Pa fjalë, është një mangësi - ajo e të qenit fizikisht larg që të ndjell t’i ndjekësh të rejat që vijnë nga vendi. Dhe në këtë mes - në kushtet e mungesës së ndjeshme të një politike ekonomike që mobilizon burimet natyrore dhe aftësitë njerëzore lokale (natyrisht pa llogaritur industrinë e hashashit dhe të krimit të organizuar), të braktisjes mizore tê politikës sociale, të dështimit të vajtueshëm të politikës arsimore… (thjesht në konfidencë: vetëm respekti për Veprën Qëndrore të specialistit mbarëkombëtar Pjer më pengon të vijoj këtë numërim dëshpërues… ) dhe si për t’i vënë kapak këtij këtij bilanci të mjerë, është padyshim politika politikane ajo që arrin të prodhojë spektakël të denjë. Show mediatik të vërtetë! Bile as rregjja me peripecitë e këtyre 25 vjet demokraci laramane shqiptare, apo vaksinimi erudit ndaj nevrozave ballkanike, nuk janë të mjaftueshme për të parashikuar surprizat, për t’i paraprirë dosido skenaret…
- Ja për shembull, qysh më 18 shkurt - pra dy muaj e gjysëm më parë - opozita demokratike e udhëhequr nga Basha-Berisha braktisi Kuvendin Popullor - në prag të votimit të të famshmit vetting dhe u ngujua në çadër përpara Kryeministrisë.
Përse ky veprim kaq largpamës politik? besa, sot askush nuk mban mend për së mbari cili ishte shkaku i vërtetë… ndoshta arroganca legjendare e Kryeministrit, ndoshta përbuzja po aq legjendare me të cilën ai trajton opozitën, ndoshta lëndimi emocional i shpirtit të tejndjeshëm demokrat nga projektligjet e propozuara, ndoshta…
Troç, kupa gjithmonë e mbushur e pakënaqsive dhe e mërive u shkapërderdh dhe turma u mblodh në shesh, duke kërkuar - as më pak dhe as më shumë - dorëheqjen e Kryeministrit Rama, të Qeverisë së tij dhe formimin e një Qeverie teknike që ta cojë vendin në zgjedhje të reja, sa të lira po aq edhe të ndershme. Në mos, shkofshin në esfel të gomerëve ato zgjedhje!
- Dikush nga përjashta çadrës mund të vërejë se braktisja e Kuvendit nga opozita s’përbën aspak risi në jetën politike të atij vendi - bile mund të shtojë se ajo zemërakja PD e ka braktisur rregullisht atë të uruar Kuvend thuaj vit-për-vit, qysh prej 2013.
- Bile ndonjë keqdashës tjetër mund të rikujtojë se ka qenë si ditë më ditë, këtu e 13 vjet më parë kur Berisha - ky specialist i “luftës psikologjike të rrugës” - nxorri turmën e militantëve dhe dashamirëve të tij po në atë shesh me thirrjen e shumëzëshme “Nano ik!”.
- Një i tretë bile mund edhe të rikujtohet se as çadra e ngujimit s’është aspak fenomen i ri i demokracisë shqiptare dhe aq më pak shpikje e PD - nga momenti që ajo u përdor 5 vjet më parë nga ish-të burgosurit politikë.
Por ama, nuk mund të dalë një i katërt syresh të thotë se ka bërë vaki në atë vend që një opozitë politike ka arritur, njëherësh - si kësaj here, të braktisë Kuvendin, të mbyllet në çadër dhe të thërrasë “Rama ik!”. Kush e di… ndoshta në rezervë, shtabet kanë parashikuar edhe vetëflijimin me benzinë - alla Palacek, por kjo gjë është për të mos u uruar!
* * *
Ndërkohë që kosherja e Kuvendit roiti dhe vëmendja e publikut u ngërthye tek ëma-bletë e re Basha, i cili po ngre me mund hojet e dyllta demokratike aty në shesh, pothuaj askush nuk ndoqi fatin e tufës socialisto-solidare (kjo e fundit, po të lexohet së prapi jep LSI), që greronte brenda mureve të institucioneve.
