Vijës ndarëse mes historianëve që u nënvijëzua gjatë diskutimit të mëparshëm lidhur me motivet e kryengritjes së Skënderbeut dhe më gjerë - të shkaqeve të qëndresës arbër, ndaj pushtimit osman, i shtohet kështu një e dytë - ideja e Shtetit të tij, një temë debati ende e pambyllur.
Në këtë lëmi, opinionet mbeten qendërikëse dhe luhaten mes dy qëndrimeve skajore: “Shteti i bashkuar shqiptar, me karakter të theksuar kombëtar” i K. Frashërit dhe “sundimi i Skënderbeut mbi njerëzit dhe shumë më pak mbi një territor me kufij të përcaktuar… shumë-shumë, provinca dhe disa qytete-kala” të Schmitt-it (1). Nëse Noli, një nga biografët e tij më të shquar arrin thjesht të vërejë një përpjekje instiktive dhe të natyrshme “të Skënderbeut që t’i heqë qafe këta krerë centrifugalë dhe t’i aneksojë kantonet e tyre…” (2), është recenzenti i tij akademik A. Buda që i jep tonin muzikës historiografike që do të vijojë dhe tërheq vëmendjen e historianëve vendas drejt përpjekjes së tij të “… formimit të një monarkie feudale të përqëndruar, konditë paraprake e domosdoshme për formimin e një shteti nacional”. Fjala e fundit, ndoshta edhe më e përpunuar, i vjen A. Plasarit, i cili arrin të vërejë “dekalazhin” - e shqipëruar këtu shmangien, mes idealitetit politik të Gjergj Kastriotit dhe realitetit faktik në të cilin funksiononte “bota e krishterë” e asokohe - ndryshe, një “shtet” njëherësh realitet dhe iluzion (3).
Por pa asnjë dyshim, sinteza më e qëlluar e logjikës shtetformuese skënderbejane i përket K. M. Setton:
Skënderbeu nuk ishte thjesht një prej ushtarakëve më të shquar të shek. XV. Ai ishte gjithashtu një politikan realist. Historiani që studion burimet dokumentare lidhur me karrierën e tij, gjen një vijueshmëri të qëndrueshme të kthjelltësisë së vizionit të Skënderbeut. Sikundër dhe papët, ai kish një pikëpamje të thjeshtë të marrëdhënieve të tij me Turqit. Së pari, luftë e vazhdueshme kundër tyre, më tej lidhje paqeje (kur ishte e mundur) vetëm për të fituar kohë në përgatitjet e mëtejshme për luftë. Paçka se gjithnjë e më tepër, Venedikasit, Gjenovezët dhe Grekët e Moresë mundoheshin t’i peshonin të mirat dhe të këqijat e bashkëjetesës paqësore me Turqit, Skënderbeu besonte se çmimi i fundit i një paqeje të tillë do të ishte një skllavëri përulëse…
Ambicia e tij politike kufizohej në Arbëri, ku ai përpiqej të ndërtonte një shtet të përqendruar, duke i dëbuar krerët fisnorë belaxhinj nga fortesat e tyre malore. Por edhe këta të fundit ruanin lidhjen kryeneçe të malësorit me pavarësinë e tij dhe shpesh, i bënin thirrje Turkut të Madh që t’i ndihmonte për t’i shpëtuar tiranisë së Skënderbeut. Këta krerë shihnin me nostalgji nga e kaluara kaotike, ndërkohë që Skënderbeu vështronte përpara drejt vendosjes së një shteti të krishterë të përqendruar. Pushtimi turk mund të sillte më të keqen e këtyre botëve, të paktën sipas opinionit të Skënderbeut, duke imponuar sundimin arbitrar aq të druajtur nga krerët fisnorë dhe duke e shkëputur Arbërinë nga Respublica Christiana, nga bashkësia evropiane (4).
Me të tjera fjalë - me ato të Schmitt-it, thelbi i këtij debati të dytë mund të thjeshtohet në një përkatësi vlerash epokale - rimëkëmbja e botës së vjetër, sipas tij - ajo tradicionale malësore, e udhëhequr nga e drejta zakonore, nga fjala e dhënë, nga lidhjet farefisnore dhe të krushqisë; - krijimi i botës së re, sipas Setton - ajo e shtetit të krishterë, pjesë e Respublica Christiana, e frymëzuar nga ideologjia Papale, nga ideja e kryqëzatës… si njëri dhe tjetri, në kundërshti absolute jetë-a-vdekje me rendin osman !
* * *
Le të kqyrim tashmë shtyllën e tretë të veprës jashtëkohore të Skënderbeut, sipas përkufizimit të K. Frashërit: “kthimin e Shqipërisë në një gardh që pengoi kalimin e ushtrive osmane në gadishullin italik, duke mbrojtur kështu qytetërimin evropiano - perëndimor” (5).
Për të zhdavaritur misterin dhe për të kuptuar arsyetimin, para së gjithash, është e nevojshme t’i rikthehemi epokës dhe të “lexojmë” rishtas ngjarjet e mëdha që shënuan etapat e pushtimit turkosman të Ballkanit.
Kështu, pa asnjë dyshim, mund të thuhet se disfatat e njëpasnjëshme të lidhjeve ushtarake të sovranëve ballkanas në Marica (1371) dhe në Fushë-Kosovë (1389) e tronditën thellësisht hartën gjeopolitike të gadishullit: përveç Trakës Lindore dhe Adrianopojës, të pushtuara prej vitit 1361, e gjithë Bullgaria dhe Maqedonia kaluan në sovranitetin e osmanëve; Bizanti u mbajt më këmbë falë mureve të Kostantinopojës; Serbia e Lazareviçëve dhe Vllahia e Mirçeas u shndërruan në vasalë pak-a-shumë të bindur, ndërkohë që nga Epiri, nga Tesalia dhe nga Arbëria vjen kujtimi i disa princave apo despotëve të nënshtruar me hir apo pahir, madje edhe Hungaria e largët që kish filluar të dridhej përballë furisë osmane - këtu mjafton të thuhet se, për t’u rikthyer në tokat e veta pas disfatës së bujshme të Nikopojës (1396), mbretit hungarez Sigismund iu desh mbi një vit t’i binte rreth e qark Evropës.
Fillimi i shek. XV shënon një moment të rëndësishëm: pasi u thye në Ankara (1402) si pasojë e ndeshjes kundër shkëmbit mongol, makina ushtarake osmane u bllokua ashpërsisht e mbeti në vend dhe, pas një çrregullimi për dy dhjetëvjeçarë, iu desh t’i rikthehej edhe një herë pushtimit të Ballkanit. Ndërkohë në Perëndim u shfaqën fillesat e një ndërgjegjësimi në lidhje me rrezikun turk dhe Papati hidhte thirrje të njëpasnjëshme për të ngritur një kryqëzatë të re. Vetëm Hungaria, e interesuara kryesore, bëri përpjekje për ta ndalur vrullin osman. Disa herë rresht – në Nish (1443), në Varna (1444) në Fushë-Kosovë (1448) dhe në Beograd (1456) – hungarezët morën iniciativën dhe zbritën në terrenin ballkanik.
Por, me gjithë gjeninë ushtarake të një Janko Huniadi dhe fuqinë e kohortave të tij polako-vllahe-magjare, rezultatet qenë tërësisht të pamjaftueshme, për të mos thënë katastrofike: hungarezëve iu desh të tërhiqeshin në brigjet e Danubit dhe të ngujoheshin në Beograd; Kostantinopoja - simbol i shkëlqimit të dikurshëm të krishterimit, ra në vitin 1453; Serbia e humbi sovranitetin e saj të kufizuar, si dhe Brankoviçin e vet të dashur në vitin 1455/1456; Vllahia, jo vetëm pas pushtimit osman të vitit 1463, por edhe përpara tij, nuk dihej nëse ekzistonte apo jo, me gjithë njëzet sovranët që zëvendësuan njëri-tjetrin përgjatë tridhjetë vjetëve, pa harruar këtu edhe zulmëmadhin Shkuarës në Hu Vlad Drakul; së fundi, Bosnja ishte gjysmë-osmane qysh përpara vitit 1463 …
Në vigjilje të vdekjes së Skënderbeut në vitin 1468, osmanët ndodheshin në portat e Hercegovinës dhe kërcënonin bregdetin dalmat. Të vetmit ishuj të qëndresës që kishin mbetur në Ballkan, qenë rajonet tepër të ashpra të Peloponezit, Epirit, si dhe malësitë e Arbërisë dhe të Malit të Zi, pa llogaritur atë pjesë të bregdetit dalmat dhe kroat, e cila nuk u bë asnjëherë osmane.
-
Ky rrethqarkullim i horizontit tregon shkoqur se Heroi ynë pati munguar në të gjitha ndeshjet ballkanike më të rëndësishme të epokës së vet. Sigurisht ai nuk e kish parë ende dritën e diellit, kur të krishterët luftonin në Marica, në Fushë-Kosovën e parë apo në Nikopojë; por ama, gjendej i rreshtuar në anën “myslimane” dhe e braktisi mejdanin e betejës së Nishit. Ai mungon mizorisht qoftë në apelin e Varnës qoftë në atë të Fushë Kosovës së dytë – pa harruar së fundi ndeshjen hungaro-osmane përpara Beogradit.
Edhe pse kjo gjë nuk zvogëlon asnjë grimë, as kurajën, as trimërinë apo edhe madhështinë e tij, duket qartë se i vetmi horizont i aksionit strategjik të Skënderbeut kundër osmanëve ishte Arbëria e tij e lindjes. -
Ndoshta ka qenë A. Gegaj i pari i sërës së historianëve vendas që formuloi idenë se “duke e ndalur valën osmane që kërcënonte të përmbyste Italinë, Skënderbeu dhe populli i tij bashkëndihmuan fuqishëm për të shpëtuar qytetërimin perëndimor”.(6) Ç’është e drejta, fillimisht papa Nikolla V në vitin e largët 1450 u bëri thirrje të gjitha fuqive evropiane për t’i ardhur në ndihmë kryqtarit arbër. Më tej, ishte papa Kalikst III në qershor të vitit 1457, i ndjekur nga pasardhësit e tij: Piu II dhe Pali II, që lëvdoi bëmat e Heroit dhe nxiti përpjekjet e tij kundër osmanëve, duke e cilësuar si “Fortis athtleta et verus propugnator fidei christiane” dhe vendin e tij “Antemurale Christianitatis” - ledhi mbrojtës i krishterimit, ai “gardhi” i Frashërit të mësipërm.
Sidoqoftë, është e udhës të thuhet se Skënderbeu nuk qe i vetmi laureat papal i titullit të shumëpërfolur. Para, krahas dhe pas tij, kryqtarë të tjerë të shquar ballkanikë apo evropianë si: Janko Huniadi, Stefani i Madh i Moldavisë apo polaku Jan III Sobieski, merituan vëmendje dhe vlerësime të ngjashme. Në të njëjtën mënyrë, motivi i ledhit mbrojtës Antemurale rivjen pareshtur në ndërgjegjen kolektive të një vargu popujsh të Evropës Lindore dhe Qendrore: kroatë e serbë, sllovenë e hungarezë, sllovakë e polakë - deri edhe ukrainasit - mburren me rolin e tyre vendimtar në mbrojtje të qytetërimit evropian, të krishterimit apo të të dyve bashkë. -
Realiteti historik e tejkalon ndjeshëm imazhin e krijuar nga kryeshtabi papal i kryqëzatave të krishtera dhe nga Evropa humaniste e asaj kohe. Secili nga protagonistët e epokës - në radhë të parë vetë Skënderbeu - ishin të ndërgjegjshëm se, pasi kishin nënshtruar pjesën dërrmuese të Ballkanit, qëllimi i sulltanëve ishte që të depërtonin në zemër të Evropës, dhe rrugët natyrore vertikale të gadishullit që çonin drejt Beogradit e më pas drejt Budapestit, për të mos thënë drejt Vjenës, nuk kalonin nëpër Arbërinë e Skënderbeut, e cila mund të priste ende radhën e saj.
Dikush mund të përmendë gjithashtu transversalen e famshme Via Egnatia… por në këtë rast, na duhet të themi se jo vetëm skaji i saj natyror Durrësi ishte venedikas… por edhe pika ndërmjetëse e Ohrit kontrollohej nga osmanët. Në të njejtën mënyrë, edhe skaji tjetër periferik i kësaj udhe të lashtë - Vlora përballë Brindizit ka qenë gjithë kohën jashtë çdo kontrolli arbër - e pushtuar nga osmanët qysh në fillim të shekullit të XV. Sikundër dhe kështjella mbrojëse e drejtpërdrejtë e Kaninës apo edhe kështjellat mbrojtëse periferike të Gjirokastrës apo të Beratit që mbronin rrugën paralele me pikënisje Janinën.
- Në ç’mënyrë kështu Skënderbeu, nga bedenat e Krujës së tij sa heroike po aq të izoluar pengoi kalimin e ushtrive osmane në gadishullin italik ? A mjaftonte vetëm fama e Krutanit të Madh për t’ju kallur turqve datën dhe për t’ju prerë krahët rremtarëve të galerave në sulmin e tyre aq të ëndërruar ndaj brigjeve italjane - për të rrënuar qytetërimin perëndimor ?
- Përse pra, edhe pas vdekjes së Heroit, në vitin 1480, e vetmja përpjekje osmane sulmi ndaj brigjeve italiane me pikënisje pikërisht Vlorën, dështoi në Otranto - për fatin e mirë të sovranëve të Italisë së Jugut, të mbetur jetimë pas vdekjes së Skënderbeut ?
- Si shpjegohet që, edhe një shekull më vonë, në kohën e Sulejmanit II – Ligjvënësit të shkëlqyer, me gjithë mungesën e mburojës arbëre, me gjithë flotën osmano-pirate të pashoqe të Hajredin Barbarosës së famshëm ose të Eulgj Alisë – Renegatit – me që ra fjala edhe ata arbër, dhe zotërimit thuajse të plotë të Mesdheut Lindor, osmanët arritën të pushtojnë Algjerin dhe nuk e patën ngasjen për ta mësyrë rishtas dhe për ta pushtuar Gadishullin Italik?
Përfundimisht, nëse Skënderbeu dhe Besëlidhja e tij e Lezhës përbënin një nga ledhet e krishterimit në Ballkan, një pengesë serioze anipse periferike ndaj përparimit osman dhe mysliman drejt Evropës të shek. XV, duhet të pranojmë se ai nuk qe as bedeni i vetëm as edhe i fundit. Historia - gjithmonë ajo, na mëson që, sa më thellë depërtonin ushtritë fushore osmane në thellësi të Evropës, sa më e madhe bëhej distanca e tyre nga qendra, aq më i vështirë dhe i pamundur bëhej përparimi i tyre i mëtejshëm. Gjatë gjithë kohrave, ushtria osmane jo vetëm ishte kryesisht tokësore (vetëm 3% e krahut të punës dhe 4% e pagesave shkonin për forcën detare), por edhe forca e vet goditëse ishte e natyrës kalorëse (75% e forcave të armatosura). Në këtë mënyrë, rrezja e veprimit të saj përcaktohej varg faktorësh, si për shembull: kufizimet teknologjike, kufizimet e kostos së shpenzimeve, kufizimet gjeografike dhe mjedisore (stinët), kufizimet e motivimit luftarak dhe ato të kufijve të veprimit të pushtetit qendror.(7) Ja përse ajo ngeci përfundimisht në muret e Vjenës në 1683, paçka talentin e Kara Mustafa pashajt - një nipoll nga familja e Qyprillinjve !
Nga ana tjetër edhe në hapësirën detare: sado madhështore të ishte flota osmane, ajo mbetej gjithmonë disa shkallë më poshtë - thuajse e pafuqishme - ndaj shumës së flotave venedikase, spanjolle, gjenoveze, papale dhe franceze, të cilat përbënin atë mburojën tjetër të qytetërimit të krishterë.
Le t’ja lëmë fjalën e fundit një osmani - paçka i sotëm:
… Arbëria konsiderohej nga osmanët si një bazë për të pushtuar Italinë dhe shtetet italiane, si vija e tyre e parë e mbrojtjes, sikundër dhe si pikënisje e kryqëzatës kundër osmanëve. Gjatë shek. XV, interesimi në rritje dhe zelli i papëve për të organizuar kryqëzata kundër osmanëve ish më tepër e lidhur me rrezikun e drejtpërdrejtë osman mbi shtetet e papës, sesa me çlirimin e Tokës së Shenjtë. Mbretërit aragonas të Napolit luftuan në Arbëri kundër osmanëve për hir të sigurisë së tyre qysh prej viteve 1430, sikundër dhe sulmi osman drejt zonës së Ankonës që ishte ndier si rrezik i gjithëgjendur gjatë gjysmës së parë të shek. XV. Por, sidoqoftë, ishte sipëria detare e Venedikut, sikundër dhe vija e saj e fortë e mbrojtjes në Adriatik, në Jon dhe përgjatë bregdetit shqiptar, e cila i varrosi përfundimisht planet osmane të pushtimit dhe i dha një kuptim të vërtetë sigurisë së italianëve. Kështu, osmanët nuk hartuan plane dhe nuk tentuan kurrë pushtimin e Italisë, pa rrënuar paraprakisht faktorin venedikas qoftë nëpërmjet ndonjë marrëveshjeje, qoftë nëpërmjet pushtimit të bazave venedikas në zonë.(8)
* * *
Çfarë rrezikon thelbi i mitit historiografik skënderbejan nëse lëkunden kësisoj dy prej shtyllave të tij mbajtëse: Shteti i bashkuar shqiptar dhe Gardhi mbrojtës i qytetërimit evropiano-perëndimor?
