I pafani Skënderbej (II)

SKENDERI

Për ta mbyllur këtë parantezë të gjatë lidhur me Schmitt-in dhe me veprën e tij “Skënderbeu”, padyshim, atij duhet t’i njihet guximi dhe merita e të shkruarit të një historie ndryshe të Skënderbeut, e mbështetur mbi njohjen e gjerë të fondit dokumentar të epokës, mbi përfytyrimin e plotë të kontekstit historik të epokës apo së fundi, mbi shqyrtimin e kujdesshëm të marrëdhënieve të ndërlikuara mes fuqive lokale, rajonale dhe kontinentale.

Ai i qëndron besnik arsyetimit të tij historik dhe filozofik që braktis shtigjet tashmë të rrahura historiografike - ato që privilegjojnë kronologjinë dhe sensin rrjedhës progresiv, ato që projektohen dhe paracaktohen nga vullneti apo nga idealet heroike, që orientohen pashmangësisht drejt horizontit kombëtar apo fetar. Në këtë mënyrë, ai na bën të ballafaqohemi me një Skënderbej tragjik por sidoqoftë njerëzor, të brejtur nga dyshimet por sidoqoftë besimtar, të rrënuar nga kundërshtitë por sidoqoftë ngadhënjyes, të zhgënjyer nga aleancat e interesit por sidoqoftë besnik i idesë së tij! Një Skënderbej të ndryshëm nga ai që ishim mësuar të admironim, por po aq fisnik dhe ndoshta më tepër heroik!

                                     * * *

2. E megjithatë, në një logjikë sintetike, Schmitt-i mbetet problematik pasi më shumë shtron çështje - të shkruara apo të pa shkruara, se sa zgjidh, më shumë ngre pyetje -të shqiptuara apo të heshtura, se sa sjell përgjigje.

Në këtë optikë, le të shqyrtojmë një prej elementëve thelbësorë të ngrehinës historike schmittiane. Atë më mediatiken - që përmendet vend-e-pa vend në të gjithë debatet rreth tij dhe që përbën njëherësh, argumentin kryesor të kontributit (për shmitizuesit e kalibrit Lubonja) apo të delirit historiografik (për historianët e traditës të sërës Xhufi).
Natyrisht fjala është për motivin e kryengritjes së Skënderbeut, motorin lëvizës të asaj mërie të papajtueshme dhe vrastare të tij ndaj Sulltanit të osmanëve
.
Sipas Schmitt-it, ajo çka kish “mbetur e paqartë përgjatë pesë shekuj e gjysëm” (1) shpjegohet qartë dhe në mënyrë përfundimtare nga një dokument që ai paskësh zbuluar në arshivat e Milanos (Archivio visconteo - sforzesco B.41) - një letër e dy diplomatëve milanezë drejtuar Dukës Francesco Sforza (1401 - 1466) në vitin 1454, që asistonin në një pritje të papës Nikolla V të një “bajlozi” të Skënderbeut.

Në vija të përgjithshme, mes të tjerash aty thuhet: “.… vjen një kalorës, ambasador i një Zotërie - dikush thotë nga Gërqia një tjetër nga Arbëria… - që thotë se Zoti Xandrebech është i pafe… për urrejtje personale ndaj Turkut, i cili Turk i ka vrarë babanë atij Zoti dhe ky Zot ka shtënë të vrasin një vëlla të Turkut…
Ja pra edhe motivi i vërtetë i zbuluar nga Schmitt-i: urrejtja personale = hakmarrja proverbiale arbërore.

Çka më intrigon, personalisht, është një tjetër motiv: ai i ndërmarrjes së kësaj vepre nga vetë Schmitt-i, përkundrejt momentit të shfaqjes të këtij dokumenti kaq të vyer dhe monumental:

  • Bëhet fjalë për zbulim të papritur që frymëzon dhe motivon shkrimin e “Skënderbeut” si një histori ndryshe, apo për një zbulim të parapritur që justifikon një shkrim ndryshe të historisë, nëpërmjet “Skënderbeut” ?

Këmbëngul jo pa qëllim në konceptin “dokument/monument” pasi krahas Schmitt-it të lartpërmendur dhe të singjashmëve të tij, ithtarë apo partizanë të paradigmës të lartpërmendur, egziston një sërë tjetër historianësh - dhe jo më të paktë, që mbajnë një qëndrim krejt tjetër ndaj burimeve dokumentare - sikundër dhe zhvillojnë një përqasje tjetër ndaj vetë historisë - e ashtuquajtura paradigmë “epistemologjike”.

Kështu, një nga përfaqsuesit e saj më të hershëm në historiografinë frënge - Michel de Certeau (2) - prift jezuit, historian dhe teolog, një nga specialistët më të shquar të antropologjisë fetare të besimeve dhe si i tillë fort i matur, thekson rolin e tjetërsimit kohor të pakthyeshëm të të kaluarës si përbërëse themelore e zhanrit historik dhe të identitetit të vetë historianit. Sipas tij, kjo gjë e fton atë të mos kënaqet thjesht nëpërmjet rimëkëmbjes të të kaluarës ashtu siç ajo ka qenë, por të kërkojë rindërtimin e saj sipas mënyrës së tij - në dialogjikë të shkoqitur mbi faktin e shmangies së papajtueshme mes të shkuarës dhe të sotmes.

E thënë ndryshe, operacioni historiografik nuk përbën aspak as projektimin mbi të kaluarën të vizioneve tona apo të gjuhës tonë shprehimore as edhe realizimi i vetëkënaqur i një shtresëzimi erudit të njohurive. Historiani gjendet vazhdimisht në çekuilibër nga ky paradoks i dyfishte kontradiktor; ai luhatet vazhdimisht mes asaj që i shpëton syrit të tij dhe asaj që është e humbur një herë e përgjithmonë, duke patur si objektiv ta bëjë atë të dukshme në të tashmen, të cilës ai i përket.
Historia nuk është asnjëherë e sigurt” - ishte kredoja shkencore e kêtij historiani.

Në një gjuhë më të drejtpërdrejtë shprehet lidhur me këtë pikpamje kolegu i tij Paul Veyne - specialist i Romës antike, antar i Collége de France:

  • … Duke qenë njohje përmes dokumentit, historia është ajo çka realizohet si e tillë përmes tipave të ndryshëm të gjurmëve që vijnë nga e kaluara…
    … është një gjë të shtrohet pyetja nëse dokumentet janë autentike, të sinqerta dhe të rimëkëmbura ashtu si duhet; është tjetër gjë – dhe mbetet shumë për të bërë – të kërkohet se çfarë lloj të vërtete kemi të drejtë të nxjerrim nga kjo apo ajo gjurmë. Në këtë mënyrë do të shfaqet që një numër i madh gabimesh historike vijnë nga mbiinterpretimi i dokumenteve, nga fakti se mbi ato dokumente janë ngritur pyetje, të cilave nuk mund t’u përgjigjen.
    Nuk është e mundur që nga një fjalë të nxirret një vlerë, nga një vlerë një institucion, nga një thirrje një fakt, nga një proverb një sjellje, nga një rit një besim, nga një teologjemë një besim personal dhe, së fundi, nga një idiotizëm gjuhësor, një psikologji e një populli. (3)

Besoj se ja vlen të merremi një fije më shumë me historianin Veyne - përfaqsuesin e spikatur dhe këmbëngulës të “mohimit”:

  • jo, historia nuk është një shkencë;
  • jo, ajo nuk zotëron ndonjë metodë të përsosur;
  • jo, ajo nuk arrin të shpjegojë gjë prej gjëje në kuptimin strikt të fjalës.

Dhe nuk bëhet aspak fjalë për formula shock - të paracaktuara për të denoncuar njëherë e mirë një gjendje konkrete apo rrethanore që çon apo jo drejt përpunimit të një ideali shkencor. Është bindja e tij e thellë prej historiani të mirënjohur, thellësia e njohjes së tij erudite, përvoja e gjatë e mësimdhënies dhe lektorati përpara një institucioni të tillë si Kolegji i Francës që egziston qysh prej 5 shekujsh - thuaj po aq sa përvjetori ynë i tashëm, që e shtyn atë të pohojë me plot gojën:

  • historia, sipas të gjitha gjasave, nuk është një shkencë dhe s’ka për të qenë kurrë, pasi në esencë të saj ajo është “një roman i vërtetë”, “një rrëfim ngjarjesh që kanë njeriun si aktor”. Është pikërisht koncepti themelor “ngjarje” që lejon të kuptohet natyra e vërtetë e historisë ashtu sikundër ajo shkruhet nga historianët - një histori që s’rrëfen gjë nuk paraqet asnjë interes. Pra, historia është një bashkësi historish të rrëfyera nga historianët.

