Mos bre burre se qe kater po ta them se po flasim per armik te Kosoves, sot. Sot e gjithe diten. Ne artikull e ke, kete qe ta solla, ministri i jashtem serb menjehere pas fitores 1:0 te serbise ndaj kostarikes, ne takim zyrtar me diplomate te huaj gazetareve u thote “kjo eshte vendosje e drejtesise, eshte nje hakmarrje e embel, kur dihet se kostarika eshte nder shtetet e para qe e kane njohur shtetin e Kosoves.”
Qe edhe nje deshmi te gjalle prej vendit te ngjarjes.
Kqyr ti, kadale, lexo, pastaj shkruhena prap na. Se m’le pershtypje qe s’ia ke var fort qasaj forejn polices cka ka thanun.
“Kanë kaluar 16 orë prej kur referi e ka shpallur të mbyllur ndeshjen Zvicër - Serbi, kursë në kafet e qytetit ajo po vazhdonte të luhej edhe më tutje. Mijëra tifozë serbë që po i pinin kafet e hidhura të humbjes së një nate më parë mund t’i dëgjoje lehtësisht duke e përmendur vetëm një emër: Shaqiri.
Ata që i kisha unë afër, kur po haja mëngjes në restorantin e hotelit Holiday Inn në Kaliningrad, biseduan për më shumë se gjysëm orë për djalin nga Zhegra.
“Nëse është patriot pse nuk luan për Kosovën?”, thoshte i pari.
“Ai luan vetëm për pare”, i priste i dyti.
Pastaj vërshonin fyerjet dhe ofendimet për gjyqtarin gjerman, që sipas tyre nuk e kishte akorduar një penallti, kur lojtari serb Mitrovic ishte bllokuar në brenda zonës së 16 metërshit të Zvicrës.
Në gjithë këtë histori, sipas një tjetri, përgjegjëse është edhe FIFA, që, si pikë e parë, e cakton një gjerman për të referuar një ndeshje ku luan Zvicra, dhe, si pikë ë dytë, që nuk i dënon lojtarët shqiptarë, por edhe Zvicerën, që i lejoi ata ta bënin atë gjënë që i irritoi aq shumë: shqiponjen. Në Ballkan humbjet nuk pranohen lehtë. Madje edhe nëse pranohen, ka mundësi që pas qindra viteve ato të festohen në formë të fitoreve.
Vetëm 16 orë më herët, disa serbë të tjerë, me të cilët rastisa - për fatin tim të keq - t’i kisha ulëset ngjitur në shkallët e stadiumit kishin tjera llafe. Ishin shumë më shumë ofansivë. Nuk viktimizoheshin, sikur po bënin të nesërmen. Nuk u pengonte shumë këpuca e Shaqirit, bile ishin të lumtur që ta turpëronin Zvicrën, bashkë me shqiptarët dhe simbolet e tyre. E donin një fitore kundër të gjithëve. Kishin plane të mëdha për të bërë, bashkë me vëllezërit rusë.
Mëngjesin e ditës kur do të luhej ndeshja politiko - sportive, Zvicër - Serbi, unë isha zgjuar duke i lëpirë plagët që ende po më kullonin, nga humbja e një nate më parë e Argjentinës, në Nizhny Novgorod. Kroacia e shkeli atë me një rezultat turpërues, 3 - 0. Referenca ime kryesore në futboll në më shumë se një dekadë, Lionel Messi, u detyrua ta linte stadiumin i mllefosur. I mllefosur e lash stadiumin edhe unë.
Atë natë nuk flejta gjithë natën. Fillimisht nuk më zinte gjumi nga mërzia e humbjes, e pastaj edhe për shkak të dhomës së dobët të apartmentit ku po flinim unë dhe Leo (Leonard Kërquki). Unë u zgjova me një sasi modeste të gjumit, vetëm një orë. Leo me tri.
Kur u nisëm për në Rusi, në këtë vizitë tetë ditore, i kishim nxjerrë biletat për t’i parë dy ndeshje, atë në mes të Argjentinës dhe Kroacisë, unë me shpresën dhe dëshirën që fiton Argjentina, dhe atë Zvicër - Serbi, me shpresën që fiton Zvicra.
Orari, por edhe qytetet, ku luheshin këto dy ndeshje ishte shumë problematik për t’u arritur. Luheshin në dallim kohor prej vetëm 24 orë nga njëra tjetra, por në një distancë prej disa mijëra kilometrave. Nëse cdo gjë shkonte sipas planit, nëse nuk kishte vonesa rrugore, nëse avioni nisej me kohë, ne do të mbërrinim vetëm pak minuta para se të fillonte ndeshja. Vonesa më e vogël mjaftonte që ne të mos ishim në stadium.