E pra - si papritur e pakujtuar, ndërkohë që bariu Rama mundohej të tërhiqte vëmendjen grigjës së zgjedhur ndaj detyrës të saj të shenjtë - të bredhjes lule-më-lule të zonave elektorale dhe përfundimisht, të bërit e mjaltit të zgjedhjeve, ortaku i tij në biznesin qeverisës Meta - aspak rastësisht, pasi kjo gjë erdhi pas të ngrënit të një peshku, u kujtua të thotë se për hir të ndershmërisë - asaj të përkushtimit politik, nuk mund t’i jepte besën një qeverie të ardhshme Rama në se ky i fundit nuk do të plotësonte të gjitha kushtet e opozitës së ngujuar. Sikur të mos i mjaftonte çadra Basha përballë zyrës që hëngri pa ndjerë katër koka ministrash, kësaj rradhe ishte shatorja Meta që rrezikonte kokën e vetë Ramës!
Ç’është e drejta, kakofonia e debatit mediatik mbi legjitimitetin e zgjedhjeve parlamentare në mungesë të opozitës la në heshtje një element tjetër të procesit zgjedhor, të parashikuar nga Kushtetuta - zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Duhet thënë se ky votim ishte praktikisht i pamundur në mungesë të opozitës - dhe për të mos abuzuar me durimin e lexuesit po i bie shkurt duke thënë se gjatë seancës së katërt - asaj me shumicë të thjeshtë, gjithmonë si papritur dhe pakujtuar, bëri vaki ai coup de théatre. Grupi parlamentar LSI propozoi kryetarin e tyre Meta për këtë kolltuk, gjë e cila gjeti miratimin unanim të shumicës socialiste. Si rezultat, Meta u zgjodh President i shtatë i Republikës së Shqipërisë.
- Cili ishte qëllimi i hapur apo i fshehur i kësaj manovre politike që kulmoi me kurorëzimin e Metës President i Republikës, fundja një personazh krejtësisht i pafuqishëm në shkallën ligjore të vendimmarrjes?
Mund të imagjinohet se ishte i vetmi post që mungonte në pedigree-në e Metës sikundër mund të ëndërrohet të shkruarit përfundimtar të emrit në Panteonin e pavdekshëm të Kombit - një imagjinëndërr që avullon shpejt kur mendon zhgjendrrën qaramane në ikje Nishani.
Mund të supozohet strukja pas imunitetit presidencial ndërkohë që pritet nga procesi i vetting-ut sa i përfolur aq edhe i druajtur, pas spastrimit të klasës së korruptuar të gjykatësve, të shfarosë klasën po aq të përlyer të politikanëve - një supozim dritëshkurtër kur realizon se, përveç Metës dhe klanit të tij zhvatës, ajo klasë përmban edhe vetë Ramën dhe bandën e deputetëve trafikantë, në mos të hashashit të influencës.
- Përse një i tillë pazar pikërisht në prag të zgjedhjeve kur rezultati i tij praktikisht e zhvesh Metën nga fuqia e tij qeveribërëse si President i LSI? Ndryshe, ishte vetë Meta që donte të bëhej President apo u detyrua nga rrethanat, të diktuara nga ndeshja Rama-Basha?
Mund të mendohet një Meta i lodhur dhe i drobitur nga përpjekjet e tij politike shumëvjeçare - një farë Sizifi i lumtur, sikundër bën Kaç Islami, një tjetër kafshë politike, nostalgjike e kafazit të artë. Pra, një Meta në udhëkryq mes dy zgjidhjesh: nga njera anë Rama - që me njerën dorë i tregon kollutukun e Presidentit dhe me tjetrën shtrëngon dosjen, gati për Prokurorin post-vetting; nga ana tjetër Basha, që me luajtjen e njerit sy e fton t’i hyjë betejës anti-Rama dhe me shkeljen e tjetrit aprovon vendimin tashmë të marrë, mjaft që të shthuret gardhi i pakapërcyeshëm PS-LSI!
Sidoqoftë, popullorçe kësaj i thonë: kush e sabotoi Entreprise Rama, u vendos m’çadër në breg, për të bërë sehir fundosjen dhe ëndërruar të ardhmen - kush e braktisi anijen në mbytje, shkoi u struk m’kodër tek Pallati i Brigadave për të medituar mbi fatin!
* * *
Erdhëm kështu më në fund tek ajo pjesë e shkrimit që shpjegon dhe justifikon zgjedhjen e titullit: Sindroma e Peshkut të Kuq.
E përshkruar në terma shkencorë, bëhet fjalë për bashkësinë e shfaqjeve klinike që karakterizon individin që manifeston një mbetje kujtesore me gradient negativ. Popullorçe - flitet për një tip që zotëron vetëm memorje momentale - jo afatgjatë dhe që, sikundër dhe peshku i kuq që sillet parreshtur në akuarium, habitet dhe indinjohet në mënyrë përsëritëse nga ngjarja që përjeton.
Besoj se çdo lexues ka qenë dëshmitar në mos protagonist i asaj vale indinjate që pushtoi rrjetat sociale kur u mësuan zhvillimet e fundit politike që kulmuan me zgjedhjen e Metës President.
- Dikush habitej nga ky vullnet i Metës për të vënë në vështirësi partnerët socialistë, në prag të zgjedhjeve të reja… dhe ky i gjorë peshk i kuq ndërkohë ka harruar se gjatë Kongresit të PS në dhjetor 2003 - këtu e 14 vjet më parë, ishte po i njejti Meta që hodhi në erë partinë socialiste të Nanos duke dalë më vehte me LSI e tij? Që ky veprim i tij i mençur, i hapi kështu rrugën ardhjes së Berishës në pushtet dhe ardhjes së Ramës në krye të PS.
- Si ka mundësi - thoshte një i dytë, bile duke goditur kokën me grushta - që Rama të zgjedhë Metën President kur po ai Rama organizoi manifestimet e 21 janarit 2011, pikërisht për të larguar Metën e korruptuar nga qeveria? Harron ndoshta i mjeri peshk i kuq se i indinjuari i djeshëm Rama sot është Kryeministër, pikërisht për hir të aleancës me “të korruptuarin” Meta?
- Një i tretë manifeston publikisht kundër votimit “… të një krimineli si President” me parrullën “Ti nuk je Presidenti im” - dhe ky peshk i kuq harron se pikërisht ai “kriminel” është personazhi i dytë i Shtetit, Kryetar i Kuvendit Popullor qysh prej 10 shtatorit 2013 !
Si ka mundësi që kjo sindromë të godasë kryesisht mlitantët; dashamirët dhe në një shkallë të gjerë publikun sehirbërës - deri edhe mediat, dhe të kursejë qëndrueshmërisht protagonistët e politikës? Çështje verbërie ndaj idealeve të ngushta partiake mund të përgjigjet dikush… thellësisht njerëzore, karakteristike e shpirtrave naivë - ja kthen tjetri…
Sidoqoftë, një gjë është e qartë: paçka se këto kategori gjallojnë dhe begatojnë në dy sfera krejt të ndryshme, thuaj të papërshkueshme, ato kanë nevojë të domosdoshme për njera-tjetrën - të parët për dorën që i ushqen me thërrime materiale, të dytët për qetësinë shpirtërore që çliron masa dekorative e peshqve të kuq që vërdalloset parreshtur në hauzin demokratik.
Veçse, çështja kryesore në këtë mes nuk është aspak si të përmirësohet kujtesa e peshqve. Përtej metaforës dhe në kapërcyell të sindromës, çdo mendje racionale kërkon një përgjigje ndaj pyetjes: cila do të jetë e ardhmja ime dhe e fëmijëve të mij në këtë vend? Pasi gjendja aktuale paraqitet si pakrye - me njërën apo me tjetrën forcë politike në qeverisje:
ndërkohë që pushteti mbron bilancin e vet të arritjeve ekonomike, pa dashur të shpjegojë se cilat janë burimet e vërteta që lejojnë të financohet kjo ekonomi, opozita tund flamurin e luftës kundër korrupsionit, trafiqeve të jashtëligjshme dhe krimit të organizuar, pa mundur të thotë se cilat do të jenë rrugët e ndershme të zhvillimit të saj të ardhshëm.
Së fundi - dhe për sê mbari, kush mê mirë se vetë peshqit e PPU mund të diskutojnë lidhur me këto tema?