Ditën e parë të shkollës takuam një komshie me të bijën në klasë të parë fillore
që po ktheheshin në shtëpi kap dorë për dore:-Hë si tu duk dita e parë e shkollës?
-Un schifo, gjithë ditën ulur në bangë!
Termi shkollim ka kuptim të kundërt me edukim, i cili etimologjikisht (latinisht e-ducere) do të thotë të nxirret jashtë çfar tashmë është e pranishme brënda. Pra nëse në arsimin e detyruar imponohet dituria si dhunë nga jasht, edukimi përpiqet të nxjerrë me kujdes në dritë dhe të lulëzojë çfarë ndodhet në shpirt të njeriut si farë e urtësisë origjinale - Fjalor i fjalëve ngatërrestare
John Taylor Gatto mbajti një fjalim (përkthyer më poshtë) në vitin 1990 me rastin e fitimit së titullit Mësues i Vitit të New York City, fituar edhe në vitet 1989 dhe 1991, gjithashtu i njëjti titull fituar edhe në New York State, në vitet 1990 dhe 1991. Një vit e gjysëm mbasi mbajti këtë fjalim, dha dorëheqjen nga arsimi, për arsye që do t’i keni më se të qarta mbasi ta lexoni. Shkurt si paradhënie them se ai u bë i ndërgjegjshëm që nuk mund të vazhdonte më të ishte shkaktar, në rolin e mësuesit, në budallallëpsjen e nxënësve dhe kriminalitetin e ushtruar prej sistemit arsimor të detyruar. Janë shumë domethënës titujt e disa prej librave të tij: Dumbing Us Down (Si po na budallepsin) dhe Weapons of Mass Instruction (Armë të udhëzimit në masë) The Exhausted School (Shkolla e rraskapitur). Politikisht Gatto-n është shumë e vështirë të futet në ndonjë kallëp politik standard.
Mbasi dha dorëheqjen nga puna si mësues në një shkollë publike në New York për 30 vjet me rradhë, nuk e kishte fare idenë se si do bënte të mbante familjen me bukë, por, si ndodh rëndom në kësi rastesh kur luftohet pa frikë për nje kauzë të drejtë, një javë më vonë e ftuan të fliste në Qëndrën Kozmike të NASA, dhe javën e ardhëshme në Shtëpinë e Bardhë. Me këtë ndezje fillestare motorrësh, merret me mend se çfar mund të ketë ndodhur më pas si sukses mondan në shoqërinë amerikane, e në tërë botë më vonë. Taylor siç ndodh gjithnje në këto raste, një herë futur në hulli, e duke sakrifikuar pozitën dhe karrierën, filloi të zbulojë gjëra me lehtësi njëra pas tjetrës, njëkohësisht u bë i famshëm, e thirrnin ngado për konferenca e për të dhënë mënd.
Eshtë e kotë të vazhdoj të rrëfej për të, kush ka kuriozitet mund të informohet vetë: po deshi të lexojë në origjinal fjalën (kam shqipëruar vetëm disa pjesë thelbëzore) ose për më tepër të bredhë në internet mbushur plot me informacion me kodin gugllues “John Taylor Gatto”.
Pavarsisht se idetë e tij novatore për shkollën janë shokuese e duken tejet origjinale, në fakt Gatto është etapa e fundit - prandaj më agresive dhe më e lulëzuar edhe si stil - i një filli të kuq që përshkon tërë historinë me fillesë Sokratin dhe Platonin, e më tej, përmend vetëm më të dëgjuarit: Montaigne, Rousseau, Maria Montessori, Rudolph Steiner, Ivan Illic. Them shkurt vetëm që John Taylor Gatto është nder i vërtetë për Amerikën, gjenialiteti dhe vlera e tij do të kuptohet vërtet vetëm në të ardhmen, nëse do të ketë një të tillë. Ai ka bërë në fushën e mësuesisë atë që ka bëri në fushën e ekonomisë Yvon Chouinard i ndërmarrjes Patagonia-s për të cilin kam shkruar këtu.
(…) Jemi duke kaluar një periudhë krize të stërmadhe shoqërore. Fëmijët tanë renditen në vendin e nëntëmbëdhjetë midis vendeve të industrializuara për sa i përket leximit, shkrimit dhe llogaritjes. Ekonomia e narkotizuar botërore bazohet në konsumin e këtij apo të atij produkti. Nëse nuk do të blinim kaq shumë ëndrra në diell, bizneset do të shëmbeshin - dhe shkollat përfaqsojnë një qendër shitje me rëndësi. Numri jonë i vetëvrasjeve midis adoleshentëve është më i larti në botë - dhe shumica e djemve të vetëvrarë i përkasin familjeve të pasura, jo të varfëra; në Manhattan 70% e martesave të reja zgjasin më pak se pesë vjet.
