Kitshi dhe kallpi (Pjesë e II-të)

2) Kozmetika e kozmosit

Në lashtësi njeriu jetonte me vetëdijen që atij i përket një pozitë e veçantë në kozmos, dhe që çdo mendim, fjalë dhe xhest i njeriut implikon pasoja në nivelin kozmik, për këtë arsye i blatonte perëndive me bindje të plotë lutje, oferta dhe sakrifica. Profetët hebrej - dhe jo vetëm ata - shpallnin se ekzistojnë lidhje të ngushta midis njerëzimit dhe kozmosit, midis mëkatit dhe mënxyrave natyrore; në kuptimin që sjellja e njerëzve kishte ndikim të drejtpërdrejtë mbi natyrën, ose që bota shpirtërore ndikonte fuqishëm mbi botën fizike (vetkuptohet dhe anasjelltas). Sipas mendësisë së lashtë ruajtja dhe vënia në praktikë e parimeve hyjnorë - të cilët rregullojnë ritmet dhe harmonitë kozmike - garantonte raportin frutdhënës dhe delikat njeri-natyrë, gjithnjë i kërcënuar prej qëndrimeve dhe praktikave mëkatare. Pra katastrofat naturale ishin rezultat i drejtpërdrejtë i thyerjes së parimeve dhe ligjeve hyjnorë, sepse njeriu zotëron fuqinë të çakërdisë rregullin makrokozmik fizik nëpërmjet çoroditjes së rregullit mikrokozmik shpirtëror (abuzimit moral). Kjo tezë naive primitive është vërtetuar saktë në epokën moderne prej katastrofës ekologjike të shkaktuar nga sjellja e pandërgjegjëshme e njeriut të kulturua dhe sofistikuar modern që sillei në mënyrë barbare, dhe aspak “primitive”.

Nga pikpamja e mësipërme Rënia e njeriut të përshkruar në Zanafillë - interpretuar rëndom si ndarje tragjike midis njeriut prej Zotit - rezulton edhe ndarje tragjike midis njeriut dhe krijimit të Zotit, me fjalë të tjera besëlidhja origjinale, perveç se lidhur midis Krijuesit dhe njeriut, ishte lidhur edhe midis njeriut dhe Krijimit. Premtimi që Zoti i dha Abrahamit se prej sojit të tij do të zinin fill kombe dhe popuj, ripërtërinte bekimin zanafillor “shumohuni” dhënë Adamit e Evës dhe keqpërdorur prej tyre (Rënia), pra besëlidhja abrahamike synon të restaurojë ndarjen tragjike Zot-njeri nëpërmjet fesë, dhe meqë është veprimtaria fetare që përhap sojin e njerzve të Zotit mbi tokë, Abrahami konsiderohet ati i fesë prej besimeve të Librit. Por në Zanafillë bashkë me bekimin “shumohuni” ishte dhënë edhe bekimi “sundoni mbi peshqit e detit dhe mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo kafshë që lëviz mbi tokë” (Zan. 1,28), pra besëlidhja fillestare e tejkalonte nivelin fetar të shpëtimit të vetëm njeriut - të arritur nëpërmjet rivendosjes së harmonisë origjinale midis Krijuesit dhe krijesës - dhe arrinte deri në nivelin artistik të shpëtimit kozmik nëpërmjet rivendosjes të harmonisë origjinale midis krijesës dhe Krijimit. (Në këtë rast Krijimi konceptohet sipas botkuptimit panenteist që konsideron universin trupin e një Zoti me personalitet, ndryshe nga panteizmi që nuk pranon Zotin me personalitet, dhe e paraqet universin si një kufomë pa shpirt në kalbëzim e sipër për shkak të rritjes së entropisë).

