Psikoanaliza na ka mësuar që të kuptojmë ndërlidhjen midis kompleksit atëror dhe besimit në Zot, na ka treguar se Zoti personal nuk është asgjë tjetër, psikologjikisht, veçse një atë i lartësuar dhe na tregon çdo ditë rastet e të rinjve që humbin besimin fetar sapo ju shëmbet autoriteti atëror.
-Freud, Një kujtim fëmijërie i Leonardo da Vinçit, 1910
… hulumtimi psikoanalitik i ushtruar mbi vetëm individin na mëson tepër intensivisht, se Zoti përfytyrohet nga secili sipas shëmbëlltyrës së atit, se marrëdhënia personale me Zotin varet nga marrëdhënia me atin e vet biologjik, lëkundet dhe transformohet me të, dhe se në fund të fundit Zoti nuk është gjë tjetër veçse një atë në nivel më të lartë.
-Freud, Totem dhe tabu: disa përputhje në jetën psikike të njerzëve të egër dhe neurotikëve / Kthimi i totemizmit tek fëmijët, 1912
Në mitin e krishterë mëkati origjinal i njeriut është pa dyshim një fyerje kundër Zotit Atë. Tani, në qoftë se Krishti çliron njerëzit nga barra e mëkatit origjinal duke sakrifikuar jetën e tij, kjo na detyron të konstatojmë se ky mëkat ishte një vrasje. Sipas ligjit të shpagimit dhëmb për dhëmb, rrënjosur thellë në ndjeshmërinë njerëzore, një vrasje mund të shlyhet vetëm me flijimin e një jetë tjetër; sakrifikimi i vetes na çon në një vrasje. Dhe në qoftë se ky vetësakrifikim i jetës çon në pajtimin me Zotin Atë, krimi për tu shlyer nuk mund të jetë tjetër përveç vrasje e atit.
Kështu, njerëzimi rrëfen qartë, nëpërmjet doktrinës së krishterë, veprën fajtore kryer në mugëtirë të kohës, pasi ajo ka gjetur tani në vdekjen sakrifikuese të Birit të vetëm shlyerjen më të plotë të këtij krimi. Pajtimi me atin është shumë më i thellë sepse, në të njëjtën kohë me këtë sakrificë, bëhet mohimi total i grave, për shkak të së cilave ndodhi rebelimi kundër atit. Por në këtë pikë edhe fataliteti psikologjik i ambivalencës pretendon të drejtat e tij. Me të njëjtin veprim që i ofron atit shlyerjen më të madhe të mundur, edhe biri arrin qëllimin e dëshirave të tij kundër atit. Bëhet ai vetë Zoti pranë, madje tamam në vend të atit. Feja e Birit zëvendësohet me atë të Atit.
-Freud, Totem dhe tabu: disa përputhje në jetën psikike të njerzëve të egër dhe neurotikëve / Kthimi i totemizmit tek fëmijët, 1912
… midis përfytyrimeve që janë formuar në një fëmijëri, të cilave zakonisht i është humbur kujtimi, asgjë nuk është më e rëndësishme, për të riun ose për të rriturin, se ajo e atit të tij. Një nevojë organike ka vënë në këtë marrëdhënie me atin një ambivalencë emotive, të cilës mund t’i njohin manifestimin më mbresëlënës në mitin grek të mbretit Edip. Fëmija duhet ta dojë dhe ta adhurojë babanë e tij, të cilin e sheh si krijesën më të fuqishme, më të mirë dhe më të mençur; në fund të fundit, vetë Zoti nuk është gjë tjetër veçse një ekzaltim i këtij përfytyrimi atëror, ashtu siç paraqitet në jetën psikike të fëmijës. Por shpejt duket aspekti tjetër i kësaj marrëdhënieje afektive. Tek ati shihet edhe qenia që në stërfuqinë e saj pengon jetën tonë instinktive, ai bëhet modeli që ne duam, jo vetëm ta imitojmë, por edhe ta heqim sysh, për të zënë vendin e tij. Tani impulsi dashuror dhe armiqësor ndaj atit vazhdojnë të ekzistojnë krah për krah, shpesh për gjithë jetën, pa mundur që njëri të asgjësojë tjetrin. Në këtë bashkëjetesë të së kundërtave qëndron karakteri i asaj që quajmë ambivalencë emotive.
-Freud, Psikologjia e gjimnazistit, 1914
… dhe Birit të Perëndisë i është dashur ta ofrojë si sakrificë jetën e tij për ta çliruar njerëzimin nga mëkati origjinal, ky mëkat, sipas ligjit të shpagimit dhëmb për dhëmb, dmth shlyerjes nëpërmjet një dënimi të barabartë me fajin, duhet të ketë qenë një vrasje, një krim i vdekjes. Dhe në qoftë se mëkati fillestar ishte një faj kundër Zotit atë, krimi më i lashtë i njerëzimit duhet të ketë qenë një atvrasje, vrasja e atij ati fillestar të hordhisë primitive njerëzore, përfytyrimi kujtimor i të cilit u shndërrua më pas në Hyjni.
-Freud, Konsiderata aktuale për luftën dhe vdekjen / Mënyra se si e konsiderojmë vdekjen, 1915
Që djalli është zgjedhur si zëvendës i një ati të dashur, tingëllon vërtet i çuditshëm, por vetëm si nisje, sepse ne dimë disa gjëra që mund të mpakin çudinë tonë. Dimë në radhë të parë se Zoti është zëvendësim i atit, ose më saktë i një ati që është lartësuar, ose akoma më tepër, është një kopje e atit, ashtu siç është parë dhe përjetuar në fëmijëri, prej individit në fëmijërinë e tij personale, dhe prej njerëzimit, në parahistorinë e tij, si ati i hordhisë primordiale. Më pas individi e sheh atin e tij në një mënyrë tjetër të ripërmasuar; megjithkëtë përfytyrimi ideor që ka në fëmijëri mbetet, dhe, duke u bashkuar me gjurmën kujtimore të atit primordial të përcjellë brez pas brezi, krijon paraqitjen individuale të Zotit. Historia sekrete e individit që psikoanaliza ka zbuluar na ka mësuar gjithashtu se kjo marrëdhënie me atin ishte ndoshta ambivalente që në zanafillë, ose së paku bëhet e tillë që herët; në të ka pa dyshim dy shtysa antagoniste emotive, jo vetëm një impuls nënshtrimi dashurie, por edhe një tendencë armiqësie dhe sfide. Sipas mendimit tonë, kjo ambivalence karakterizon gjithashtu marrëdhënien e species njerëzore me hyjninë e saj. Konflikti i pazgjidhur midis nostalgjisë së atit nga njëra anë dhe frikës e sfidës birnore kundër tij nga ana tjetër, na ka lejuar të shpjegojmë karakteristikat e rëndësishme dhe peripecitë vendimtare të feve.
-Freud, Ego dhe Es e shkrime të tjera / Një neurozë demoniake në shekullin e shtatëmbëdhjetë, 1922
… kontradiktat specifike që kanë të bëjnë me natyrën origjinale të Zotit pasqyrojnë ambivalencën që karakterizon marrëdhënien e individit me atin e tij personal. Nëse Zoti i drejtë dhe i mëshirshëm është zëvendësim i atit, nuk është për t’u habitur që edhe qëndrimi armiqësor ndaj atit, të cilin biri i tij e urren, i frikësohet dhe ankohet për të, ka gjetur shprehje në krijimin e Satanit. Kështu ati do të ishte arkeotipi individual, si i Zotit, ashtu dhe i djallit.
-Freud, Ego dhe Es e shkrime të tjera / Një neurozë demoniake në shekullin e shtatëmbëdhjetë, 1922
… për psikoanalizën Zoti është një përfytyrim i pastër i atësisë.
Përkundrazi, ne pohojmë të kundërtën. Në të vërtetë Zoti nuk është një përfytyrim i atit, por ati është një përfytyrim i Zotit. Për ne ati nuk është arkeotipi i hyjnisë, por është e vërtetë e kundërta: Zoti është arketipi i çdo atësie. Vetëm nga këndvështrimi ontogenetik, biologjik, biografik, ati përbën primum. Nga këndvështrimi ontologjik, primum është Zoti. Nëse pra, nga pikëpamja psikologjike, marrëdhënia "at-bir" që paraprin tjetrën "njeri-Zot", nën këndvështrimin ontologjik nuk është primar, por është kopje kalk e kësaj të fundit.Viktor Frankl, Zoti në pavetëdijë
pjesën e mëparshme e gjeni këtu