmarrje, ç’ne me lazëm matesh me intelektualë të zotë? Të kesh fuqi politike ose sundim ekonomik si afarist është vlerë që mjafton e tepron. Pse kollaj është të drejtosh nje shtet ose një parti, apo të drejtosh një kombinat industrial? Eshtë shumë më e vështirë se të lexosh dhe të shkruash një libër, ose të mbash një leksion para studentësh peqe lepe. Por me sa duken bathët më e vështira nga të gjitha qënka të mbash pozitën që të përket. Ferri nuk është gjë tjetër veçse anarkia e pozitave, vëndi ku asnjëri nuk di ku e ka vëndin, ose sipas shprehjes pop: “nuk di ku ka kokën”.
Vlera e të qenurit dhe të bërit në botë, deri edhe qenia i parë i vendit, president a kryeminister, ka vlerë kryesisht të maturoje personin që ka këtë pozitë, e jo siç mendojnë intelektualet e mëdhej që të ndryshojë kursin e historise. Intelektualet nuk kuptojne as pozitën që ju përket në shoqëri, sepse dinë vetëm të fryhen si gjela deti sikur çoç janë, pikërisht se janë nulitete impotente i kundervihen kryeministrit se nuk ja dëgjon fjalën e tyre që do të ndryshojë kursin e historisë.
Shkollës i jam mirënjohës vetëm për kalitjen e rezistencës në qëndrim ulur për orë të tëra (sidomos gjatë studimit për provimet universitare), rezistencë në arsyetim dhe memorizim. Edhe sot habitem se si arrija të mësoja përmendësh 5 libra për një javë si i shkalluar nga mendtë çdo pranverë (4-5 provime për 1 muaj sezon provimesh). Provimi ishte një vjellje para profesorit e një mbufatje një javore me lëndën përkatëse. Mbas vjelljes, fillonte mbufatja tjetër, dmth provimi tjetër, dhe kur ke mbaruar këto vjellje të njëpasnjëshme për 4-5 vjet me radhë çdo pranverë, atëherë gradohesh me ner me thon “kuadër i lartë”.
Pra shkolla nuk ka asnjë vlerë, përveç se negative, për eksperiencë personale kam filluar të ndjehem i zanatit kur kam mbrojtur diplomën: student në shtëpi tënde, tema e diplomës, librat përkatës dhe një dor muhabet me konsulentin çdo javë. Më në fund anija fantazmë e hollandezit fluturues arriti në qetësinë e skelës për të riparuar dëmet e shkaktuara nga stuhitë oqeanike. E vetmja vlerë e shkollës është se duhet të rezistosh në lexim dhe memorizim dhe të fortifikosh karakterin, në kuptimin që mbas vuajtjes dhe sakrificës, je më i maturuar, edhe kjo nëqoftëse ke kryqe, sepse shumicës i thyhen kryqet dhe përfundojnë injorantë me shkollë, makina në shërbim të pushtetit të sistemit që e ka shkolluar. Ka edhe nje vlerë banale në situatën që kërkohet kurrikulum për çdo gjë: sidoqoftë e ke diplomën (patentën e naftës) për të gjetur punë.
Besoj se kaq është mjaft, megjithse kam akoma shumë për të thënë për këtë temë. Në shkrimin e ardhshëm do të jap shëmbuj studjuesish të njohur që konsiderojnë shkollën institucion të ngordhur, sepse helbete intelektualeve t’mdhej nuk u mjafton eksperienca e tyre personale, e që tu mbushet mendja për një gjë që e kanë ndjerë vetë, duhet ta shonin të shkruar se ky i famshëm i modh ktu ka thënë kshu në faqe aq e kaq, e ky tjetri atje akoma më i modh se ky i modhi ktu, ka thënë ashtu në faqe aq e kaq. Vetëm atëherë qetsohen robotët e shkolluar.
ky shkrim në seri ka lidhje organike (trajton të njejtën temë) me këtë shkrim në seri që e gjeni këtu