Celulari e tregonte vendndodhjen e Deposizione të Pontormos sapo kapërxehet Ponte Vecchio, mileti me maska shkonte sa andej këtej në hall të vet të përditsisë, e ne po me maska vinim vërdallë rrugëve të Firences në hall për të gjetur dëshminë më grandioze të Manierizmit. U bë vërtet shqetësuese sjellja vërdallë të njëjtit vënd pa arritur në destinacion, e më në fund i dhamë karar të pyesnim shitësin e gazetave në cep të rrugës. Por sa po matesha t’i drejtoja pyetjen, e kuptova se ku gabonim si katunarë albanezë: capella ka kuptim të dyfishtë: të kishëzës dhe të kamares me ikonë. Capella Capponi, vendodhja e Deposizione të Pontormos që kërkonim të shihnim, nuk ishte kishë më vete siç kujtonim, por ishte një kamare e kishës Santa Felicita të treguar prej celularit, së cilës po i silleshim vërdallë duke e kujtuar një kishë çfardo, megjithse sipas internetit është një nga kishat më të vjetra të Firences. Histori e zakonshme, fenomen që e kam trajtuar këtu; fasadat e kishave (por jo vetëm), sado të vjetra qofshin, në përgjithsi janë të datuara në shek. XIV kur është ndalur fenomeni i restaurimit për hir të konservimit.
Porta e kishës ishte mbyllur, xhan xhin vërdallë, prandaj nuk e konsideronim kishën më parë sepse prisnim të gjenim turmën e zakonshme të turistëve adhurues. Shtyjmë portën, gjithnjë me frikën se nuk hapet, por Sesami u hap (hapet gjithnjë po të dish formulën), e xhan xhin edhe brënda në mugëtirë të kishës. Indiferencë për kulturën apo efekt i koronavirus? Më në fund sapo në të djathtë të hyrjes shfaqet objekti i kërkuar me aq mund.
Ja vlente barra qeranë, megjithse në përgjithsi origjinali i veprave ka rezultuar deluzionues, sepse në pamundësi për të parë origjinalët në kushtet e rrethimit të egër imperialisto-revizionist, mësova të emocionohem nga kopjet pa aurën e origjinalit për inot të marksistit Benjamin. Por kësaj radhe ndodhi ndryshe, është e vetmja herë që jam prekur si zonjushë sentimentale nga një vepër artistike. Mundimi shpërblehet gjithnjë, vetëm mbas pilafit kupton që fati të përgatit për kuptim të vërtetë nëpërmjet fatit të keq në të gjitha kuptimet dhe nivelet, edhe në ndodhitë e përditëshmes më banale. E gjithë vuajtja shqetsuese e kësaj kohe tragjike ku mortja të sillet rrotull sa herë mer frymë e sa herë të afrohet maska e të afërmit tënd - mbi samar anabasin tonë të mundimshëm në kërkim të artit të madh të New-Jorkut të shek. pesëmbëdhjetë në mes të rrënojave turistike fiorentine të admiruara sikur janë pa le se çfarë -, u shpalos para syve e sublimuar artistikisht në një copë drrasë lyer me bojë.
Sa e sheh veprën në fjalë të bën përshtypje rafinimi i skajshëm më tutje nuk mundet më i çdo elementi pa përjashtim, e menjëherë mbas të shokon një çekuilibrimi po aq i skajshëm i çdo elementi pa përjashtim: çekulibër në kompozim, ngjyrë, hapsirë, psikologji. Me pak fjalë mungesë totale paqëndrueshmërie ekuilibri që e bën skenën veçanërisht dinamike, statizmi rilindas është baraz me zero, madje bëhet parodi e tij. Figurat qëndrojnë gjithsekushi për hesap të vet dhe nuk merret vesh ku mbështeten e për ku synojnë; disa prej tyre duken sikur nuk i kanë këmbët mbi tokë. Psh figura në të djathtë e Madonës veshur me të kaltërt që po rrëzohet e dëshpëruar nga dhimbja, nuk merret vesh absolutisht se po bije mbrapsht apo nga përpara? Në të njëjtën kohë rënia e saj nga diçka frenohet, por nuk merret vesh nga çfarë. Figura e kërrusur e rioshit në plan të parë që mban trupin e Krishtit, mbështetet vetëm mbi gishtat e këmbëve, ndërsa gjuri i këmbës së djathtë mbështetet pa pikën e ekulibrit dhe fare kundër natyrës së rëndesës mbi një pëlhurë të mbufatur nga ajri hedhur për tokë. Nuk kuptohet nga xhesti se rioshi po e mban trupin e Krishtit (po e pëson peshën), apo po e ngre peshë. Figura e kaltërt femërore me shami koke ngjyrë rozë në skaj të majtë, rrek të mbajë trupin e Krishtit në një pozicion të çoroditur që duket sikur i bie sipër. Mosbindje totale e ligjeve të gravitacionit dhe stabilitetit harmonik së Rilindjes.