Kriza e shkollës sonë është pasqyrim i kësaj krize shoqërore; duket se kemi humbur identitetin tonë. Të moshuarit dhe fëmijët mbahen mbyllur, larg nga bota prodhuese në një mënyrë pa shembull më parë në histori; askush nuk komunikon më me ta. Pa njerëz të moshuar dhe fëmijë që përzjehen në jetën e përditshme, një komunitet nuk ka as të kaluar dhe as të ardhme, por vetëm një të tashme permanente.
(…) Përgjatë 25 viteve që jap mësim kam përjetuar një fenomen të çuditshëm: për kompani të mëdha të planetit, shkollat dhe arsimi po bëhen gjithnjë e më të parëndësishme.
Tani askush nuk beson më se shkencëtarët përgatiten me kurse shkencore, apo politikanët me kurse të lëndëve qytetare, apo poetët me kurse të letërsisë angleze. E vërteta është se shkollat në të vërtetë mësojnë një lesh, asgjë tjetër përveç se t’u binden urdhrave. Ky fakt është një mister për mua, sepse mijëra njerëz vullnetmirë dhe të përkushtuar për kauzën punojnë në shkolla si mësues, si staf jo-docentësh dhe administratorësh, por logjika skllavëruese e institucioneve mbizotëron mbi kontributet individuale. Megjithëse mësuesit interesohen dhe punojnë shumë, deri në rraskapitje, institucionet janë psikopatike, nuk kanë ndërgjegje. Bie ziljea dhe i riu në mes të hartimit të një poezie duhet të mbyllë fletoren dhe të shpërngulet në një qeli tjetër, ku mëson se njeriu dhe majmunët kanë paraardhës të përbashkët.
Forma jonë e arsimit të detyrueshëm është një shpikje e shtetit të Masaçusets që daton viti 1850. Një pjesë e popullsisë, rreth 80%, iu kundërvu - ndonjëherë me armë - derisa pozicioni i fundit i Barnstable afër Cape Cod në në dhjetëvjeçarin e 1880 u pushtua nga milicia dhe ata dorëzuan fëmijët e tyre, të cilët u çuan në shkollë të shoqëruar nga një truprojë e armatosur. Këtu ka një çështe interesante për tu vlerësuar: jo shumë kohë më parë, zyra e senatorit Ted Kennedy lëshoi një dokument ku thuhej se para se arsimi të bëhej arsimim i detyrueshëm, alfabetizimi ishte rreth 98% ndërsa më pas alfabetizimit, nuk u ngrit kurrë mbi 91%, ku është ndalur që prej viti 1990. Shpresoj që kjo çështje t’ju interesojë.
Një tjetër kuriozitet që tërheq vëmëndjen është fakti që arsimimi shtëpiak (në familje) është rritur në heshtje derisa ka arritur që një milion e gjysëm të rinj(1) janë arsimuar plotësisht nga prindërit e tyre. Muajin e kaluar, botimet e sektorit raportuan një lajm befasues, sipas të cilit, lidhur me gatishmërinë e mendimit, fëmijët e shkolluar në shtëpi duket se janë pesë ose edhe dhjetë vjet përpara prej homologëve të tyre përkatës të arsimuar në mënyrën tradicionale.
Nuk mendoj se do të shpëtohet prej shkollave në një të ardhme të afërt - sigurisht jo sa të jem gjallë - por nëse duam të ndryshojmë çfarë po bëhet me shpejtësi një katastrofë injorance, duhet të kuptojmë se institucioni arsimor “shkollon” shumë mirë, por nuk “mëson”; kjo është në thelb të natyrës së vetë projektit. Nuk është faji i mësuesve të këqij ose i fondeve të pakta të caktuara, thjesht është e pamundur që shkollimi dhe mësimi mund të përputhen. Shkollat u krijuan nga Horace Mann, Barnas Sears dhe W. R. Harper i Universitetit të Çikagos, Thorndyke i Kolegjit të Mësuesve të Kolumbias dhe nga të tjerë, për të qenë instrument i menaxhimit shkencor të masave popullore. Roli i shkollave është që të prodhojnë, nëpërmjet aplikimit të formulave, qenie njerëzore të formuara në mënyrë të tillë që sjelljet e tyre të mund të parashikohen dhe kontrollohen.
