nga Massimo Borghesi
Ofitët: gjarpëri si çlirimtar
Ka më tepër se dy shekuj që kultura perëndimore lajkaton të keqen, e miklon, e justifikon. Negativja përcjell marramendje, delir të plotfuqishmërisë, emocione të parrëfyeshme; ndriçon me shkëlqim të kuqërremtë shtigjet e ndaluara, humnerat e natës, majat e akullta. Ngjyros si veten titanizmin e veçantë modern, sfidën provokuese që ai hedh të Përjetshmes. Nëse Fausti i lashtë, ai i Marlowe, pendohet në prak të vdekjes, ai i pasmi (i Gëtes) jeton me fyerjen, mëton dizintegrimin. Pakti me gjarpërin, siç titullon Mario Praz një nga vëllimet e tij të fundit (1), tani bëhet i qëndrueshëm. Gjarpri, tunduesi, shfaqet në veshjen e çlirimtarit, të atij që lartëson njeriun përtej së mirës dhe së keqes, përtej "ligjit", përtej Zotit të lashtë, armikut të lirisë. Dyqind vitet e fundit rizbulojnë "parimin çlirimtar të botës (pohuar) nga sekti i Ofitëve" (2), parim i dalë në pah, sipas Gershomi Scholem, nga konceptimi sabatian me Mesinë e tij dorëzuar "gjarpërinjve" (3). Parim i rikonfirmuar nga Ernst Bloch në veprën e tij Ateizmin në krishterim, ku Krisht-Gjarpëri çliron botën nga tirania e Jehovait (4). Edhe Gëte, sipas Victor Mathieu, "kishte dëgjuar të flitej për sektin e ofitëve" (5). Në librin e tij Gëte dhe djalli i tij rojë, Mathieu vëren në Faust, se Mefistofeli është "forca që nxjerr pozitiven e njeriut nga errësira" (6). Kështu Zoti i thoshte Mefistofelit tek Prologu në Qiell:
nuk duhet të bësh gjë tjetër veçse të tregosh, lirisht, ai që je; nuk kam urryer kurrë të ngjashmit me ty; nga të gjithë shpirtrat mohues, tallësi është ai që më bezdis më pak. Aktiviteti i njeriut do të squllej me tepër lehtësi nëse ai do t’i përshtatej me kënaqsi një rehatimi absolut. Prandaj i vë pranë me dëshirë një shok që e nxit të veprojë, dhe duhet, njësoj i Djalli, të krijojë (7).
Djalli vendoset me dëshirë ("gern") nga Zoti si bashkëpunëtor i njeriut. Siç përmendte Mircea Eliade, "mund të flitet për një simpati organike midis Krijuesit dhe Mefistofelit" (8). Gëte e personifikon Mefistofelin me të keqen, sustën që shtyn drejt veprimit (Tat), drejt asaj që është pozitive. Bëhet fjalë për idenë, që do të bëjë shumë udhë, se rruga drejt Qiellit kalon përmes ferrit. Njeriu bëhet njeri, i gjallë, inteligjent, i lirë, vetëm duke shijuar hidhërinë e jetës deri në fund. Pafajësia e "shpirtit të bukur" është, përkundrazi, inerci, pezëm, vdekje. Hegeli, me dialektikën e tij të negativit, i jep veshje luksoze teorike kësaj ideje. Njeriu duhet të mëkatojë, duhet të dalë nga pafajësia e natyrshme për t’u bërë Perëndi. Ai duhet të realizojë premtimin e Gjarprit: duhet ta njohë, si Zoti, të mirën dhe të keqen. Kjo njohuri
është origjina e sëmundjes, por edhe burim i shëndetit, është kupa helmuar në të cilën njeriu pi vdekjen dhe kalbëzimin, e në të njëjtën kohë burim i pajtimit, pasi paraqitja si i keq përbën në vetvete tejkalimin e së keqes (9).
Nëpërmjet kësaj perspektive, figura e Engjëllit rebel, të atij që - duke provokuar njeriun do ta lartësojë në lirinë e tij - shkëlqen me një ndriçim të ri. Mefistofeli bëhet, hap pas hapi, heroi, Prometeu modern, çlirimtari. Shkruante Roger Caillois në vitin 1937:
Pa kërkuar hë për hë shkaqet rrënjësore, duhet konsideruar se një nga fenomenet psikologjikë me më tepër pasoja të shekullit të nëntëmbëdhjetë është lindja dhe përhapja e satanizmit poetik, fakti që shkrimtari plot dëshirë mban anën e Engjëllit të së keqes dhe ka me të një afinitet të caktuar. Nga kjo pikëpamje romantizmi shfaqet pjesërisht si transformim i vlerës (10).
Nga Byron të Vigny "mitologjia satanike" përpunon figurën e një "Engjëll i të keqes", rebel dhe hakmarrës, premisa që ekzistonin kohë më parë.
Fund i pjesës së parë
1 M. Praz, Il patto col serpente, Milano 1972 (ediz. 1995).
2 Op. cit., p. 12.
3 G. Scholem, Le grandi correnti della mistica ebraica, tr. it., Torino 1993, p. 307.
4 E. Bloch, Ateismo nel cristianesimo, tr. it., Milano 1971, pp. 220-226.
5 V. Mathieu, Goethe e il suo diavolo custode, Milano 2002, p. 192.
6 Op. cit., p. 65.
7 W. Goethe, Faust e Urfaust, tr. it., 2 voll., Milano 1976, vol. I, vv. 340-343, p. 19.
8 M. Eliade, Il mito della reintegrazione, tr. it., Milano 2002, p. 4.
9 G. W. F. Hegel, Lezioni sulla filosofia della religione, tr. it., 2 voll., Milano 1974, vol. II , p. 317.
10 R. Caillois, Nascita di Lucifero, tr. it., Milano 2002, p. 31.