Ja pra, nëse i besojmë historianit Veyne, për fat vijmë në atë pikë që çeli pjesën e parë të këtij shkrimi!

Sigurisht, dikush ka të drejtë të pranojë këtë paraqitje të mësipërme të historisë, sikundër dikush tjetër - dhe mendoj në rradhë të parë kolegët e tij të zanatit - është në të drejtën e tij ta kundërshtojë, bile edhe me gjithë zjarrin e tij të ushqyer nga bindjet që i krijon profesioni i nderuar i historianit.

Veçse ky i fundit duhet paraprakisht të bindë auditorin - sikundër edhe lexuesin e këtyre rreshtave, në ç’mënyrë, mbi ç’metodologji dhe mbi ç’argumenta të nxjerra nga shkenca e tij është ai në gjendje të ndajë politikën nga ideologjia, këtë të fundit nga historiografia ose të bëjë dallimin mes historisë dhe mitit? në emër të kujt objektivizmi që zakonisht përcaktohet nëpërmjet konceptit të asnjanësisë, është ai në gjendje të sigurojë se vepra e tij historiografike është e çliruar njëherësh nga pesha e formimit të tij politik, nga shkolla e mendimit brenda të cilës ai është përmasuar apo nga prejardhja e tij shoqërore dhe bindjet e tij fetare - nga ai i famshmi habitus, në sensin sociologjik të dhënë nga Pierre Bourdieu?

Po e them ndryshe: një pjesë prej nesh - si individ, si grup apo si opinion - ju kërkojmë herë pas here historianëve të japin mendimin e tyre për tema, për çështje dhe probleme të të kaluarës, sikundër kërkojmë interpretimin e aspekteve të të sotmes, nën dritën e perspektivës historike dhe logjikës së imponuar nga e shkuara - bile me saktësi dhe autoritet shkencor, pa vënë në dyshim apo pa u shqetësuar paraprakisht në se ata janë apo nuk janë në gjendje të sjellin përgjigje.
Dhe meqë shpesh, kërkesa evokon shpërblimin, angazhimin apo detyrimin, a nuk jemi ne dashamirët profanë apo kandidë të historisë që arrijmë sidoqoftë të pikasim se shumë prej tyre - për hir të lidhjeve, të përkatësisë, të interesit apo vetëkënaqsisë, e tejkalojnë kapacitetin e tyre, rolin e tyre prej njeriu të shkencës, sikundër vetëquhen dhe sajojnë përgjigje “pozitive” apo “konformiste” që të kënaqin një shumicë - që si rastësisht, justifikojnë dhe ligjërojnë zgjedhjet, synimet dhe projektet politike të pushtetit ?

Në të kundërt, a nuk janë pikërisht këto qëndrime të dyzuara, këto pohime të dyfaqshme, kjo rendje pas citimeve apo përmendjeve me vend-e pa vend të referencave historike tashmë të shenjtëruara nga vjetërsia - të hipotekuara dhe të garantuara nga autoriteti i palëkundur dhe i padiskutueshëm shkencor i kastës së brahmanêve historianë, të cilëve shkenca fisnike e Historisë (me H - të madhe) ju takon “me tagër” që ngjall dhe nxit rrebelimin shmitizues?
Që frymëzon dyshimin instiktiv të marangozëve dhe e hidraulikëve, ndoshta të pasionuar po gjithsesi të pagëdhëndur tê cilët, gjithësesi, në emër të “kulturës të të vërtetës” stigmatizojnë “farkëtuesit e gënjeshtrës” dhe bëhen copë për të përhapur diturinë e tyre shmitizuese për të bërë të lirë atë “popull infantil… adhurues të mashtrimit dhe manipulues të Heroit” ?

Fundja, a nuk mjafton përkushtimi i tij si njeri i shkencës, betimi ndaj të vërtetës rrezatuese, që historiani të përmbahet dhe ndoshta të heshtë - duke i lënë dëgjuesit të nxjerrë përfundimin natyral dhe spontan që ajo histori që atë e mban dhe e ushqen është e pafuqishme të sjellë përgjigje? dhe në këtë mënyrë, të paktën, ajo nuk është as bashkëfajtore as edhe e bashkëpërgjegjshme me politikën - me çfarëdolloj politike?

Besa, a nuk do të ishte më e racionale dhe më çliruese për të gjithë, besimtarët e historisë dhe mosbesimtarët shmitizues, të rradhiten në logjikën e parashkruar dhe paraqitur nga Veyne - atë të historisë “rrëfim ngjarjesh që kanë njeriun si aktor” ?

Në këtë mënyrë, i takon lexuesit të mençur që të vlerësojë përpjekjen intelektuale të rrëfyesit-historian, të gjykojë ndershmërinë e tij profesionale, të shijojë mjeshtërinë rrëfyese të studiuesit të pasionuar dhe, përfundimisht, të zgjedhë, pasi oferta është e shumëllojshme :
aty ku F. Noli sheh një hero popullor - dashnorin e lirisë dhe udhëheqësin e talentuar të luftës çlirimtare, K. Frashëri vëren heroin kombëtar - nismëtarin e shtetit kombëtar dhe organizatorin e lindur të masave; aty ku O. Schmitt zbulon një hero tragjik - shpagëmarrësin e paepur të atit të helmuar dhe varrmihësin e vendosur të Perandorisë Osmane, A. Plasari admiron heroin semantik - burrin e politikës së luftës dhe mbrojtësin e qytetërimit të krishterë perëndimor dhe, së fundi V. Kule lartëson heroin shqiptar, burrin e mençur, ideatorin dhe programatorin e pashoq të shek. XV (4).

(vijon)

=====================================

(1) Oliver Jens SCHMITT– Skënderbeu, K&B, Tiranë 2009.

(2) Michel de Certeau, - L’écriture de l’histoire, Gallimard, coll. « Folio », Paris 2002.

(3) Paul VEYNE – Comment on écrit l’histoire, Editions du Seuil, Paris 1998.

(4) Gjergj XEXO - Përjetësisht të Panjohur, Mbi Shqipërinë dhe shqiptarët V. I,- Essé historique, Toena, Tiranë 2015.

2 Likes

ku jane skenderbegasit, si shpjegohet qe nuk behet i gjalle asnje skenderbegas per te komentuar ne kete teme 2 dite e vjeter?

Ja komento ti, beji qoken shokut.

nuk komentoj per te bere qoka. Plus qe xixen vertet e konsideroj shok, por kjo nuk do te thote qe mendojme gjithnje njesoj, si psh per kete teme. Un mendoj qe historia ka qellim, gje qe organizon ndryshe perspektiven historike demokratike :stuck_out_tongue:, dhe per pasoje marrin tjeter kuptim gjerat e thena ne shkrim.

Pra nisemi nga aksioma te ndryshme.

u bene 3 komente, shoqnia ktu duket, kur te tjeret te lene ne balte.

Inkuiz,

Nê këtë shkrim nuk bëhet fjalë në se historia ka apo jo qëllim, në se ështê apo jo e nevojshme për të përvijuar fillin e ngjarjeve - me qëllim krijimin e një përspektive, siç e quan ti.

Po ta lexosh me kujdes do të vesh re se debati që kërkoj të shkaktoj e tejkalon Skënderbeun si epifenomen dhe synon një reflektim ndaj vendit që pretendohet t’i jepet historisë si shkencë dhe historianit si bartës i të vërtetave “absolute” - sikundër mendohet se janë ligjet e shkencës në përgjithësi.
Mendimi im është se historia - në formên që ajo konkretizohet, një tekst apo libër, nuk e tejkalon askurrë funksionin e një rrëfimi, gjë që e vendos shkruesin e saj në rolin e një rrëfyesi-historian.
Prandaj edhe këmbëngul në atë që s’duhet folur për fakte por për premisa të natyrës historike, jo për ligje të historisë - si ai i zhvillimit të pandërprerë të shoqërisë njerëzore apo ai i progresit në një sens të vetëm, por për tendenca relative, jo për teorema të patundura që karakterizojnë një epokë - tê vjefshme për të tjera epoka, por thjesht për kqyrje përgjithësuese që s’mund të jenë tërësisht objektive, nga momenti që varen pashmangësisht nga habitusi i vrojtuesit.

pavarsisht se ne kete shkrim vertet nuk behet fjale qe historia ka apo jo qellim, por premisat dhe konkluzat e ketij shkrimi ose fryma qe e pershkon, si çdo tjeter shkrim per historine, domosdo ka lidhje me aksiomen qe historia ka apo jo qellim.

ky eshte nje pohim indirekt qe historia nuk ka qellim, ndryshe historiani nuk do ishte komplet rrefyes, por do ishte edhe fela tjeter e shkencetarit ose rrefyesit te ngjarjeve rrotull disa ligjeve objektive qe presupozojne qellimin, dhe anasjelltas, qe qellimi i presupozon ligjet.

Me konkretisht: jane shkruar vellime nga historiane, edhe te njohur, qe deshmojne paralele historike (analogji dhe ngjarje analoge) si psh midis historise se Perandorise Amerikane dhe Perandorise Romake. Pra ka ca fenomene qe nuk varen pashmangësisht nga habitusi i vrojtuesit, e tejkalojne habitusin dhe te habiturin vrojtues, qe do te thote se ekziston nje metafizike e historise, nje realitet qe e tejkalon ate, i rri siper historise.

Prandaj ka shume skenderbegas qe presin Ardhjen e Dyte te Skenderbeut si psh delta pa dhembe, megjithse eshte demokrat qe konsideron historine pa qellim.

Nje demokrat i modh skenderbegas ka qene edhe Konica qe e quajti Zogun Ardhja e Dyte e Skenderbeut.

Ajo çka ti me aq bujari e quan “metafizikë e historisë” është dhënë në mênyrë transparente në këtë shkrim dhe lidhet me atë që Veyne e përcakton si koncept themelor “ngjarje”.
Bile më intrigon fakti qê s’po i sulesh këtij koncepti me gëzim - dyke patur parasysh Berklin tënd të dashur.

Për ta thënë troç, ngjarja duke rënë si ajo pema bën “zhurmë” vetëm në prani të njerëzve - pra historia është çështje ekskluzive njerëzish - pra duket kqyrur si ajo thela tjetër bashkëplotësuese e shkencës (natyra filozofike e saj) - pra s’mund të jetë shkencë - pikërisht pasi trajton njeriun dhe perceptohet vetëm nga njeriu.

… dhe nga momenti që s’qënkish shkencë, a di ndonjë mënyre tjetër për ta trajtuar përveç asaj "“rrëfimtare”? - pa nënvleftësuar recetën metodologjike të gatimit të saj që ajo është gjë tjetër, pasi përdor kandarin shkencor për të dozuar përbërësit !

Sa për qëllimin e gatimit të një recete të tillë ajo gjë dihet: bëhet pêr t’u ngrënë nga njerëzit.

Mua po më habit pse nuk po vjen Pjeri në këtë mejdan me komentin :slight_smile:

Shkrimin nuk e marr vesh!

1 Like

meqe vazhdon tema e Iskandar-beut. po ve tablone time te preferuar , titullohet ; ‘‘Dorezimi i stafetes’’ .:rofl:

tablo madheshtore kjo e permasave klasike qe te kujton p,sh ‘‘Nachtwacht’’ te Rembrandit etj… veme re ne qender kalin e heroit me nje veshtrimi te cuditur , ala Rosinante. por sidomos bie ne sy nje Skenderbe ne forme, i zhdervjellet, elegant… qe sic do thosh nje miku im, do ta kishte zili edhe nje instruktor tangoje:smiley:

Pun intended? :smiley:

Per kete punen e hakmarrjes personale foli dhe vete Oliveri ne nje interviste te ketyre diteve. Ai sqaroi se nuk donte te thoshte qe ishte uber-arsyeja e rrebelimit te Skenderbeut por vec nje nder disa arsye (per te tjerat bien gati dakord me Xhufianet).
Pra me duket se kot i biem ne qafe Oliverit, eshte krijuar nje tym i panevojshem dhe me se shumti sensacional (pershtypje-lenes per deltat) nga mediat qe kerkojne klikime.
Presim me endje dhe pjeset e ardhshme.

i nderuar Xixa, artikullin sapo e lexova, me morri 1 ore kohe, pasi per disa pasazhe i kthehesha dy here, pasi ishte artileri e rende (artikull per akademiket), dhe te jem i sinqerte ketu nuk kam se ç’te them, per mua do ishte interesante ana ekonomike e asaj kohe, ç’monedhe fuksiononte, ç’monedhe Ai nxorri, si e realizoi sistemin e taksave, etj. Disa gjera ne i kemi mesuar ne shkolle per kohen e Tij, por une si i pavemendshem ne mesim per çeshtje kombetare, as mbaj mend se si ka fuksionuar sistemi financiar ne ate kohe.
Keshtu qe do te me falesh i dashur qe nuk kam seç them per kete artikull tendin, ketu do ishte mire te vinte ndonje historian kalibri.