Çdo gjë në tabllo duket stravagante dhe eksentrike, gjithnjë duke ruajtur finesën e rafinuar pa e tepruar kurrë masën, gjë që e shton akoma më tepër ndjenjën e stravagancës dhe eksentricitetit. Po njësoj ngjyrat janë artificialisht brilante, por njëkohësisht edhe ngjyra pastel të shuara, tone të ngrohtë e të ftohtë njëkohësisht, ngjyra rozë verbuese, të verdha squfur, të kuqe të ndërsyera, vënë përbri me të kaltra akull të ftohta dhe jeshile kristaline zmerald. Veshjet e gjysmës së figurave identifikohen me lëkurën e trupit sikur me qenë tuta polumbarësh të ngjyrosur me rozë ose të kaltërt. Perspektiva është fare munguese, e tërë hapsira është është zënë nga figurat që, nga pak tokë, avullojnë përpjetë njëra mbi tjetrën në pak qiell artificial ngjyrë gri, me vetëm një re që e bën atë akoma më artificial deri në tallje si speech ose balloon komiksi. Çfar e rrit skajshëm stravagancën dhe eksentrizmin është fakti që Deposizione kundrohet nga pas një kangjelle prej hekurash që ka për qëllim ta ruajë nga vandalizmat, por duke e rrasur në burg. Megjithse pas pak të duket se kangjellat të rrasin ty vetë në burgun e mosndjeshmërisë për çfarë ndodh.
Pra në kuadër gjithçka dëshmohet si jo e kësaj bote, por nuk është as e botës së ëndrrave, si rëndom interpretuar nga kritika, sepse imazhi është edhe tmerrsisht real; ankthi në fytyrë të figurave është i njëjtë, është ankthi ekzistencës së braktisur në vetvete, që korespondon me ankthin e ndodhisë providenciale të vdekjes së Krishtit (Deposizione), të konceptuar si braktisje e Zotit (fillesë e ateizmit). Çdo gjë është e pasigurtë në gradën më të lartë e në kuptimin më të thellë, sapo vë re një gjë, hop vë re edhe të kundërtën e gjësë në fjalë. Tablloja përcjell një ndjenjë shokuese ankthi kozmik pa fund - vënë re rëndom nga analizat e bëra veprës -, por me të dytën e herës të përcjell të kundërtën: një paqe pa fund, e të dyja bashkë të shkaktojnë një ndjenjë ngashnjimi (shqipja me këtë fjalë është në nivelin më të lartë të mundur) të padurueshëm edhe si lumturi. Nuk me ka ndodhur kurrë një gjë e tillë me vepra arti (me figura të gjalla po), në fakt nuk arrija dot ta shikoja më tepër se pak sekonda pa i hedhur sytë gjetkë - nuk e mbaja dot tensionin -, e për ta vështruar përsëri me pushim-ndërpreje të vazhdueshme.
Deri edhe vetë tema është pasigurisht e papërcaktuar, akoma diskutohet se Deposizione në të vërtetë është një Trasporto (trasportim në varr i trupit të Krishtit) sepse në tabllo mungon kryqi që është element kryesor dhe i rëndomtë i çdo Deposizione të pikturuar në histori të artit. Mirëpo ndjenja që të ngjall kuadri çuditërisht duket si zbritje e trupit prej një kryqi mungues si imazh, por i pranishëm si ndjenjë.
Kjo dalldisje sa andej këndej nga çdo pikpamje, vështirë të kuptohet me të parën se është një parodi, gjë që e kuptova më vonë dhe me ndihmën e kundërfigurës të Pontormos, ose binjakut dizigot, fiorentinit bashkëkohës Rosso Fiorentino, i cili ka goxha kryq në Deposizione të tij; çfar fsheh me marifet Pontormo - me dashje apo pa dashje nuk e gjen dot kurrë -, kundërfigura e tij vllazërore e tregon pothuajse sheshit.
(mirupafshin në emisionin tjetër të dashur online-ues)
pjesën e mëparëshme e gjeni këtu