Frut i lejuar (fund)

Shkuam drejt makinës. Macja kishte zënë vend kruspull mbi kapak të motorit e nuk donte t’ja dinte për të shtyrat e mija, nuk kishte zot që e largonte nga kapaku.

-Lëre, hyp se do largohet me të ndezur makinën.

Dhe vërtet, me tu dëgjuar rropama e motorit, macja u ngrit dhe menjherë zbriti në tokë.

-Dashuri për ne, apo për ngrohtësinë e motorit?

-Pse jo të dyja? Dashuria dhe komoditeti shkojnë bashkë. Tani mbas aventurës së ngjitjes në mes të elementeve të natyrës: acarit, erës fshikulluese, sforcimit fizik, urisë, a nuk e ndjen vlerën e jashtëzakonshme të komoditetit brënda makines, të sigurisë prej koracës së saj mbrojtëse? Nuk të duket se je rrethuar nga një dashuri e pafund, i cila nuk është vetëm fizike, materiale? Ose thënë ndryshe: është aq shumë fizike sa shkon përtej materiales, deri në dashuri shpirtërore, e cila ekziston gjithnjë, jo vetëm në rrethana të veçanta si tani ku duket sheshit kontrasti midis indiferencës së natyrës jasht dhe dashurisë së komoditetit të dizajnit brënda makinës. Dhe duhet të jemi gjithnjë mirënjohës për këtë, çdo çast; tepër mirnjohës ndaj entitetit kozmik nga ku buron kjo dashuri. E mbaj mend shumë mirë kur kam hypur për herë të parë në një veturë që nuk qelbej erë pluhur, djersë, hidrokarburësh të djegur dhe erë njeriu si aromë stacioni treni, si rëndom mjetet e transportit të vëndeve të ish-lindjes, por rrezatonte dashuri në formë komoditeti, parfumi “të jashtëm”, ajër i kondicionuar, farfuritje dritëzash gazmore në kroskot. Gjithashtu më kujtohet si sot se çfar ndjeva kur hyra për herë të parë në një supermarket, me mallra superluksozë në rafte të superngarkuara që rrezatonin superdritë si aureolë sakrale. Mbaj mend se emocioni i ndjerë ishte shumë më i fuqishëm se para një vepre arti. Ç’të të them, supermarketi mu duk një ekspozite arti e kaluar ekspozitës; pata një orgazmë kënaqsie, gati më ra të fikët, saktë sindromë e Stendalit. Atëbotë ishte kollaj të bëje kontrastin estetik, gjërat harrohen dhe tani bëjmë indiferentin, oksidentalin e mërzitur, madje përbuzim duke shpjeguar raportin tonë me botën si të mbrapshtë: interesa materiale përkundër interesa shpirtërore. Por fatkeqsisht ka më keq se kaq, ka edhe vetëm interesa materiale e zero shpirtërore, madje akoma më keq, ka edhe interesa zero kudoqoftë, si shpirtërore, ashtu dhe materiale, zero totale. Pikërisht për këtë po flisnim para pjergullës tek kangjellat, që njerzimi e ka humbur ndjenjën e dhuratës, me fjalë të tjera njeriu ka desakralizuar gjithësinë, mohon sakralitetin e gjërave të krijuara. Nëse prej Prometeut e tëhu (ose sipas variantit hebre: prej ngrënies së Frutit të Ndaluar e tëhu) gjithësia nuk përjetohet më si një dhuratë hyjnore, por vetëm si një send i përdorur për qëllime vetjake, në epokën post-moderne gjëndja është shumë më keq se kaq: gjithësia vështrohet me indiferencë totale. Madje nuk vështrohet fare; e si mund të shpjegohet ndryshe peizazhi me zerdeli të rëna në tokë të papërfillura nga njeri, as nga i zoti i kopshtit?
Fruti është prodhimi i vetëm që gjëndet fare gratis në natyrë; të tjerat dhurata të natyrës kërkojnë përpunim teknologjik para se të përdoren, pra kërkojnë mobilizimin e Punës dhe figurën mobilizuese të Puntorit (dhe çfar pason si kategori dhe figurë tjetër në shërbim të Punës). Për të zotëruar frutin mjafton vetem të zgjatësh dorën, këpute dhe shtjere drejt e në gojë. Fruti është produkt i fenomenit të fotosintezës, i cili është fenomeni bazë që bën të mundur jetën mbi tokë nëpërmjet shfrytzimit të energjisë së rrezes diellore. Dritës, që të përshkojë distancën kozmike Diell-Tokë, i duhen 8 min. e 20 sek, saktë koha që i duhet Diellit të fillojë të shndërrohet në lëng frutash. Kuptimi filozofik i fenomenit të fotosintezës dëshmon se jeta në tokë është dritë e materializuar (shprehja apokrife “e dyta ishte drita”); ideja e frutit si simbol i dashurisë nuk është e rastësishme ose për analogji, fruti është vërtet dashuri e materializuar. Fruti është dëshmia më banale që ka Zot. Primitivet nuk ishin barbarë injorantë që adhuronin Diellin sikur Zot (alias Kulti i Diellit, akoma ekzistues edhe në disa zona pranë Tomorrit) pa ja pas haberin fare fenomenit të fotosintezës. Njeriu i kulturuar modern është më keq se …

-Nuk të duket se ke marrë një çik si tepër superxhiro, me këtë lloj supermuhabeti për supermerkato që shesin superfruta për supernjeriun e superndriçuar? Mos harro se jam unë që po ngas makinën në mes të supertrafikut të superçmendur!