Në një farë mase shkollat ia dalin mbanë kësaj. Por shoqëria jonë po shpërbëhet, dhe në një shoqëri të tillë njerëzit e suksesshëm janë ata që mbështeten tek vetja, të sigurt dhe të pavarur - sepse jeta e komunitetit që mbron të dobëtit dhe mvartësit ka vdekur. Produktet e arsimit, siç thashë, janë të parëndësishëm. Njerëzit e mirëarsimuar, janë të parëndësishëm. Ata mund të shesin filma dhe brisqe rroje, të mbështjellin fletë letre dhe të flasin në telefon, ose të ulen si të papranishëm përpara ekranit farfurues të kompjuterit, por si njerëz ata janë të padobishëm - të padobishëm për veten e tyre dhe për të tjerët.
Mendoj se mjerimi i përditshëm që na rrethon është shkaktuar kryesisht nga fakti se - siç pretendonte Paul Goodman 30 vjet më parë - i detyrojmë fëmijët të “rriten në absurd”. Çdo reformë në shkollë duhet të ketë lidhje me këto absurditete. Eshtë absurde dhe kundër jetës të jesh pjesë e një sistemi që të detyron të ulesh i rrethuar nga njerëz saktë të së njëjtës moshë dhe klasë shoqërore. Një sistem i tillë de-fakto të largon nga larmia e pamasë e jetës dhe sinergjia e shumëllojshmërisë; kjo ju largon nga e kaluara dhe e ardhmja juaj, duke ju burgosur në një të tashme permanente në të njëjtën mënyrë që e bën edhe televizioni.
Eshtë absurde dhe kundërjetësore të jesh pjesë e një sistemi që të detyron të dëgjosh një të huaj që të lexon poezi, kur dëshiron të mësosh të ndërtosh ndërtesa, ose të diskutosh me një të huaj për ndërtimin e ndërtesave, kur dëshiron të lexosh poezi.
Eshtë absurde dhe kundër-jetësore të kalosh nga klasa në klasë sipas tingëllimës së një zileje çdo ditë të rinisë tënde në një institucion që nuk ju lejon asnjë intimitet dhe të ndjek edhe në sakralitetin e shtëpisë tënde duke ju kërkuar të bëni “detyrat e shtëpisë”.
(…) Mendoni për gjërat që po na vrasin si komb: droga, konkurrenca budallallëkshe, seksi zbavitës, pornografi e dhunës, bixhozi, alkooli, dhe pornografia më e keqe nga të gjitha: grumbullimi i parasë si filozofi e jetës. Të gjitha janë varësi e personalitetit të skllavëruar, domethënë atë që lloji i shkollës sonë duhet të prodhojë pashmangshmërisht.
(…) Përpjekja e Rusisë për të kontrolluar Evropën Lindore shpërtheu para syve tanë. Përpjekja jonë për të imponuar të njëjtin lloj ortodoksie shoqërore, duke përdorur shkollat si mjet, gjithashtu po shkatërrohet, megjithëse në një mënyrë të ngadaltë dhe më të dhimbshme. Nuk funksionon sepse premisat e saj themelore janë mekanike, çnjerëzore dhe armiqësore për jetën familjare.
Jetët mund të kontrollohen nga makina edukative, por ato do të reagojnë në patologji sociale: drogë, dhunë, vetë-shkatërrim, indiferencë dhe simptomat që vërej tek fëmijët që u jap mësim.
(…) Në zemër të këtij sistemi arsimor elitar qëndron bindja se njohja është baza e vetme e një njohurie të vërtetë. Kudo në këtë sistem, në çdo moshë, do të gjeni dispozita që e vendosin fëmijën vetiu në një mjedis pa udhëtregues me një problem për t’u zgjidhur. Ndonjëherë problemi është plot rreziqe, siç është problemi të ngasësh kalin ose të hidhesh mbi kalë, por ky, sigurisht, është një problem i zgjidhur me sukses nga mijëra fëmijë nga familje të pasura para se të mbushin dhjetë vjeç. Mund ta imagjinoni këdo që ka zotëruar një sfidë të tillë, t’i mungojë besimi në aftësinë e vet për të bërë çfardo gjë tjetër? Ndonjëherë problemi është të kontrollosh vetminë, siç bëri Thoreau në Walden ose Ajnshtajni në Zvicër.
Një nga ish-studentët e mi, Roland Legiardi-Laura, megjithëse të dy prindërit i kishin vdekur pa i lënë asnjë trashëgimi, shëtiti i vetmuar tërë SHBA me biçikletë kur nuk ishte veçse adoleshent. A mund të duket befasi që ai bëri një film për Nikaraguan kur ishte maturant, megjithëse nuk kishte as para, as përvojë të mëparshme në sektor, dhe se u shpërblye me njohje ndërkombëtare - edhe pse ishte me zanat zdrukthtar?
(…) Ne duhet t’u japim menjëherë fëmijëve kohën e lirë sepse ky është çelësi i vetë-njohjes dhe duhet t’i ri-përfshijmë ato në botën reale sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që koha e lirë të mund të përdoret për diçka me tjetër se abstraksionet e mëtejshme. Kjo është një emergjencë dhe kërkon veprime korigjuese drastike. Fëmijët tanë në shkollat tona po vdesin si mizat; i keq arsimi apo i mirë qoftë, asgjë nuk ndryshon, mbetet pa pikë rëndësie.
(…) Studim i pavarur, shërbim në komunitet, aventura praktike, doza të mëdha intimiteti dhe vetmie, një mijë praktika të ndryshme - këto janë mjetet e fuqishme, efektive dhe ekonomike për të filluar një reformë të vërtetë shkollore. Por asnjë reformë në shkallë të gjerë nuk do të rindreqë fëmijët tanë të dëmtuar dhe shoqërinë tonë të dëmtuar derisa të imponojmë idenë e një “shkolle” të hapur - të përfshijmë familjen si mjetin kryesor të arsimit .
(…) Familja përfaqëson ingranazhin kryesor të edukimit. Nëse përdorim arsimin për të shkëputur fëmijët nga prindërit - dhe, pa gabuar aspak, ky ka qenë funksioni kryesor i shkollave që kur John Cotton e njoftoi këtë si qëllimin e shkollave të Colony Bay në 1650 dhe Horace Mann bëri të njëjtën gjë për ato të Massachusetts në 1850 - ne do të vazhdojmë të rigjejmë veten tek muzeu i tmerreve që tashmë ndodhemi.
Kurrikulumi familjar është në qendër të çdo jete të mirë. Ne jemi shkëputur nga ky kurrikulum; është tama koha për tu kthyer përsëri. Udha e buonsensit në edukim - për shkollat tona - kalon përmes fillimit të lehtësimit të peshës së institucioneve në jetën familjare dhe në promovimin, përgjatë kohës së shkollës, e marrëdhënieve midis prindërve dhe fëmijëve, të tilla që të mund të forcojnë lidhjet familjare.
(…)
Një fjalim tjetër me rëndësi i Gatto-s:
A kemi vërtet nevojë për shkollën? Nuk e kam fjalën për edukim, por vetëm për arsim të detyruar: gjashtë klasa në ditë, pesë ditë në javë, nëntë muaj në vit, për dymbëdhjetë vjet rresht. A është vërtet e nevojshme kjo rutinë vdekjeprurëse? Dhe nëse është, për çfarë qëllimi? Mos u fshihni mbas “me lexue, me shkrue dhe llogaritë” sikur kjo të ishin një arsye, përderisa 2 milion fëmijë të lumtur që studiojnë në shtëpi me siguri i kanë dhënë fund këtij justifikimi të parëndësishëm. Edhe sikur të mos e kishin bërë këtë, një numër i konsiderueshëm i amerikanëve të mirënjohur nuk kanë kaluar kurrë nëpër dhunën dymbëdhjetëvjeçare në të cilën tani kalojnë fëmijët tanë, dhe të gjithë kanë rezultuar të jenë njerëz të mirë. George Washington, Benjamin Franklin, Thomas Jefferson, Abraham Lincoln? Dikush i dha mësim atyre, natyrisht, por ata nuk ishin produkte të një sistemi shkollor dhe asnjëri prej tyre nuk është “diplomuar” ndonjëherë në një shkollë e mesme. Gjatë gjithë pjesës më të madhe të historisë amerikane, djemtë në përgjithësi nuk frekuentuan shkollën e mesme, por të pashkolluarit arritën të bëhen admiralë si Farragut; shpikës si Edison; manjatë industialistë si Carnegie dhe Rockefeller; shkrimtarë si Melville, Twain dhe Conrad; madje edhe studiues si Margaret Mead. Në fakt, deri në një periudhë relativisht të kohës së fundit, njerëzit që mbushnin moshën 13 vjeç nuk konsideroheshin më fëmijë. Ariel Durant, bashkëautor me burrin e saj Will të një historie botërore voluminoze dhe brilante, ishte e martuar lumturisht në moshën pesëmbëdhjetë vjeç, dhe kush ka dy fije mend në kokë mund të thotë se Ariel Durant ishte një person i paedukuar? I paarsimuar mbase, por jo e paedukuar.
(1) 1,5 milion fëmijë amerikane të shkolluar në shtëpi tyre ishin në vitin 1990 kur Gato mbajti fjalimin, tani janë 2 milion.
Fotografia që ilustron shkrimin është e kolektivit punonjës të oficinës fillestare të krijuesit të Patagonia-s Yvon Chouinard. Kjo foto e përshkruan më mirë nuk bëhet atë që ka të veçantë dhe vërtet të vyer Amerika.
pjesën e mëparshme të shkrimit e gjeni këtu