Çdo akt krijimi është, para së gjithash, një akt shkatërrimi - Pikaso
Shprehjen provokuese më sipër Banksy e ka vënë në krye të tekstit të njohjes së autorsisë së performancës të përshkruar në pjesën e parë të shkrimit si justifikim i aktit skandaloz të grirjes të pikturës së tij gjatë shitjes në ankand. Por kjo ide e Pikasos nuk është edhe aq provokuese dhe aq novatore sa duket; lidhja ndërmjet shkatërrimit dhe krijimit artistik është e bërë bozë si një konstante në historinë e artit, sidomos të artit modern, dhe disa autorë janë shprehur në mënyrë më acide se Pikaso:
Duhet të kesh dreqin në bark për të shkëlqyer në çdo lloj arti - Volter
Arti modern ka një prirje kryesisht demoniake - Charles Baudelaire
Shkatërrimi ishte Beatriçja ime - Stéphane Mallarmé
Dëshira për të shkatërruar të Bukurën ka qenë forca lëvizëse e artit modern - B. Newman
Kam dëshirën e çmëndur dhe shkreptuese që të vras bukurinë … - Tristan Tzara
Bukuria më ishte ulur mbi gjunjë, dhe gati po më përqafonte, kur unë i dhashë një shuplakë dhe e përzura - Arthur Rimbaud
Muzika është demoniake - Kierkegaard
Muzika është njëkohësisht art hyjnor dhe satanik, më tepër se çdo gjë tjetër na shtie në tundim - Franc List
… muzika, instrumenti më i rafinuar për të eksituar flligështinë e ndjenjave - Tolstoj
Arti është një sëmundje - Xhakomo Puçini
Kujtoni se unë lavdëroj artin? - u përgjigj mjeshtri - Eshtë e lumtur ajo shoqëri që nuk e njeh … - Henry James, Leksioni i mjeshtrit
Ka shumë mundësi që në Kopshtin e Edenit nuk ndjehej nevoja as për libra e as për arte - George Steiner, Prani të vërteta
… janë të pamundura fitoret e shpirtit dhe dija pa sëmundjen, pa çmëndurinë, pa krimin e mendimit dhe të sëmurët e mëdhej - Tomas Man
… nuk është akoma e qartë se çmënduria është grada më e lartë e intelektit, se pjesa më e madhe e asaj që është zulmëmadhe, se gjithçka që ka thellësi nuk lind nga një sëmundje e mendjes, nga gjëndje e ekzaltimit të mëndjes në kurriz të intelektit në përgjithsi - Edgar Poe
Ti beson në gjeninë që nuk paska të bëjë aspak me ferrin? Non datur! Artisti është vëlla me kriminelin dhe psikopatin - Tomas Man, Doctor Faustus
Kjo është epoka në të cilën nuk është më e mundur të kryhet një vepër në rrugë normale, në kufijtë e devotshmërisë dhe të arsyes, dhe arti është bërë i pamundur pa ndihmën e djallit dhe zjarrin e ferrit nën kusi … - Tomas Man, Doctor Faustus
Megjithkëtë njerëzia si opinion publik bën dallimin midis të bërit art si veprimtari teorike dhe veprimtarisë praktike në formë artistike. Kur kompozitori gjerman Karlheinz Stockhausen deklaroi në një intervistë të mbajtur në një radio gjermane se atentati shkatërrimtar i 11 shtatorit mbi Kullat Binjake
… është vepra më e madhe e artit të bërë ndonjëherë. Këta personazhë mund të sjellin në një akt të vetëm atë që ne në muzikë as nuk mund të ëndërrojmë, se njerëzit stërviten çmendurisht për dhjetë vjet, tërësisht, fanatikisht, për një koncert dhe për të vdekur më pas. Kjo është vepra e artit më e madhe e mundur në të gjithë kozmosin (…). Unë nuk do të kisha aftësi ta bëja. Krahasuar me këtë, ne kompozitorët jemi një hiç. Ka njerëz që përqëndrohen në një shfaqje dhe më pas 5.000 njerëz dërgohen në të përtejmen, në një çast të vetëm.
shkaktoi në media një zallamahi të tillë që pothuaj tejkaloi edhe atë të vetë atentatit. Mbasi u quajt i çmendur, legen, i pa cipë, i infektuar nga një estetizëm patologjik etj, për të qetësuar gjakrat e ndezura ju desh të anullonte koncertet e parashikuara në Festivalin Muzikor të Hamburgut, të kërkonte ndjesë publikisht dhe të justifikohej se krahasimi i referohej Djallit ose veprës së artit të Luçiferit. Si rëndom në kësi rastesh artisti i modh lëshon proçkën si lopa bajgën, pastaj kur zihet ngushtë, fillon e justifikohet: “jo se nuk jam kuptuar mirë”, “jo se mediat kane nxjerrë jasht kontestit fjalët e mija”, “jo se nuk e thashë me këtë kuptim, e thashë me tjetër kuptim” etj etj.
Por edhe me këtë justifikim Stockhausen në vënd që ta ndreqë e qelbi fare punën, sepse çdo studentuc i letrave e arteve të bukura e di mirë se, që prej Bajronit e deri tek Vigny, artisti romantik - e në mënyrë veçantë “poeti i mallkuar” (Bodler, Vërlen, Rembo etj) - nuk e ka për gjë të identifikohet me “engjëllin e rënë” ose t’i thurrë lavde forcave të së keqes, demoniakes, dioniziakes (Niçe), Luçiferit, Satanit, Kainit etj. Jo një gjeni i padiskutueshëm si Stockhausen, por çdo profesoruc që mëson studentucët e di kaqë gjë që në estetikën e sublimes të Edmund Burke (Hulumtim mbi të Bukurën dhe Sublimen) theksohet vazhdimisht se asnjë vepër arti nuk mund të konkurojë me një fakt real të dhunshëm (psh një ekzekutim dënimi me vdekje dal vivo ka më tepër sukses se një pjesë teatrale), që Kanti pohonte “deri edhe lufta … ka në vetvete diçka sublime” (Kritika e Gjykimit, I, II, B 28), që futuristët e quanin luftën botërore një fakt estetik, superior ndaj çdo lloj vepre arti etj.
Megjithatë çështja u mbyll me kaq, mjaftoi fakti që artisti i modh e uli hundën për të qetsuar feçkën e opinionit publik, që reagon agresivisht në rastin e një shkatërrimi real që shkakton mijra viktima se ka hallin e vetes. Por kur artisti i modh flet çmëndurira për shkatërrim potencial fiction, lavdëron artistin: “y sa i modh!”, ose më e shumta ligjëron kritikë arti si teto Ollga për Koçin: “ah këta artistët!”.
Fund i pjesës së dytë
pjesën e mëparshme e gjeni këtu
për të zgjeruar dhe thelluar më tej idenë e shkrimit rekomandoj të lexohen dy tema të shkuara: