Kitshi dhe kallpi (Pjesë e III-të)

Zgjedhja, pro ose kundër Zotit, imponohet edhe në më të voglin akt të jetës së përditshme - Augusto del Noçe, Problemi i ateizmit.

3) Mikro dhe makro

Ambicja e alkimistëve për shndërrimin e materies në ar nëpërmjet “gurit filozofal”, nuk synonte shndërrimin kimik të një materiali çfardo në monedha ari - siç rëndom propoganduar prej kujt e ka hallin vetëm tek verdhushkat -, por synonte shndërrimin rrënjësor shpirtëror. Për alkimistët psiche dhe materie përbënte një entitet të vetëm - dmth sipas tyre shndërrimi shpirtëror implikon shndërrim fizik (vetkuptohet edhe anasjelltas) -, ndërsa ari kishte vlerë simbolike si arketipi i diellit, dritës, ndriçimit të vërtetës, trasformimit shpirtëror nëpërmjet njohjes së vërtetës dhe veprimit ca të tjera më pas. Në fakt zhvillimi teknologjik dhe ekonomik bashkëkohor mbështetet mbi cfilitjen e alkimistëve, dikur të masakruar prej Kishës dhe sot të përtallur nga mendësia shkencore iluministe, krejt mosmirnjohëse për pararendësit e progresit modern që kultivuan shkencën të parët (megjithse në një mënyrë që nuk përputhet me konceptimin e sotëm të saj si vetëm vëzhgim shqisor dhe objektiv i dukurive natyrore). Kisha zyrtare përndoqi dhe masakroi pa mëshirë alkimistët për shkak se besimi alkimik nuk përputhej me dogmën e krishterë të shpëtimit universal të realizuar njëherë e përgjithmonë prej Jezu Krishtit. Ndërsa sipas traditës alkimike Jezui ka shpëtuar vetëm njerëzimin, prandaj edhe rropatja e alkimisë për të shpëtuar edhe të gjitha gjërat e krijuara (apokatàstasis=shpëtimi kozmik) nëpërmjet aftësive shndërrimtare magjike të “gurit filozofal” (Krishti është filius microcosmi ndërsa “guri filozofal” është filius macrocosmi). Pavarsisht se shpreheshin në mënyrë mistike dhe hermetike dhe pa vetëdijë të plotë për çfarë vërtet po bënin, alkimistët hapën rrugën si pionerë dhe përgatitën situatën për epokën e shumëpritur në të cilën do të shpëtohej tërë Krijimi nëpërmjet rilidhjes së besëlidhjes zanafillore midis Krijuesit, Krijesës dhe Krijimit. Alkimistët, ndonëse nuk i kishin kartat në rregull me Kishën zyrtare, me Lajmin e Mirë i kishin që ç’ke me të:

Në të vërtetë krijimi pret me padurim shfaqjen e bijve të Zotit … sepse vetë krijimi do të çlirohet nga skllavëria e shthurjes, për të marrë pjesë në lirinë e lavdisë së bijve të Zotit … sepse dimë se deri tani mbarë krijimi rënkon dhe është në mundim - Romakëve 8, 19-22.

Njëkohësisht ishin fare në rregull edhe me Testamentin e Vjetër, në të cilin shkruhet e zezë mbi të bardhë urdhëri për të sunduar njeriu mbi tërë Krijimin (Zan. 1,28). Në të njëjtën gjatësi vale rropateshin edhe anëtarët e shoqërisë sekrete Rosa-Croce, të cilët lajmëruan ardhjen e një mesie të quajtur Elia Artisti, i cili do të shpëtonte botën duke përdorur mjete thjesht alkimikë. Shoqëritë analoge të Urdhërit Templar dhe Masoneria - njësoj si elita e fisnikërisë të Spartës së lashtë, Samurai në Japoni, Sikarët ose Zelotët në kohën e Jezuit etj - ishin istitucione të formuara dhe të komanduara prej një kodi etik, i cili nuk synonte vetëm të rregullonte raportet morale midis njerëzve të zgjedhur, elitave dhe shoqërisë në përgjithsi, por synonte kryesisht që veprimtarinë njerzore ta harmonizonte me rregullin e kozmosit dhe ligjin hyjnor; dmth kodi etik në fjalë ishte në të njëjtën kohë kod logjik, etik dhe estetik ose thënë shkurt kod kozmologjik (rikrijim dhe rindërtim i një bote të rregulluar sipas ligjesh që garantojnë njëkohësisht vërtetsinë, mirësinë dhe bukurinë).

