Para shumë vjetësh, kur sapo kishte filluar epoka e blogjeve, hyj në një blog ku në krye të faqes home ishte shkruar si moto: “Nuk ka më anonim se anonimi”. Atëherë unë komentova: “Më anonim se anonimi është ai që i tregon pashaportën policisë”. I zoti i shtëpisë e hoqi në çast komentin dhe me bllokoi - i Modhi
Anonimati si e drejtë e njeriut përdoret pozitivisht në social si status lirie për të thënë lirisht të vërtetën pa u ndikuar aspak përgjatë thënies për rrezikun e pasojave që rëndom shoqërojnë thënien e të vërtetës. Fatkeqsisht përdoret edhe negativisht, e mira dhe e keqja i ndan një fije farfuruese, shpesh anonimati shpërdoret me keqdashje fshehur si kaçak mbas ferre llap e llap pa pasur pasoja për çfar thua, aq më keq kur shpifet. Në fakt virtualiteti për vetë natyrën e tij - prani vetëm shpirtërore dhe mosprani fizike - përmban potencialisht mundësinë e keqdashjes edhe për jo anonimët. Muhabeti bëhet ndryshe kur je i pranishëm fizikisht, sepse sy për sy me debatuesin ekziston gjithnjë frika se mund të hash ndonjë lapër turinjve për ato që thua.
Kështu kuadri i statusit të anonimatit zgjerohet, në kuptimin që nuk mjafton sistemimi i tij ligjor; si në çdo rast ligji nuk mjafton ose mund të shpërdorohet nëse nuk shoqërohet nga përgjegjshmëria dhe motivacioni për mirë. Dekalogu i anonimatit mund të përmblidhet në vetëm një urdhëresë: Në jetën virtuale shprehu sikur në jetën reale!
Kuptimi i anonimatit është shumë më i thellë se i kuadrit ligjor për përdorimin i tij në virtualitet - ose edhe në realitet si në rastin e Elena Ferrantes dhe Banksy -, sepse edhe në rast se komenton me emër dhe mbiemër, je askushi nëse fjala jote nuk ka peshë në publik. Ka akoma më tepër thellësi për tu zhytur në kuptim: edhe një person publik mund të jetë anonim, në kuptimin anonim i ndërgjegjes, dmth është pa ndërgjegje, bën gjëra për të cilat e vret ndërgjegja. Iluminuese në këtë rast është shprehja shqip: nuk e desha veten! në rastin kur je i ndërgjegjshëm që ke bërë një të pabërë. Nuk e desha veten! është ekuivalente me: nuk e njoha veten!, hapu dhe të futem, të gjitha shprehje që përshkruajnë gjëndjen e anonimatit si humbje e identitetit dhe personalitetit origjinal.
Në Zanafillë kur Zoti pyeti Adamin mbas rënies: Adami ku je?, nuk ështe se Zoti i gjithëditur e kudondodhur nuk e shihte Adamin sepse ishte mçef mbas nick-ut në ndonjë blog, pyetja ishte retorike me kuptimin: A je në vete?, ose: Nuk po të njoh më!, sepse Adami i rënë kishte humbur identitetin origjinal si bir i Zotit; njësoj përdoret nga prindët në rastin e një fëmije haram: Nuk e njoh për tim bir!
Parë anonimati ose identiteti nga pikpamja providenciale si më sipër, muhabetet rreth identitetit kombëtar ose identitetit evropian duhen bërë ndryshe nga më parë, sepse ndryshojnë prioritetet.
pjesën e mëparshme e gjeni këtu