-Me thënë të drejtën harrova në vrull e sipër të diskursit. Por nuk harroj kurrsesi supervesin tënd për të më kritikuar kur e teproj, dhe më pas e tepron ti shumë më tepër se unë për të njëjtin muhabet. E kuptoj që ky lloj diskursi është akuzë për kë e dëgjon, por motivacioni im nuk është të akuzoj dhe dënoj, përkundrazi është të çliroj nga burgu i indiferences totale.

-Nuk kuptoj se çfar don të thuash me këtë.

-Do ta kuptosh kur të vijë momenti. E lemë me kaq.

-Çër momenti po thu? Domosdo që e lemë, tani që edhe mbërritëm. Hajt shnet!

-Shnet, e me të mira! Të djelën tjetër prapë.


Në darkë vonë bie telefoni.

-Hë mër ti je, të erdhi momenti?

-Çfar po thu, çfar momenti?

-Hë pra si e ke hallin?

-Asnjë hall nuk kam, desha me të thënë vetëm shife i çikë në fejsbuk një koment të C. tek faqja e T. Hajt shnet!

Hap fejsbukun në faqen e T. që kishte publikuar një post ku llafoste se si tërë ditën kishte punuar në kopshtin e vet. Kishte botuar edhe një foto arke me hurma që sapo i kishte vjelë prej peme. Hurmat ta bënin me sy, dukeshin që kishin arrit stadin e pjekurisë si status i tejdukshmërisë. Midis të tjerë komentë, ishte edhe komenti i C.

hurma? edhe un kam hurma në kopësht … po çfar bëhet me to?

Flashback i peizazhit me zerdeli të shkelura për tokë.

fund


pjesën e mëparshme e gjeni këtu

3 Likes

Mu kujtu nje komshi i nje mikut tim atebote qe kishin shtepite me kopsht ngjitur. Komshiu kishte nje funksion disi te larte ne burokracine e kohes, kishte dy djem, dhe kopshtin e kishte te mbush tumllas me hurma farzeza. Çdo mengjez ngrihej heret qe pa gdhire qe te numuronte hurmat ne peme se mos ja hanin djemte e tij.

Kurse nje mesues filloreje nga nahija knej, po me thoshte se kemi ne program çdo vit e me teper vizita te nxenesve neper kolkoze dhe sovkoze per te njohur kalamajte se nga prejardhen ushqimet qe gjejne çdo dite ne tavoline. Shume prej tyre, sidomos kalamajt e metropoleve, kujtojne se frutat jane prodhim i rafteve te supermerkatove.

I gjithe kuptimi i femijrise atebote eshte kaperximi i gardhit te kopshtit te katunarit per te keputur Frutin e Lejuar nga dega, e qe te thoshte duke rrezëlluar aureolen e shenjterise: “un jam ketu per ty; nuk ka asnje force qe na ndan, asnje ndalese morale, asnje gardh, asnje e drejte prone”.

Aventura me e bukur e femijrise atebote, e qe akoma sot me mbush me gaz dhe hare si kujtim, eshte vrapimi me pengesa ne mes shkurreve si pjestar i hordhise kalamojnore te ndjekur nga katunari qe bertiste dhe shante me hu ne dore.

Ndermjet atyre qe shkruajne, dua vetem ate qe shkruan me gjakun e tij. Shkruaj me gjak dhe do te mesosh se gjaku eshte shpirt. Nuk eshte e lehte te kuptosh gjakun e tjetrit, prandaj urrej ata qe lexojne vetem per te kaluar kohen. Ai qe e njeh lexuesin, asgje nuk ben per lexuesin. Edhe nje shekull prej lexuesish akoma, dhe shpirti do te qelbet fare. Per shkak se ju lejua te gjitheve te mesojne e te lexojne sa me shume, na u prish, si te shkruarit, ashtu edhe te menduarit. Njehere e nje kohe shpirti ishte Zot, pastaj u be njeri dhe tani eshte katandisur ne plebe medioker. Ai qe shkruan me gjak dhe me fjale te urta nuk duhet vetem te lexohet, ai duhet te mesohet permendesh - Niçe, Ashtu-kështu sa anej-knej foli Zarathustra.