Kështu që të nesërmen herët do të duhej të niseshim në një rrugë të gjatë, shtatë orë me veturë, për t’u kthyer nga Novgorodi, fillimisht për në Moskë, e prej këtu, me aeroplan për në qytetin e Kaliningradit, i cili është një xhep rus, në mes të Polonisë dhe Lituanisë. I njohur para Luftës së Dytë Botërore si Konigsberg, ky qytet gjerman është rrëmbyer nga Stalini, me pajtimin e aleatëve, si plackë e luftës dhe është pagëzuar në emër të një zyrtari të lartë bolshevik. Si rrjedhojë, prej këtu janë dëbuar të gjithë gjermanët dhe qyteti është kolonizuar me rusë.
Në këtë qytet me një të kaluar të bujshme, duhej të mbërrnim para orës 20.00, për të parë përballjen historike në mes të Zvicrës dhe Serbisë. Sikur në përbërje të ekipit të Zvicrës të mos ishin katër shqiptarë, Behrami, Xhaka, Shaqiri dhe Xhemajli, kjo do të ishte vetëm një ndeshje e radhës e Kampionatit Botëror.
Mirëpo gjakrat u nxehen, tensionet u rritën, kur u mësua që lojtarët shqiptarë në njëren këpucë të tyre do ta kenë flamurin e Zvicrës kurse në tjetrin atë të Kosovës. Për këtë raportuan mediat kryesore botërore. Serbët u irrituan. Shqiptarët e ngritën kokën përpjetë nga krenaria. Djemtë tanë nuk po e fshehin prejardhjen e tyre. Ishte një shansë për të mos e lëshuar. Ishte prej atyre përballjeve që pas kushedi sa vjetësh ke dëshirë të thuash “unë kam qënë aty”. Megjithatë, unë nuk kisha dëshirë të isha aty, nëse do të bëhej fjalë për humbje. Edhe ashtu të gjithë po flitnin se Berati u sjell ters ekipeve. Thanë se i solla një natë më herët Argjentinës. Kanë thënë që i kam sjellë edhe disa herë të tjera Barcelonës. Nëse edhe këtë herë do të ndodhte, do të filloja vërtet të dyshoja.
Gjatë gjithë kësaj kohe, kur i kisha këto dilema se kush do të fionte, ose kur bashkë me Leon po vraponim që të mos e humbasim asnjë minut në mënyrë që të jemi në kohë në Kaliningrad, unë kurrë nuk e çova nëpër mendje që, përvec tjerash, kjo do të mund të ishte edhe një ndeshje e rrezikshme. Një natë më heret kënaqësha si një fëmijë kur i shikoja tifozët e Argjentinës dhe Kroacisë kur po këndonin nëpër sheshin e qytetit të Nizhny Novgorodit. Po qëndronin vetëm disa metra larg, të dyjat palët me ngjyrat e tyre, të dyja palët me këngët e tyre, të dyja palët me dëshirat dhe pritjet e tyre për ndeshjen. Në fund përqafoheshin. Ishte një ndjenjë fantastike.
Në mënyre naive po shpresoja që dicka të tillë të ndodhte edhe në Kaliningrad. Mirëpo, që nuk do të ishte kështu e kuptova që në Moskë, respektivisht në avion, kur kishim filluar t’i lidhnim rripat e sigurisë. Njëri prej udhëtarëve që ishte i ulur bashkë me mua, u ngrit në këmbë dhe duke u dridhur filloi të bërtiste me sa kishte fuqi: Serbia - Serbia. Ai pastaj, në ulurimë e sipër, në gjuhën serbe, i ftoi të gjithë ata që ishin në avion të ngritnin dorën nëse dëshironin që Serbia të fitonte kundër Zvicrës.
U stepa.
Ky udhëtar, de fakto, e mori kontrollin e avionit. Aty filloi një festë ruso - serbe. Palë u bën edhe stjuardesat. I vetmi që nuk u përfshi ishte piloti. Ndoshta ishte bërë edhe ai, por nuk po e shihnim. Kurse iniciatori i kryengritjes kishte filluar edhe të na fotografonte.
“Rusi është serbi më i madh”, thoshte një tjetër që ishte afër nesh. Një tjetër fliste rusisht, e disa të tjerë pastaj filluan t’i shanin, sic thonin ata, “šiptari” që luanin për Zvicër.
