Intervistë e Julia Kristeva, semiologe, eseiste, psikanaliste, filozofe, romanciere, ateiste e shpallur.
Kultura evropiane ekziston, gjuha e saj është shumëgjuhësia, dhe emëruesi i përbashkët është kultura e individit, e kombit, e politikës. Janë krijime judeo-krishtere, të cilat janë zhvilluar me kalimin e kohës. Problemi i madh sot është se si t’i harmonizojmë këto kultura kombëtare.
(…)
Ajo që sapo ndodh në Paris është, për mendimit tim, një paralajmërim stuhie për të gjithë Evropën, jo vetëm për Francën.
(…)
Nuk mund të shpresojmë të zgjidhim krizën e jelekëve të verdhë nëse nuk mbështetemi në filozofi dhe sociologji për të trajtuar çështjen të kuptimit (sensit) të njerëzve, të kombit, të idealeve, të së ardhmes.
(…)
… duhet t’i rezistojmë tundimit për t’i konsideruar (jelekët e verdhë) të pakënaqur vetëm si konsumatorë në vështirësi, sepse nën të ka një keqsi shumë më të thellë ».
Për çfarë e ke fjalën?
Për qëllimin e politikës ashtu si e njohim për më shumë se dy shekuj. Diçka ka ndodhur shumë kohë më parë në Evropë, dhe vetëm në Evropë: këputja e fillit të traditës fetare. Me Revolucionin Francez - as zot, as padron - kemi zhdukur Zotin, prerë kokën mbretit dhe zevëndësuar me ideologjinë e humanizmit, e cila ka përfunduar në një vlerë abstrakte. Politika është bërë feja e re, me idenë që demokracia përfaqsuese mund të zgjidhë problemet e lumturisë, të vdekjes, të së ardhmes, të ferrit dhe të qiellit këtu në Tokë. I kemi dhënë politikës përgjegjësi tejet të mëdha, dhe ky model është shembur me Shoahin dhe gulagët. Mbijeton tërhiqe mos e këput një ide më e reduktuar e politikës si menaxhim e ekzistentes, një menaxhim që është ende i mbytur nga financiarizimi i ekonomisë dhe revolucioni dixhital. Në këtë gjendje politika reduktohet në showbiz apo karnaval. Donald Trump është shprehja e kësaj, dhe në fakt arrin t’i përshtatet situatës më mirë se të tjerët.
Çfarë do të thotë politika si menaxhim?
Kjo është një politikë e impotencës, e kontabilitetit, në të cilën bëjmë sikur besojmë se problemi është me të vërtetë rritja e çmimit të naftës. Eshtë vërtet, por vetëm pjesërisht, dhe në fakt edhe kur rritja u tërhoq, protestat vazhduan. Ndodhemi në një lloj Mesjete të vonë, kur një nga pikat kryesore të referimit tim, Duns Skot, tha se nuk ka vlera të tjera përveç: ky burrë, kjo grua. Jo ideale të mëdha, jo materia, por personi. Vetëm se pas Mesjetës së Vonë mbërriti Rilindja, dhe një kalim i ngjashëm më duket ende shumë larg prej nesh.
Çfarë karakteristikash kanë këta njerëz në Francë dhe në pjesën tjetër të Evropës?
Të ashtuquajturit humbës të globalizimit janë të paguar keq, por mbi të gjitha të frustruar, revolucioni dixhital i bën ata të gjithëfuqishëm në teori, por jo në praktikë. Ata duan ta thyejnë këtë rregull, por tani për tani nuk kanë alternativa për të propozuar. Kërkojnë dorëheqjen e Macron, por në të njëjtën kohë thonë se me një tjetër në vend të tij, gjërat nuk do të ndryshonin. Këtu arrijmë në nocionin e popullit. Robespierre thoshte se populli ka gjithnjë të drejtë, ndërsa për Wilhelm Reich disa masa kërkojnë fashizmin. Midis këtyre dy pikëpamjeve ekstreme dhe të kundërta duhet të përpiqemi t’u përgjigjemi emocioneve të papërmbushura dhe idealeve pa përgjigje. Makar duke përdorur kategoritë e psikoanalizës.
Këtu hyn në lojë vepra juaj si psikoanaliste. Në ç’mënyre?
Dëgjoj shumë njerëz të përsërisin se do të donin një president "baba të kombit". Kjo është një frazë shumë interesante për një psikoanalist, sepse familja është në një krizë reformimi dhe jemi të gjithë në kërkim të babait të humbur. Etërit e vetëm në politikë sot janë pakëz kloun si Trump, ose diktatorë. Ajo që ndodh, në vend të kësaj, është që sundimtarët tanë luajnë me figurën e vëllait.
E akuzojnë atë (Macron) për gjithçka: që flet shumë ose shumë pak, që është tepër arrogant ose tepër miqësor.
Sepse ai flet një gjuhë afërsie, të prekshme, si me të dënuarit e Antileve, ashtu edhe me të papunët që e ndalojnë në rrugë. Ndoshta mendon se kjo afërsi e prekshme do t’i përgjigjet shqetësimeve të njerëzve, por jo, përkundrazi, i nxit ato. Mbetet në reversibilitetin adoleshent të dashurisë dhe urrejtjes. Qytetarët nuk e kuptojnë udhëheqësin që luan në nivelin e tyre, e marrin këtë familjaritet për arrogancë. Por si Macron bëjnë shumë lider të tjerë. Liderat aktualë janë vëllezër, e jo etër. Vëllezërit duhen dhe urrehen me njëri tjetrin pa pushim. Kjo është një pjesë e jona që mbijeton. Midis kolegëve, miqve, burrit dhe gruas, ne luajmë si macja me miun. Por fusha politike nuk duhet të arrijë deri në këtë derexhe. Dhe vëllezërit tradicionalë në politikë nuk ekzistojnë më.
Për çfarë e ke fjalën?
Për vëllazëritë tipike që janë organet ndërmjetës, sindikatat, organizatat joqeveritare, shoqatat, shkolla, Kisha, ushtria. Të gjitha këto institucione janë në krizë kudo, dhe disa presidentë, si ky i yni në Francë, kanë zvogëluar peshën e tyre duke menduar se kreu i shtetit, në pozitën e vëllait, do të mundte të bënte gjithçka duke marrë përsipër të gjitha këto role. Nuk është kështu.
(…)
Çfarë duhet të bëjë një udhëheqës politik sot?
Sigurisht nuk guxoj të propozoj zgjidhje, të mijat janë kontribute në reflektim, dhe pastaj nuk dua të jem shumë kritike me Emmanuel Macron. Në fjalimin e tij në fillim të krizës, një farë momenti ai tha se përgjigjja do të ishte "shmangia e pragmatizmit". Por çfarë do të thotë kjo? Ka shumë teknikë dhe shumë ftohtësi. Do të thosha se politika nuk duhet të merret më vetëm me kontabilitetin, por edhe me kulturën, e kuptuar kjo si edukim dhe ndërshoqërim, makar duke filluar nga vlerat stërgjyshore të krishterimit, islamit dhe judaizmit. Çështja tani është të ndërveprohet me personë që nuk besojnë në asgjë.
Botohet me shkurtime. Tekstin origjinal e gjeni këtu: