Kjo lloj dashnie katastrofike vetëshkatërrimtare dëshmohet më mirë e më bukur s’bëhet prej novelës së famshme Vdekje në Venecie të Tomas Manit (bërë film nga Luchino Visconti), në të cilën përshkruhet dëshirimi i artistit dekadent Aschenbach - i rrëgjuar nga mosha e thyer dhe sforcimi për të rrokur formën sublime “art për art” dhe bukurinë e përsosur - për një të mitur që i mishëronte fizikisht këto veti (sipas disa kritikëve i mituri është mishërim i alter egos narcistike të Aschenbach). Kjo novelë e shkruar në vitin 1911 është fruti më i lezeçëm i atmosferës apokaliptike dhe nihiliste që paraprinë vitin ogurzi 1914, e cila atmosferë është mbushur me shenja paralajmëruese për mënxyrat që ndodhën më vonë. (Lufta e ardhshme botërore profetizohet saktë në novelë nga kërcënimi i epidemisë së kolerës mbajtur fshehur prej autoriteteve qeverisëse për të mbrojtur interesa fitimi turistik). Pikërisht në këto vite zanafillon kultura moderne (arti modern, fizika moderne, psikologjia moderne, gjuhësia moderne etj), në kuptimin që hidhen teza të cilat vënë në dyshim kulturën tradicionale, e që mbeten akoma qëndrore, themeluese dhe agresivisht vepruese në kulturën bashkohore. Në këto vite vihet në dyshim vepra kulturore dhe krijuesi kulturor në përgjithsi, arti dhe artisti përthyen mbi vete duke u vetëhulumtuar në lidhje me funksionet e tyre, pikërisht çfarë bën edhe Man (prandaj quajtur nga kritika “i fundmi i klasikëve”), vepra e të cilit trajton në mënyra të ndryshme në kohë të ndryshme dikotominë niçeane dionis-apollon, ose thënë me fjalë të tjera: dilemën e artistit modern të çaplyer midis dëshirës për jetën normale dhe racionale të bakallit (borgjezit) dhe pasionit për jetën romantike e iracionale ku rafsha mos u vrafsha e artistit bohem.
Stili i përsosur deri në parodi i novelës në fjalë përputhet për bukuri me brendinë e saj që është një parodi e gjallë bërë kultit të formës dhe përsosmërisë që fsheh me marifet rrënimin dhe kaosin, ose, sipas simbolikës niçeane, një parodi e hidhur e fitores së Dionisit (dizintegrimit, lëshimit pa fre, dehjes, kaosit, rastit etj) mbi Apollonin (kultit të formës, vetpërmbajtjes, kthjelltësisë, kozmosit, domosdosmërisë etj). Agonia dhe vdekja e poetit i shkon për bukuri sfondi i qytetit me bukuri të rrënuar të Venecias (përditë gjithnjë e më tepër i kërcënuar prej përmbytjes, si paralajmërim simbolik që bota rrezikon të vdesë bashkë me këtë qytet), në të cilin ngrysin ditët artistë dhe miliarderë të rrënuar nga pleqëria dhe pasionet e jetës, si psh miliarderja, mecenatja, koleksionistja dhe beqarja e staxhionuar Gugenhaim dhe kryeromantiku Wagner, autori i Muzgu i Perëndive dhe Tristiani dhe Izolda (vajtimi zvarritës i korit baritor tek akti i tretë është frymzuar prej ulurimës së një gondolieri në një mesnatë vere veneciane - i ashtuquajturi Akord i Tristianit, për të cilin kam shkruar këtu, një shkrim i cili lidhet ngushtë me çfarë po flasim). Në këtë qytet të famshëm për karnavalet me maska dhe për pallatet të rrënuara prej kohës e lagëshirës vdekjeprurëse të lagunës e që fshehin pas fasadave madhështorë prej mermeri ndyrësinë e mureve me tulla të pasuvatuara, i ngrysi ditët artisti dekadent Aschenbach, i lyer e përlyer si maskë makabre prej makjazhit të bërë për t’u dukur përsëri i ri përballë miturakut të dëshiruar Tadzio. Ja dhe disa “rastësi” të tjera të vyera veneciane që dëshmojnë për dikotominë farfuritëse art-ekonomi: Venecia, qytet ireal i ndërtuar mbi ujë, dikur superfuqi detare që i dha hov të pashëmbëllt tregtisë midis Orientit e Oksidentit dhe qarkullimit të mallit dhe monedhës nëpërmjet elementit primordial ujë (ndoshta jo rastësisht termi likuidim - financiar - prejardhet etimologjikisht nga liquidus=lëng) ishte superfuqi botërore e qeverisur nga këshilli i dogëve si një biçim demokracie, shumë pranë konceptit të sotëm për demokracinë (qeverisja e Greqisë së lashtë ishte demokraci katundi); harqet gotikë në bazë të Kullave Binjake (ish-Qëndra e Biznesit Botëror) imitonin harqet e arkitekturës të sheshit të Shën Markut në qendër të Venecies; sipas Ruskin - i pari që vuri në dukje ndërlidhjen midis estetikës dhe ekonomisë politike dhe që i’a mundoi t’i zhdukte nga faqja e dheut këto dy disiplina moderne - këmbanorja e Shën Markut është “ndërtesa qëndrore e botës”.
Novela skandaloze Vdekje në Venecie shkaktoi një uragan polemikash, sidomos rreth çështjes homoseksuale, mjaft në modë si sot dhe mot në fillesat e kohës moderne. Dishepujt e rrethit të Stefan George - poet i famshëm gjerman që llokoçiste bashkë artin, ezoterizmin, shoqëritë sekrete dhe pederastinë - panë në figurën e Aschenbach një parodi të mjeshtrit të tyre. Nga ana tjetër novela është quajtur deri edhe si krejt autobiografike, meqë Man dhe gruaja e tij Katja rrëfejnë se pothuaj të gjitha situatat e përshkruara në novelë janë njëfarsoj të ngjashme me çfarë u ka ndodhur përgjatë një udhëtimi në Venecie për të kaluar pushimet verore, dhe që personazhet e novelës - përfshirë miturakun Tadzio dhe familjen e tij - nuk janë trillime letrare, por persona me mish e kocka të ndeshur përgjatë udhëtimit në fjalë. Për më tepër vetë Man pohon se është tunduar nga ndjenja e homoseksualitetit (biografët e tij dëshmojnë për një histori dashurie rinore me një piktor), mposhtur prej tij me shumë vështirsi dhe vuajtje. Ç’është më e keqja llomotitjet në modë për çështjen homoseksuale mbysin faktin që në këtë rast bëhet fjalë për çështjen akoma tabu të pedofilisë sepse Tadzio i romanit ishte 14 vjeç, ndërsa ai “pe të vërteti” ishte 11 vjeç (Man me ironi ka thënë se asnjeri nuk do të pipëtinte në rast se Tadzio do të quhej Tadzia), plus dhe fakti që Man rrëfehet në një letër intime se në fillim ishte cytur për të shkruar këtë novelë prej një episodi biografik të Gëtes 74 vjeçar të dashuruar marrëzisht me një vajzë 17 vjeçare, sipas tij “një histori e ligë, groteske, turbulluese” (për të bërë të vetin përsosmërinë stilistike të Gëtes, gjatë shkrimit të novelës lexonte çdo ditë disa faqe - gjithnjë të njëjtat - të veprës Ngjashmëri zgjedhore të Gëtes).
Për ironi është miti i lashtë që shpjegon situatën moderne duke zbuluar rrënjën e së keqes: urdhëri në Zanafillë për të mos ngrënë Frutin e Ndaluar (Zan. 2:17) - simbol i marrdhënies seksuale - ishte vetëm i përkohshëm, dhe i nevojshëm për shkak të papjekurisë shpirtërore dhe fizike të Adamit dhe Evës. Çdo prind këshillon njësoj vocrrakët e tij në fillesat e jetës seksuale, dhe vetëm mbasi ata rriten jep licensën; në fakt në Zanafillë shkruhet e zezë mbi të bardhë urdhëri ose më saktë bekimi: “shumohuni” (Zan. 1:28). Për këtë arsye Clemente Alessandrino mbronte tezën - në të njëjtën linjë me mjeshtër të ndryshëm të epokës së rabinëve hebraikë - që mëkati origjinal qëndronte në faktin e shuarjes së urisë së dëshirës seksuale para kohës së duhur. Si përfundim teorik Shejtani rezulton shkërdhyesi i bijve të Zotit, alias pedofili primordial, ndërsa si përfundim praktik rezulton se zyrtarizimi i pedofilisë (kërkuar prej të interesuarve si pjesë e tufës të së drejtave të njeriut) është fitorja zyrtare dhe përfundimtare e të keqes mbi tokë.
Për Vdekje në Venecie janë thënë thashethemnaja dhe shkruar shkrimnaja pa fund, Man është shprehur me keqardhje dhe deri me përbuzje se me novelën në fjalë kanë ndodhur mjaft keqkuptime dhe janë bërë manipulime të interesuara të opinionit publik. Ngjashmëritë e përgojosura midis bëmave të artistit dekadent Aschenbach dhe bëmave të Man, poetit August von Platen, muzikantit Gustav Mahler, poetit Stefan George, Wagnerit dhe Gëtes - dhe çfardo gjeniu tjetër të ngjashëm që mund të futet në këtë pilaf - nuk kanë pikë rëndësie në krahasim me çfarë mundohet të sjellë novela e shqyrtuar. Një thes i tërë me ese që shtjellojnë novelën në fjalë dhe përgojosin autorët e lartpërmendur - brënda në thes edhe këtë që po lexoni - nuk e vlejnë leximin me nge të vetë novelës që përshkruan më bukur s’bëhet tutje e tëhunë e këtij shkrimi. Akoma më mirë nëse terjaqijtë e letrave do i’a kishin ngenë të lëçisin edhe novelat e Man: Tristani dhe Izolda dhe Toni Kroger (metabiografia e Manit), të cilat, bashkë me Vdekje në Venecie, jo pa qëllim botohen shpesh në një vëllim të vetëm. Kjo triademë e çmuar novelash të shkurtëra dëshmon në mënyrë të koncentruar rropatjen maniane - nga romani mastodont Budenbrokët e deri tek voluminozi Doctor Faustus (për të cilin kam shkruar këtu) - për të sqaruar nga këndvështrime të ndryshme problemin e dashnisë së dashurisë të artistit dekadent kitsch “art për art”, komplementar me kapitalistin bakall kallp “mall për mall” ose “pare për pare”.
Eshtë shumë domethënëse si ilustrim për shkrimin kjo pjesë nga filmi Vdekje në Venecie i Luchino Visconti (me skenar nga novela homonime e Man), fitues në Kanë. Diskutojnë dy kolegë me zanat artistë; protagonisti që mbron vlerat ideale klasike të artit kundër vlerave të gjenisë dekadente perverse, në fund të filmit shihet të bëjë krejt të kundertën në praktikë, megjithse pa dashjen e tij (shiko linkun në fillim të shkrimit si përfundon artisti me ideal klasik). Diskutimi midis tyre është ideja e thelbit të artit:
vijon …