E gjithë kjo po ndodhte në avion te një linje të rregulltë të udhëtarëve, e jo në një avion tifozësh. Nuk e kisha menduar kurrë që edhe avioni komercial një ditë do të mund të shërbente për shfrenime flagrante nacionaliste. Nuk e di nëse të tjerët e dinin që aty ishin edhe dy shqiptarë, pra unë e Leo, mirëpo fakti që nuk e ngritëm dorën publikisht “pro Serbisë” i bënte të dyshonin. Kohë pas kohe e kthenin kokën në drejtimin tonë. Meqë ovacionet për ndeshjen filluan që nga avioni, meqë aty u përfshinë edhe stjuardesat, atëherë u binda që në stadium po na priste një ferr i vërtetë.
Ajo cfarë fillova të shpresoja ishte që së paku biletat ku ne do të uleshim të gjendeshin në një pjesë më neutrale, osë, nëse do të kishim më shumë fat, në pjesën ku gjenden tifozët e Zvicrës, ose tifozët shqiptarë. Isha i bindur që në stadium do t’i takoja disa mijëra shqiptarë. Kisha bërë kalkulime krejtësisht të gabuara. Nuk kemi qënë më shumë se 20, duke përfshirë edhe katër që po luanin në fushë bashkë me familjet e tyre.
Për fatin tonë - nuk e dija a për fatin tonë të mirë a për fatin tonë të keq - ne mbërritëm në kohë në Kaliningrad, që e kishte një aeroport të vogël dhe lehtë të navigueshëm. E morëm taksin e parë dhe u nisëm drejt stadiumit të qytetit, bashkë me valigjet që po i bartnim në 10 ditët e fundit. Nuk kishim kohë që të shkonim as deri në hotel.
Sa më shumë që po aviteshim të stadiumi, aq më të qarta po bëheshin gjërat. Në fushë të gjelbër gara do të ishte e barabartë, do të luanin 11 kundër 11’ve. Kurse jashtë saj do të përballeshin Davidi dhe Goliati. Nuk po e takonim asnjë shqiptar për bé. I shihnim, tek tuk, disa zviceranë të hutuar, që si duket ende nuk po e kuptonin se përse në radhën e ekipit kundërshtar atmosfera ishte armiqësore.
Kur ne po pritnim të kalonim kontrollin final, para se të futeshim në stadium, serbët tashmë kishin filluar ofendimet e para në drejtim të “šiptarima”. Unë dhe Leo, duke mos e takuar ende asnjë shqiptar, po shikoheshim në sy dhe po pëshpëritnim me njëri tjetrin. Gjendeshim mu në epiqendër të thirrjeve nacionaliste. Kurse loja ende nuk kishte filluar. Fotografitë e Vladmiri Putinit po na fluturonin para syve, kurse thirrjet për bashkimin e fuqishëm ruso - serb po na shurdhonin veshët. Të shoqëruar me këtë atmosferë e kaluam edhe kontrollin e fundit, përpara se të futeshim në amfiteatrin e madh, aty ku do t’i matnin forcat lojtarët profesionistë. Tashmë aty po ushtonte “Serbia - Serbia, Serbia - Rusia, Kosovo - Serbia”.
Me bileta në duar filluam të kërkonim vendin ku do të uleshim. Cdo gjë ishte e qartë: asnjë ulëse nuk ishte aq e mirë sa për ta parë një ndeshje sportive. Pyetja e vetme që ia vlente të shtrohej ishte nëse vërtetë bëm mirë që erdhëm këtu? Pas disa minutave kërkim nëpër stadium, fatkeqësisht, i gjetëm ulëset tona. Më keq nuk kishte ku të shkonte. I gjithë kombi shqiptar po shahej në kor nga rreth 30 mijë shikues. Gjëmonte Kaliningradi nga kjo sharje.
“Jebi jebi šiptara”
Në mënyrë më pak të organizuar, por nuk mungonin as thirrjet për vrasje të shqiptarëve, të njohur tashmë si “ubi ubi šiptara”. Ne ishim të vetmit në atë rreth që nuk po lëviznim. Ishim bërë akull. Për rreth nesh shumica ishin të pajisur me simbole nacionaliste serbe, me shajkacka, me bluza Kosova është Serbi, me fotografi te kriminelit të luftës Ratko Mladicit. Sigurisht që një numër i konsiderueshëm ishin edhe të dehur.
(Vijon nesër)