Nëse dikush si shmitizuesi Lubonja rreket të rrënojë imazhin tashmë të vjetër nacional-romantik të Skënderbeut - komb-dhe-ndërgjeje-formues të shqiptarëve, duke e damkosur si një prej simboleve të paradoksit të të jetuarit mes lavdisë të botës virtuale dhe botës së tyre reale?(9)
Besa, ajo çka rrezikon është thjesht të mbahet mbi një shtyllë të vetme: të rrudhet në përmasën e informacionit parësor dhe drithërues që vjen nga thellësia e kohrave, si dëshmi e zhveshur nga çdo orvatje panagjerike apo nostalgji lavdithurëse - epopeja çerekshekullore e qëndresës mbinjerëzore e një grushti arbërorësh me në krye Skënderbeun ndaj përpjekjes së ngultë dhe të përsëritur të pushtuesit osman - superfuqisë ushtarake të epokës. Një epope, për të mos thënë një aventurë çmëndurore - e tmerruar thotë Noli, sipas standardeve të sotme morale, politike ekonomike apo ushtarake.
Përfundimisht, një epikë legjendare që edhe vetë historianët - në mungesë të ndjeshme të shifrave dhe dëshmive dokumentare, të rregjistrave dhe të kujtimeve të drejtpërdrejta, detyrohen ta shpërfytyrojnë për ta rrethqarkuar me kuadrin metodologjik të shkencës së tyre … një shkencë e cila preferon më mirë të ushqejë mitin se sa t’i hapë shtegun legjendës.
Sidoqoftë, le të ruhemi nga çdo gjykim i paracaktuar dhe i ngutur, edhe sikur të bëhet fjalë për lëminë e legjendave apo edhe të miteve, pasi, përpara sesa ato të nga birësohen dhe të shfrytëzohen nga ana e një pushteti – cilido pushtet – legjenda dhe sivëllai i tij miti lindin dhe ushqehen gjetkë. E thënë ndryshe, ato janë vepër e njeriut – e njerëzve që, para së gjithash, kanë qenë pjesë përbërëse e “shoqërive tradicionale”, shumë më përpara sesa të emancipohen dhe të ndërgjegjësohen - në sensin historik të fjalës, përpara se të instrumentalizojnë të kaluarën e tyre dhe ta shëndrrojnë në pronë ose pasuri të ndonjë klase politike.
Për fat, madhështia e legjendës dhe e mitit nuk varen as nga përmasat e kombit, as edhe nga vendi që zë ai në panteonin e historisë botërore. Para së gjithash, bëhet fjalë për një krijim spontan të gjenisë anonime, ku dëshmia njerëzore rimerret dhe tretet në folklorin tradicional për t’u shndërruar në esencë të ekzistencës kolektive, ku bindjet e sinqerta dhe besimet primitive shkrihen në njëra-tjetrën dhe i bëjnë thirrje origjinës së tyre të largët të përbashkët, në kundërshtim me të gjitha ligjet e rëndesës që rregullojnë ekuilibrat e botës.
Janë disa aspekte të botës sonë, që nuk mund të përfshihen brenda racionalitetit konvencional… Mitet janë një prej rrugëve, me anë të të cilave bashkësitë njerëzore dhe, në këtë kontekst, në mënyrë të veçantë kombet, ngrenë dhe përcaktojnë themelet e qenies së tyre, sistemin e tyre të moralit dhe vlerave. Anëtarët e bashkësisë mund të jenë të ndërgjegjshëm se miti që pranojnë, nuk është plotësisht i saktë, por, meqenëse miti nuk është histori, kjo gjë s’ka fort rëndësi. Është përmbajtja e mitit që mbetet e rëndësishme, jo saktësia e tij si rrëfim historik (10).
Le të këqyrim kësisoji një aspekt fort pak të njohur të kësaj epopeje, të përmendur fillimisht nga Barleti, i rimarë nga Biemmi dhe të përmendur nga Noli, në botimin e parë të veprës së tij(11):
Kështu, në vigjilje të rrethimit të parë të Krujës nga Murati I, Skënderbeut iu shfaq Shën Gjergji - mbrojtësi i Arbërisë. Shenjti i zgjati shpatën e tij të ndritshme, duke i thënë: “Merre këtë shpatë, armë që ta dërgon vetë dora e Perëndisë, dhe me këtë shtriji në këmbët e tua të gjithë armiqtë që lëftojnë Arbërinë dhe Krishterimin.” Është vetë Skënderbeu që jua rrëfen këtë vizion banorëve të tmerruar të qytetit dhe janë peshkopët e tij që e përhapin gjithandej…
E pra, ndërkohë që konsiderohen si informacione të paçmuara nga Noli, sepse, sipas tij “ia hapin udhën hipotezës që Skënderbeu shikonte vizione dhe dëgjonte zëra prej qiellit, sikundër kryetrimja frënge Jana e Arkës, me të cilën ishte vëlla nga shpirti, nga flaka patriotike dhe nga nxehtësia fetare”. " ato quhen natyrisht “historiza” apo “trillime” nga Frashëri - dhe kalohen në heshtje të plotë nga Plasari, pa folur më për Schmitt-in.
Historiza apo trillime qofshin sipas prizmit të historianit racional, të sjella dhe ndoshta të sendërgjuara nga jehona legjendare… Por kush përveç arsyes tonë të sotme mund të na pengojë të heqim një paralelizëm fort interesant vizionesh mes bashkëkohësve frënges Janë dhe arbërit Gjergj?
Kështu - dhe kundër kësaj arsyeje, njëzet vjet pas vdekjes së “virgjëreshës së Orleanit”, Perëndia kësaj radhe nuk zgjedh më kryeengjëllin Gabriel, por shenjtin Gjergj - për t’i transmetuar porositë e saj të përzgjedhurit vdekatar… që thjesht me forcën e krahut të tij provon se zgjedhja e bërë nga Zoti, është e qëlluar !
Përfundimisht, nuk është aspak mistika mesjetare por ai anonimati jashtëkohor i mësipërm, i rrjedhur nga përmasa universale të bindjes së brendshme, që lejon të këqyrim me të njëjtën ndjenjë mrekullimi gjestin e madhërishëm të një bareshe, thuajse fëmijë, e ndriçuar nga hirësia hyjnore, e cila zbulon prirjen e paracaktuar dhe përmbush qëllimin e parashkruar – kurorëzimin e mbretit dhe çlirimin e vendit të saj, sikundër dhe atë gjestin tjetër, jo më pak të lartë, të një malësori, burrë i pjekur dhe i frymëzuar nga bindja e tij e thellë, i cili e përdor fuqinë e krahut të vet dhe dëgjon thirrjen e shpirtit – ose të Qiellit - por që gjithësesi e shtyn të ruajë dhe të mbrojë “gjënë e tij” dhe të popullit të tij, mbi bazën e vlerave që ai i quan të shenjta (12).
* * *
Aty ku gjendet që prej pesë shekujsh e tëhu, në skajin e Purgatorit ku prehen të gjithë Kapedanët e mëdhenj, besoj se shpirti kalorësiak i Skënderbeut i ka larë hesapet e vjetra me çështjet e botës së tij arbër që pasi i besoi një kohë të parë, më tej e tradhëtoi dhe i ktheu shpinën. Zaten, për gjithçka që ai arriti të kryejë në dobi të Principatës së tij arbërore - dhe të Papatit të Romës, në të gjallë të tij, ai thjesht pret rradhën të vishet me shenjtërinë e nevoshme për të vazhduar rrugëtimin e paracaktuar drejt thellësisë qiellore.