1 Like

Skenderbeu kishte llogari bankare ne Raguze (Dubrovniku moderrn). Ndersa per sa i perket monedhave besoj se perdorte ca i dilte para, po me se shumti ato te shteteve italike. Eksportet kryesore ishin druri dhe krypa ne mos gaboj dhe pjesa kryesore e GDP-se pa dyshim shkonte ne investime te karakterit ushtarak. Turizmi ne ate kohe nuk sillte shume te ardhura si sot.

1 Like

Berkli eshtei i imi dhe i dashur vetem per faktin se i eshte kundervene si fele feles se materializmit. Mos u lodh kot se nuk gjen verdalle mbifelen time te dashur pa ta thene une. Berkli ne fund te fundit eshte vetem nje filozof, dmth nje zanatali, dhe mund te admiroj nje filozof per intuita dhe gjetje te tij, por nuk eshte se bi vdekur per ndonje filozof. Çdo filozof i mire krahas intuitave dhe gjetjeve ka po aq gomarlleqe skandaloze qe i kane kushtuar rende njerzimit qe ndjek filozofe.

Me fjalen “meta-fizike” kuptojme gjera te ndryshme, un kuptoj çfare qendron pertej fizikes ose me sakte mbi fiziken (dmth krejt kunder Berklit dhe Marksit), dmth qe ekzistojne metaLigje mbi ligjet e realitetit fizike. Pra qe krahas historise ekziston meta-historia.

Por qe te mos merremi me lodra fjalesh, interpretime etimologjike, ky ka than e ai ka than, e shtroj problemin thjesht: nese eshte i vertete besimi i Protagores qe “njeriu eshte njesia matjes se botes” dhe qe rrezimin e pemes e degjon vetem njeriu:

atehere nuk ka ka histori e as ngjarje, ka vetem rrefime njerzish rreth ngjarjes se rrezimit te pemes. Ne plan te fundit kjo do te thote qe bota eshte absurde si Peshku kur diskuton ACDC me zhardinen per ngjarjen e ishullit te Lesbos.

Perfundime te tilla interesante mund te nxirren nga leximi ne kohe te lire i Peshkut, ose leximi i ekzistencialisteve t’mdhej Kamy, Kirkegard etj, qe thone se bota eshte absurde dhe pa qellim perveç te njeriut qe ben çmos te kaloje kohen e lire ne menyre zbavitese, por nuk ma ha menja se e pranon boten te tille ne praktiken e perditeshme te udhehequr nga buon sensi.

Nese te vjedhin shtepine ose te bejne nje padrejtesi ma ha menja qe ti natyrshem kerkon logjiken e ngjarjes (historise), arsyet perse, gjetjen e fajtorit, venien e drejtesise, demshperblimin etj, nuk ma ha menja se pranon te thote polici qe lexon Kamyne “ç’te besh, bota eshte absurde, ti thu kshu, hajduti thote ndryshe, jemi ne demokraci apo jo? apo se ke lexu Protagoren nga Abdera? shko lexoje, pastaj hajde bej kallzimin!”.

Bien,
tani që na servire kontornon, kalo tek pjata

meqe do pjaten atehere do ta boj tamom hyzmetin me nje gjelle analize te nje romani policor qe trejton te njejten ide. Durim deri nga e djela, ose edhe me gjate se do jete shkrim i veshtire dhe ndoshta duhet me rilexu romanin.

Mesa shof, edhe kjo temë do të përfundojë si tek gjermoni Grass:

  • nji dor’ dyshe muhabet, me tu knoq’ shpirti!

po dihet qe vetem ne te dy jemi ne blog, me poetin (qe s’po vjen) behemi tre!

… harrove Godoin.

Teorikisht me të bëhemi katër!

pavarsisht humorit tone dhe sarkazmes parodi te Beketit, eshte shume tregues qe edhe sot, mbas gjithe ketyre gjerave qe kane ndodh ne vend tone dhe analoge ne bote, prap ka njerez qe presin Skenderbeun dhe fyhen po t’ju prekesh kete ndjenje. Mund t’i skartosh kollaj si “dava gamoresh!”, por ndjenjen pritese gomoreske ne shekuj nuk e skarton dot, ajo e gjen menyren te dale perseri me veshje tjeter.

Historia ka qellim, ndryshe te gjithe jane “dava gamoresh!”.

xixa, a e lexove kete artikullin e ballkanweb;
http://www.balkanweb.com/site/oliver-jens-schmitt-kurre-nuk-shkrova-se-skenderbeu-eshte-me-origjine-te-paster-serbe/