Masoneria përshkohet tej e ndanë prej idesë së kostruktimit dhe ndërtimit progresiv; përveç etimologjisë së termit (frëngjisht: maçon=murator), simbolet kryesorë të saj - çekiç, vizore, niveltregues, gurë grezo, gurë i latuar - kanë të bëjnë drejtpërdrejt me artin e ndërtimit. Framasoneria “operative” në Mesjetë ishte një shoqëri të iniciuarish që mblidhte rreth saj ndërtues të zgjedhur, arkitektë dhe mjeshtër të kualifikuar; në të bënin pjesë të gjithë ata që ndërtuan katedralet gotike dhe shumë ndërtesa të shenjta të tjera. Këta personë të veçantë kishin njohje të thella për matematikën dhe gjeometrinë që arrinin në kufi me hyjnoren, dhe prandaj i ruanin me xhelozi si sekrete zanati. Meqë sipas mendësisë primitive ekzistojnë lidhje të ndërsjellta dhe ekuivalenca midis trupit njerzor, tempullit të shenjtë dhe kozmosit (formula e famshme “mikrokozmosi ekuivalent me makrokozmosin”, struktura e tempullit imiton harmonitë e kozmosit, personi njerzor është equivalent i tempullit - 1 Kor. 3,16 etj), prej ndërtimit të tempujve të shenjtë - i cili ishte misioni i masonerisë “operative” në Mesjetë - mund të arrihet fare lehtë tek rindërtimi i individit dhe tërë shoqërisë njerzore (institucioneve), gjë që përbën në fakt misionin e masonerisë “spekulative” të epokës moderne, e cila është trasformim i masonerisë “operative” mesjetare. Masoneria spekulative zakonisht përshkruhet si kundërfetare, në fakt masonët mesjetarë ishin besimtarë krishterë të flakët, ndërsa masoneria spekulative moderne përpiqet të jetë superiore ndaj formave të ndryshme të fesë sepse synon bashkimin e tërë njerzimit nën të njëjtin Zot me pretendimin se trashëgon misionin e ndërtuesve të piramidave të Egjyptit dhe tempullit të Solomonit. Në vazhdim i’a vlen të përmendet edhe teza që lidh Masonerinë me Templarët, të cilët ishin bankierët e parë të ekonomisë mesjetare, që përveç shumë ndërmarrjeve të tjera, jipnin hua për ndërtimin e katedraleve, dhe për më tepër që ata vetë, me mision “rojtarë të Tempullit”, ndërtonin tempuj dhe objekte kulti. Organizata e tyre, përhapur në Evropë me teknika administrimi ekonomik dhe social, është shëmbulli i parë i ndërmarrjes multinacionale. Eshtë harxhuar kartë pa hesap e derdhur boja lumë lidhur me sekretin misterioz të Urdhërit Templar: thesari i fshehur akoma i pagjetur, kulti i kokës së Bahomet (shumëkush e lidh me Muhamet), lidhjet me assassins që quheshin njësoj si templarët “Rojtarë të Tokës së Shënjtë” (assasins ishte sekt shit në sherr me synitët meqë në pritje të shfaqjes mesianike dhe eskatologjike të Aliut të fshehur nuk dihet se ku), masakrimi i tyre prej Filipit të Bukur (me aprovimin e Papës) për t’iu përlarë paratë etj. Por sekreti i vërtetë - që asnjëri nuk e thotë, e ndoshta as që nuk i bie në të njeri, ndoshta as të zotët e punës (cunning of reason) -, ka të bëjë me vetë misionin e vërtetë të Urdhërit Templar: bashkimi i Orientit dhe Oksidentit nën të njëjtin Zot, mision i konsideruar herezi, si atëherë ashtu edhe sot. Masoneria, Urdhëri Templar, alkimistët, Rosa-Croce etj, dhe lidhjet e ndërsjellta midis tyre - të qena, të paqena ose të sajuara qofshin -, qoftë si objekt i një literature që vulgarizon dhe karikaturizon problemin (sindroma Dan Brown), e qoftë si objekt i studimeve serioze, përbëjnë dëshminë konstante të historisë së lashtë dhe moderne për përpjekjen njerzore dhe sipëran-njerëzore për të restauruar besëlidhjen origjinale ndërmjet Krijuesit, Krijesës dhe Krijimit mbarë. Me fjalë të tjera organizatat ose sektet në fjalë, synonin realizimin e shpëtimit total ose kozmik, nga niveli fetar-politik (shpëtim i vetëm njeriut) e deri në nivelin artistik-ekonomik (shpëtim i tërë gjërave të krijuara). Dëshmia më e pastërt për sa më sipër përbën shfaqja në epokën moderne e dukurisë së totalitarizmit në trajta të ndryshme: fashizëm, nazizëm dhe komunizëm, të cilat synojnë, në mënyra dhe nivele të ndryshme, shpëtimin e botës nëpërmjet estetizimit (artistizimit) total të jetës dhe mjedisit rrethues.

fund i pjesë e III-të


pjesën e mëparëshme e gjeni këtu