Hamendem që Ai, ndërkohë, si Princ i vobektë i racës malësore që ish, si besimtar i bindur dhe si idhujtar i Kryqit, të jetë përshpirtur thellësisht - në mos për ata mijra turq të ligj që i është dashur të vrasë me dorë të vet, të paktën për një popull të tërë të flijuar për qëllimet e tij të larta, për zhdukjen e ajkës së kalorësisë dhe të fisnikërisë arbër, në emër dhe shërbim të idesë së lirisë - sikundër dhe për fatin e keq të atyre dhjetra mijra arbërve të tjerë që si zogjtë e korbit, pas vdekjes së Prijësit, morrën udhën e kurbetit në tokat italjane apo venedikase. I pafanë Prijësi, të pafanë edhe ata!
Amara terra mia… e bella!
Besa, lidhur me botën tonë shqiptare çështja qëndron ndryshe. S’ka pikë dyshimi se Atij s’i hynë aspak në sy as hosanatë e përdëllyera të historianëve për t’i hapur katërsh portën e Parajsës, siç dihet të rezervuar për të Drejtët etër të Krishtërimit dhe bamirës të Njerëzimit - sikundër që të mos i bëhet fare vonë për përpjekjet e shmitizuesve që duan ta shohin në Ferr, mes turmës së vrasësve hakmarrës dhe të apostatëve mosmirënjohës.
Por jam më se i bindur se Ai shpirt sipëror - nëse e ka ende atë ngé apo forcë të këqyrë nga lart këto vise, mëdyz mes dy ndjenjave të kundërta:
- keqardhje ndaj turmës qindra mijshe të bashkëvendasve të tij të mjerë që sot e kësaj dite në kohë paqeje, vazhdojnë të trokasin dyerve të Evropës - pikërisht të asaj Evrope të krishterë që mendohet se ai e mbrojti me besë, me nder dhe jetë;
- sikundër dhe përbuzje ndaj skotës së mbrapshtë të stërnipërve të tij pushtetarë që gjatë gjithë egzistencës së Shtetit shqiptar të pavarur - ëndrrës së tij të parealizuar, për hir të interesave personale, të grupit apo materiale, i kanë shkaktuar këtij vendi një hemorragji të tillë që as edhe Perandoria e urryer osmane me gjithë jeniçerët, spahinjtë apo akinxhinjtë e saj s’ishte në gjendje as ta imagjinonte as dhe ta realizonte!
Amara terra mia - e sfortunata!
(Fund)
________________
(1) Oliver Jens SCHMITT– Skënderbeu, K&B, Tiranë 2009.
(2) Fan S. Noli - Gjergj Kastrioti Skënderbeu, 1405-1468, Sht. Mihal Duri, Tiranë 1967.
(3) Aurel PLASARI - Skenderbeu, një histori politike, Instituti Shqiptar i Studimeve “Gjergj Fishta”, Tiranë 2010.
(4) Kenneth Meyer SETTON - The Papacy and the Levant (1204 - 1571), Vol. 2: The Fifteenth Century, The American Philosophical Society, Philadelphia 1978.
(5) Kristo FRASHËRI - Skënderbeu, jeta dhe vepra - Toena, Tiranë 2002.
(6) Athanas GEGAJ – l’Albanie et l’invasion turque au XVème siècle, Université de Louvain, Paris, 1937.
(7) Rhoads MURPHEY - Ottoman Warfare, 1500 – 1700, UCL Press, London 2001.
(8) Halil INALCIK - The Ottoman Turcs and the Crusades, 1329 - 1451, Në: Kenneth Meyer SETTON (Gen. Ed) - A History of the Crusades, Vol.6: The Impact of the Crusades in Europe, The University of Wisconsin Press, Wisconsin 1989.~
(9) Fatos LUBONJA - Between the glory of a virtual world and the misery of a real world. Në: Stephanie Schwandner SIEVERS & Bernd FICHER (Eds.) - Albanian Identities, Myths and History, Indiana University Press, Indiana 2002.
(10) George SCHÖPFLIN - The Functions of Myth and a Taxonomy of Myths; Në: Geoffrey HOSKING & George SCHÖPFLIN (Eds.) - Myths and Nationhood. Routledge, New York 1997.
(11) Fan S. NOLI - Historia e Skënderbeut (Gjerq Kastriotit) Mbretit të Shqipërisë 1412-1468, Boston, Mass. 1921.
(12) Gjergj XEXO - Përjetësisht të Panjohur, Mbi Shqipërinë dhe shqiptarët V. I,- Esse historike, Toena, Tiranë 2015.