Termi kosmos, që në greqishte të vjetër përmblidhte bashkë kuptimin e krijimit dhe të bukurisë, e dëshmon Krijimin si një vepër arti; pra shprehja “bukuria e kozmosit” rezulton një pleonazmë. Në origjinë termi kosmos kishte kuptimin e rregullit të një shoqërie të organizuar mirë; më pas mori edhe kuptimin e rregullit në gjithësi, dhe së fundi të Krijimit ose gjithësisë në vetvete; sipas Platonit gjithësia është një krijesë e gjallë e paisur me shpirt dhe arsye, dhe jo rregullsia e pashpirt fizike e botkuptimit modern, rëndom shkencor. Termi në fjalë kishte gjithashtu kuptimin e sjelljes së mirë dhe të edukuar, njëkohësisht edhe zbukurim dhe stoli; arti i stolisjes dhe zbukurimit të grave quhej kosmetikos, prej nga prejardhet termi “artikuj kozmetikë”. Në greqishte të vjetër nuk ekziston një term specifik për të treguar artin e mirfilltë në kuptimin e sotëm të fjalës; këtë funksion e kryente fjala techne e cila kishte shumë kuptime: art ose zanat; rregulla të artit ose teknika; aftësi ose zotësi; vepër arti; mjet, sajesë ose marifet; dinakëri ose mashtrim. Fjala latine ars - nga prejardhet fjala arte në italisht e spanjisht dhe art në gjuhën frenge dhe inglize - dikur përdorej në një kuptim më të gjërë se sa sot; kuptimi i saj shkonte nga “prodhim” deri në “aftësi” dhe “mjeshtëri”, kuptim që akoma mbijeton në fjalën artizanat, ose në art kulinar, arte marcialë, art ushtarak, etj. Në gjuhën ruse fjala iskusstvo=art ka rrënjë të ngjashme me fjalët aftësi, mjeshtëri, ndërmarje, provë etj.

Eshtë tregues fakti që termi grek tekne nuk bën dallim midis prodhimit industrial dhe arteve të bukur ose simbolike; dhe pothuaj përgjatë gjithë historisë së njeriut këto dy aspekte kanë qenë të pandashëm, njëri duke respektuar kushtet dhe funksionet objektive, e tjetri duke i’u përgjigjur me domosdoshmëritë subjektive - Lewis Mumford, Miti i makinës (1)

Kulturat e lashtësisë dëshmojnë për ekzistencën e një lidhje të ngushtë midis artit të farkëtarit, shkencave okulte (shamanizmit, magjisë, heqjes së syrit të lig etj) dhe artit të këngës, valles e poezisë. Sipas mendësisë primitive farkëtari, metalurgu, “zoti i zjarrit” është simboli i sundimit dhe i pronësisë mbi elementët, dhe për pasojë edhe mbi tërë botën; ai nëpërmjet zjarrit shndërron materien duke krijuar diçka të re që nuk ekzistonte më parë, prandaj admirohej prej njeriut primitiv dhe në të njëjtën kohë shmangej si tepër i frikshëm. Në shumë mitologji farkëtarët hyjnorë farkëtojnë armët e perëndive kundër forcave të së keqes (dragoj, përbindsha, hidra etj) në betejën vendimtare për sovranitetin e botës, ndërsa Perëndia Farkëtar përveçse artizan është njëkohësisht edhe arkitekt dhe ka lidhje të ngushta me artin e këngës, valles dhe poezinë. Jo rastësisht në mitologjinë greke perëndia e zjarrit - farkëtari Efest ose Vullkani në mitologjinë romake - kishte për bashkëshorte perëndeshën e bukurisë Afërditë. Të njëjtat ndërlidhje dëshmohen nga etimologjia në gjuhën arabe, hebraike, siriane, etiopiane, sanskrite, paleoskandinave, renane, turk-tartare, mongole, rom-e (cigane); termi artifex në lashtësi kishte kuptimin e njeriut që ushtron njëkohësisht një art dhe një zanat, pa bërë asnjë dallim ndërmjet tyre. Alkimia përcaktohej prej mjeshtërve të saj si art, madje si “arti mbretëror” (ars regia) i trasformimit shpirtëror nëpërmjet proceseve metalurgjikë të lidhjeve metalike dhe pastrimit të metaleve.

fund i pjesë e II-të

(1) Lewis Mumford, Il mito della macchina, faqe 21, il Saggiatore, Milano, 1969.


pjesën e mëparëshme e gjeni këtu